Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7608_image_1788.jpg?itok=ScfCdlnA)
Ndonëse nga Evropa nuk pati ndonjë përvojë të vyer për të luftuar si duhej krimin e kryer gjatë kohës së regjimeve komuniste, pati nga një vend afrikan, nga Afrika e Jugut, një përvojë shumë të vyer, shumë origjinale, shumë humane dhe shumë të urtë se si mund të veprohej me kriminelët e një regjimi të përmbysur diktatorial të cilën, po të donin, mund ta zbatonin me shumë sukses dhe me shumë përfitim të gjitha vendet e Evropës Lindore.
Në Afrikën e Jugut, një pjesë e madhe e popullsisë ishte shtypur egërsisht nga shteti, vetëm sepse ishte e zezë. Në Shqipëri një pjesë e popullsisë u shtyp edhe më egërsisht nga shteti, vetëm se ishte antikomuniste, ose sepse konsiderohej e tillë. Për koincidencë, në të dyja këto vende sistemet shtypëse dështuan gati në të njëjtën kohë: Afrika e Jugut në vitin 1990 dhe Shqipëria në fund të vitit 1991.
Afrika e Jugut, pas përmbysjes së aparteidit, pati të njëjtin problem që kishin edhe vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, pas përmbysjes së komunizmit: çfarë do të duhej të bëhej me kriminelët e regjimit të mëparshëm, të cilët patën përgjegjësi për krimet që ndodhen?
Në Afrikën e Jugut, për të trajtuar problemin e drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të regjimit të vjetër, të kriminelëve në përgjithësi, u përdor një mënyrë që nuk i shëmbëlleu as asaj të zbatuar nga komuniteti botëror kundër nazizmit, pra “drejtësisë së fituesit,” drejtësisë së gjyqit të Nurembergut, drejtësisë retributive, drejtësisë shpaguese, drejtësisë proporcionale, drejtësisë “një sy për një sy, një dhëmb për një dhëmb”, drejtësisë hakmarrëse, e as modelit që u zbatua në vendet e ish-Evropës Lindore, në trajtimin e diktaturave komuniste dhe njerëzve të tyre, të cilët kishin kryer krime në mbështetje të atyre diktaturave.
Në këto vende, pas rënies së diktaturave, u fol në mënyrë të përgjithshme dhe abstrakte për krime, por nuk u morr kurrë ndonjë masë reale ndaj kriminelëve, nuk u shpallën kurrë zyrtarisht ata dhe nuk u njohën plotësisht krimet e tyre. Në këto vende u bë dhe bëhet shumë zhurmë për hapjen e dosjeve të spiunëve, ndonëse spiunët ishin vetëm një hallkë, shpesh herë e mjerë, e një zinxhiri të gjatë kriminelësh që kryesohej nga ideatorët e krimit, që vazhdonte nga miratuesit dhe mbështetësit e krimit dhe, përfundonte nga një seri kriminelësh e sadistësh ordinerë që realizonin materialisht krimin.
Në Afrikën e Jugut, një vit pasi Mandela u bë president, në vitin 1995, për t’u marrë me krimet dhe kriminelët e së shkuarës, për t’i evidentuar dhe për t’i dënuar, qoftë edhe moralisht ata, u krijua dhe filloi nga puna një komision hetimor që u quajt ‘Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit’. Vini re! Emri është zgjedhur me shumë kujdes e me shumë domethënie. Ky Komision, krejtësisht i paanshëm dhe krejtësisht i pavarur nga qeveria, kryesohej prej njërit prej personave më me integritet të Afrikës së Jugut, prej Kryepeshkopit të vendit, Desmond Tutu, laureat i Çmimit Nobel për Paqe. Komisioni kishte për detyrë të nxirrte në dritë të gjitha llojet e krimeve dhe të gjithë kriminelët që i kishin kryer ato.
Puna e këtij Komisioni kryhej në këtë mënyrë: secili që e dinte se i kishte shërbyer regjimit të përmbysur duke kryer krime, do të shkonte vetë të dëshmonte për krimet e kryera para komisionit, në prani të popullit, të televizioneve, të gazetarëve, të viktimave dhe të familjarëve të tyre. Pra, kriminelin nuk e shpallte shteti, por detyrohesh të shpallej vetë. Në shkëmbim të të vërtetave që do të thoshte para Komisionit, krimineli do të siguronte ose jo amnistinë.
Proceset ishin krejtësisht transparente, nuk mund të kishte as mbulesa dhe as sajesa krimesh nga shteti, apo njerëz të rëndësishëm të tij. Në hyrje të sallave ku zhvilloheshin procedurat e dhënies së dëshmive shkruhej: “The truth shall set us free“, (E vërteta do të na çlirojë), apo “The truth leads to reconciliation” (E vërteta çon drejt pajtimit), apo “The truth heals,” (E vërteta shëron).
Në qendër të vëmendjes ishte e vërteta, jo dënimi, jo hakmarrja. Të gjithë, pasi bënin dëshmitë, që duhet të ishin të sinqerta e të plota dhe, duke qenë të tilla, ishin edhe shumë tronditëse, amnistoheshin. Të amnistuarit rifillonin jetën normalisht, ata nuk kishin më asnjë pengesë ligjore për të punuar kudo. Ata që kishin kryer krime dhe nuk paraqiteshin para këtyre komisioneve, në bazë të dosjeve të tyre, apo të padive të viktimave, gjykoheshin dhe dënoheshin nga gjykatat sipas shkallës së fajit. I gjithë procesi zhvillohej midis kriminelëve dhe viktimave të tyre. Shteti nuk kishte asnjë rol.
Qëllimi i kësaj metode, ishte nisja e një jetë të re për të gjithë: për popullin duke falur, por duke mos harruar; për ata që kishin kryer krime, duke i njohur krimet, duke i deklaruar ato dhe duke shprehur pendesë për to. Metoda e përdorur do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar. Në të vërtetë, ajo do të ishte njëfarë sakrifikimi i drejtësisë, për hir të së vërtetës.
Çdo njeri i regjimit të mëparshëm që kishte kryer krime tashti e dinte se ishte falur, se ishte amnistuar, por jo se ishte shlyer, se ishte larë, se ishte pastruar, se nuk kishte kryer asgjë të keqe. Ai nuk mund të fshihej më mbas padijes, gënjeshtrës, heshtjes, apo mbrojtjes së një të fuqishmi në shtet; ai nuk mund të sillej më si arrogant, si kapadai, si fodull; ai nuk mund të vazhdonte të urrente dhe të luftonte viktimat e tij që ishin dëshmitarë të krimeve të tij dhe që, ashtu siç thoshte Ainshtaini: “Sa më mizore të jetë sjellja e dikujt ndaj një personi apo ndaj një populli, aq më e thellë është urrejtja dhe cinizmi i tij ndaj tyre.”
Në vitin 1998, tre vjet pasi filloi punën, “Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit” e përfundoi detyrën dhe botoi raportin e tij në pesë vëllime, të cilin mund ta lexonte kushdo dhe ku dokumentoheshin të gjitha krimet e kryera.
Me këtë mënyrë të trajtimit të krimit, në të cilën duhet të dalë me çdo kusht e vërteta, në të cilën e vërteta duhet njohur sado e hidhur dhe e shëmtuar që të jetë, në të cilën brezat e rinj duhet të njohin se ç’kanë bërë brezat e mëparshëm, në të cilën fëmijët duhet të dinë se ç’kanë bërë prindërit e tyre, në të cilën të dënohet kryesisht krimi dhe jo krimineli, në të cilën mjetet duhet të jenë po aq të mira sa dhe qëllimi, Afrika e Jugut i dha fund një të kaluare mizore, si dhe armiqësive që mund të vazhdonin prej saj edhe për shumë kohë më pas.
Në Shqipëri, krimi politik, krimi shtetëror, mjerisht, mbeti i pazyrtarizuar, ai mbeti i pashpallur, ai mbeti jetim, ai nuk u dokumentua, ai nuk u dënua dhe për këto arsye ky vend do të vuajë edhe më tej nga kriminelë kapadainj e nga pasardhës të tyre, nga politikanë me prejardhje nga krimi, nga krime të mbuluara, nga armiqësi të shkuara, nga armiqësi që mendohen si të mbyllura, por që zhvillohen në një terren të ri.
"Mapo"
Add new comment