Kriza e borxheve dhe pritshmëria shqiptare
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8578_1_188.jpg?itok=V1VuBpdd)
Ekonomia europiane po kalon një periudhë të vështirë. Qeveritë e çdo vendi po marrin masa për të kufizuar efektet negative të krizës së borxheve. Bashkimi Europian dhe vendet e Eurozonës po bashkërendojnë masat për të shpëtuar nga falimentimi ekonominë e fqinjit tonë jugor, Greqisë, si dhe për të kufizuar në maksimum përhapjen e krizës së borxheve në vendet e tjera europiane. Deri më tani tregu nuk ka krijuar besimin e duhur tek autoritetet dhe nuk kanë bindje se masat e tyre janë cilësisht të duhurat dhe të mjaftueshme. Frika është sidomos se flakët e krizës mund të përfshijnë Italinë, Portugalinë, Spanjën etj. Kjo panoramë e zymtë duket se do të shtrihet në disa vite, me gjithë masat “drastike” të qeverisë greke, deri diku dhe italiane etj.
Kanë kaluar tashmë mbi tre vite nga paralajmërimi i parë për krizën ekonomike botërore që po mbërthente ekonominë botërore. Kërkesave të ekspertëve për qeverinë tonë për të marrë masa për t’u mbrojtur nga efektet e saj, qeveria dhe institucionet përgjegjëse me mediokritet vendosën t’ju përgjigjet me gjuhën e gjarprit dhe duke mohuar qoftë dhe ndonjë efekt në ekonominë shqiptare.
Me fillimin e krizës greke, përsëri u paralajmërua qeveria për mundësi dhe drejtime ku mund të prekej e ndikohej ekonomia shqiptare, shoqëruar dhe me rekomandime modeste si mund të minimizoheshin efektet negative.
Tashmë jemi në një tjetër situatë, ku përsëri kërkohet vëmendje dhe masa konkrete nga qeveria për të minimizuar efektet e krizës së borxheve, që po “shkund” Europën. Për më keq akoma, ka shtrirë në gjendje “shoku” fqinjin tonë jugor, Greqinë dhe i ka dhënë “temperaturë të lartë” ekonomisë italiane. Janë fqinjët tanë më të afërt, me të cilët kemi mbi gjysmën e marrëdhënieve ekonomike që zhvillojmë me jashtë. Jemi të ndërthurur me eksport-importet, investimet e tyre në ekonominë shqiptare, emigracionin, sistemin bankar, ndihma e kredi etj.
Nuk përjashtoj mundësinë edhe të disa përfitimeve që mund të ketë ekonomia shqiptare nga kriza e thellë ku ka rënë Greqia dhe që po troket dhe në dyert e Italisë. Dikush llogarit ndonjë turist që do të lerë Greqinë e Italinë për tju drejtuar tregut shqiptar. Dikush tjetër preferon të përmendë që disa prej emigrantëve që kthehen nga pamundësia e qëndrimit atje mund dhe do të sjellin dhe disa kursime, për të jetuar në Shqipëri. Nuk ka pse te mohoj kategorikisht që edhe ndonjë investitor tepër i rrallë grek të sjellë investime në Shqipëri. Por me dëshirën dhe urimin që këto efekte pozitive të jenë sa më të shumta, mendoj që nuk duhet të bazohemi tek mendimi që fatkeqësia e tjetrit mund të jetë me përfitime për ne.
Është shumë shqetësuese, alarmante dhe e pafalshme që qeveria jonë ka vite që bën sehirxhiun ndaj krizës ekonomike botërore. Në vend që të kemi një Qeveri dhe një Bankë Qendrore që të vlerësojnë me realizëm gjendjen dhe të marrin masa e të japin rekomandime se çfarë duhet të bëj gjithkush në këtë situatë, ne shohim vetëm gazetarë që mbledhin me kusi e tenxhere mendime ekspertësh për gjendjen e rrugëzgjidhje. Qeveritarët flenë, në mos e dëshirojnë këtë situatë të turbullt, për të peshkuar korrupsionin e radhës.
Më krijohet ideja që ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë që i ngjan një makine, që kërkon dhe qeveria i hedh më shumë naftë, jo për të shtuar distancën e përshkruar apo rritur shpejtësinë, por për të shtuar zhurmën e burisë. Kjo pasi progresi ne ekonomi ndjehet me pikatore ose aspak në jetën e qytetarit, në veprimtarinë e biznesit, por vetëm në fjalimet e qeveritareve (kuptohet dhe ne te ardhurat e tyre). Pra, ekonomia në vend numëro e tatëpjetë dhe propaganda boshe e qeverisë (buria) të shurdhon përditë e më shumë.
Potencialisht gjykoj se kriza e borxheve me të cilën po ndeshen partnerët tanë europianë e më gjerë, mund të ndikojë edhe në ekonominë tonë në disa drejtime. Gjithçka varet nga pjerrtësia/shpejtësia e të tatëpjetës dhe gjerësia e veprimit të krizës.
Së pari, kjo krizë do të prishë balanca të brishta të ekonomisë. Tregues të ndryshëm, në varësi nga shkalla e ndërthurjes, herët a vonë do të lëkunden. Kjo do të shtojë dozën e frikës e mosbesimit në publik e biznes. Luhatshmëritë relativisht të shpeshta të treguesve (normat e interesave bankare, kursi i këmbimit, çmimet etj.) dhe humbja e besimit llogariten si faktorë me ndikim të gjerë në ekonominë e një vendi. Shoku psikologjik që shoqëron krizën zbutet me transparencë, edukim dhe komunikim të vazhdueshëm e të sinqertë me publikun. Të injorosh qytetarin e thjeshtë, ekspertin dhe të lesh pa komunikuar e debatuar efektet e pritshme e masat e përgatitura për kundërveprim është gabim fatal. Duhen filluar reforma reale e thelbësore në ekonomi, duke lënë mënjanë “tam tamet e mrekullive të ekonomisë shqiptare”. Pa krijuar ndonjë tension tek publiku depozitues, pasi depozitat janë të sigurta në bankat tona, por kujtojmë që gjithë vendet europiane kanë pothuaj përfunduar programet se si do të mbështesin bankat e tyre në rast falimenti të mundshëm të Greqisë.
Së dyti, normat e huamarrjes në tregun ndërkombëtar janë rritur dhe kanë luhatje të mëdha. Kjo situatë na vështirëson së tepërmi huamarrjen dhe na rrit koston e borxhit. Edhe nëse qeveria vendos të mos marrë borxh në tregun ndërkombëtar, për shkak të kostos së lartë (siç edhe veproi tërësisht gabim kur mori borxh shumë të shtrenjtë për vitet 2009-2010), duke kërkuar borxh në tregun e brendshëm, do të rrisë përsëri interesin e bonove duke shtrenjtuar borxhin e brendshëm, por duke rritur dhe koston e huave për biznesin dhe individin shqiptar.
Shtetasit shqiptar nuk duhet ta shohin e kalojnë me indiferentizëm çështjen e normave të interesit, sikur nuk ndikon në jetën e tyre. Ata që kanë marrë kredi ose do të marrin një të tillë, duhet të dinë se sa më shumë borxhe të marrë qeveria nga bankat dhe sa më shumë të rritet interesi i bonove, aq më shumë do të paguajnë edhe ata për kredinë që kanë marrë. Nga ana tjetër rritja e interesit të bonove shton koston e buxhetit dhe për pasojë kemi më pak shkolla, spitale, rrugë, ujë etj.
Së treti, kursi i këmbimit të euros ka lëvizje të mëdha, për pasojë edhe lëvizjet e kursit të lekut kanë luhatje. Kush më shumë e kush më pak, pothuaj të gjithë jemi të lidhur me kursin e këmbimit të lekut. Por sa më shumë të luhatet kursi i këmbimit të lekut aq më shumë i ngrenë çmimet tregtarët. Kjo do të na bëj të blejmë më pak mallra e të bëhemi më të varfër.
Së katërti, mund të ketë kthime emigrantësh, që duhen mbështetur për tu përshtatur sa më parë me realitetin e ri, që hasin në ekonominë e vendit të tyre, pas shumë vitesh largimi. Ndërkohë këta shtetas dhe të tjerë në vështirësi në vendet përkatëse nuk do i kemi në vitet e ardhme burime dërgesash. Por një pjesë e tyre mund të kenë humbur dhe nga dështimi i biznesit atje, apo nga ulja e çmimeve për shitje të ndonjë pasurie, mundet te mos përfitojnë pensionin e pritur nga vitet e punës në Greqi etj.
Së pesti, rënia ekonomike ne Greqi e Itali ka efekte dhe në ngadalësimin e ekonomisë shqiptare, sidomos nëse eksportet tona nuk riorientohen shpejt.
Së gjashti, tregjet e disa mallrave kanë ndjerë luhatje të mëdha këto kohë. Kriza e këtyre viteve tregoi qartë se ka pasur luhatje çmimesh në pothuaj gjithë mallrat, ku Shqipëria është eksportuese ose importuese. Mund të përmendim këtu naftën, ushqimet, mineralet etj. Luhatjet e forta do të dëmtonin si qytetarët ashtu dhe biznesin përkatës, në përfundim do të efektonin dhe ekonominë
Së shtati, qeveria jonë ka shpallur një fushatë të re privatizimesh, që për nga forma e organizimit dhe urgjenca e proklamimit më shumë i ngjan tabelave të dyqaneve në falimentim “malli likuidohet”. Po kështu po ndodh njëherësh dhe me Greqinë dhe besoj së shpejti diçka duhet të bëj edhe Italia. Kjo konkurrencë do të na sjellë çmime më të ulëta për privatizimet dhe investitorë të huaj jo shumë seriozë (me shpresën e kotë që nuk janë paracaktuar tashmë nga qeveria privatizues karagjozë). Edhe shitja e një gomari nuk mund te realizohet me pëllitjet e vetë gomarit apo britmat e çjerra të të zotit, por do strategji të mirorganizuar.
Së fundmi, diçka për sistemin bankar. Kriza greke do të shkundë disa banka europiane, duke u imponuar atyre shtim kapitali. Kuptohet që dalja në dritë e shifrave të reja mund dhe duket do të ndikojë edhe tek besimi i klientëve bankarë. Disa banka do të jenë në kërkim të ngutshëm të likuiditeteve. Goditjet pritet të jenë të ndjeshme edhe në sistemin bankar ballkanik. Përpara kemi një mori të panjohurash dhe të papriturash. Efekti më i shpejtë do të jetë një periudhë stepje nga bankat greke (ndoshta dhe italiane) në kreditimin e ekonomisë, të paktën nga pafuqishmëria e marrjes së fondeve nga bankat mëmë të tyre në vendin përkatës. Natyrshëm që do të ketë vështirësi në shtimin e kapitalit të këtyre bankave, nëse do të jetë e nevojshme, meqë po rritet së tepërmi niveli i kredive me probleme. Ka mundësi që disa banka të shohin mundësinë e ndihmës me likuiditete të bankave mëmë.
Mbetet krejt i paqartë argumentimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e fundit të normës bazë të interesit, në këto situate kaq të turbullta të ekonomisë botërore, kur inflacioni në eurozonë (partneri ynë më i madh tregtar) u mbyll me 3 për qind. Për më tepër kjo masë kaq e rëndësishme nuk duhej marrë në kushtet kur Këshilli Mbikëqyrës, së bashku me guvernatorin e kanë mandatin e sosur. Gjithçka në funksion të rizgjedhjes, kur banka qendrore duhet të jetë pengesa kryesore në ekonominë e vendit, për veprime në fitim mandatesh.
Qeveria dhe Banka e Shqipërisë shpresojmë që këtë radhë do të dalin shpejt në publik për të na treguar masat mbrojtëse që kanë marrë për të evituar a minimizuar efektet negative.
Publikuar në Shekulli
Comments
Meqenese nuk jam i
<p> Meqenese nuk jam i numrave,por besoj se jam paksa i informuar per krizen ne Europe,mund te them dicka per Greqine.Trojka u lodh ne rolin e "berberit'',qeth e qeth rroga e pensione,ndihma, nepunesa,bonuse,privatizime dhe ne rolin e "kopshtarit" rrit e rrit taksa e tatime ne gjeresi e lartesi dhe se fundi po diskuton per rishikimin e memorandumit me qeverine greke.Pse?Kellqet po u dridhen edhe vendeve te tjera euriopiane qe kane 79 perqind te 'ndihmes' dhe koha po kalon e Greqia jo vetem nuk po ndalon ne stanjacion por shkon poshte e me poshte,edhe sipas projekt buxhetit te vitit "12.Dhe dini se c'po del nga analizat e ndryshme qe bejne grupe specialistesh te mirefilli?Qe Greqia duhet te rindertoj shtet,shtet me te gjithe fuqine e tij,ne te gjithe piramiden e tij.Pasi shteti grek as qe krahasohet me asnje shtet europian ne ceshtjet financiare,ne te hyrat e te dalat,por vetem me veten.Pra,do" shkateruar" shteti i tanishem e te rindertohet ne modelin e Eurolindjes,pas rezimit te murit,...Kjo,me duket se do te rekomandohet brenda ketij muaji...Po ne si e kemi shtetin?...Me mungon transparenca qe te argomentoj edhe une si amator i kesaj fushe.Ndersa z.Cani ka mbi dy vjet qe "kelthet" per falimentim,por...jo cdo "diagnoze" e "mjekut" eshte e sakte afatshkurter,afatgjate varet dhe nga "terapia"...</p>
Add new comment