IMEI, të vërtetat dhe legjendat

Postuar në 24 Gusht, 2014 09:22
Redjan Shabani

Në këto ditë të nxehta vere na është dashur të bombardohemi me akuza e kundër-akuza midis mazhorancës dhe opozitës. Një nga novelat e shumta që na janë ofruar është dhe çështja e regjistrimit të kodit IMEI të aparateve celularë. Nga njëra anë qeveria, përfaqësuar në këtë rast nga Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Znj. Milena Harito, dhe nga ana tjetër karvani i zëdhënësve të Partisë Demokratike.

Gjithë problemi qëndron në faktin se çdo aparat celular brenda Republikës së Shqipërisë do të duhet që të jetë i regjistruar në një databazë të administruar nga Ministria e Financave. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, pra nuk bëhet regjistrimi i aparatit brenda një periudhe 15 ditore, nuk do të jetë i mundur përdorimi i atij aparati brenda rrjeteve mobile shqiptare. Argumentimi kryesor i dhënë nga ana e qeverisë për këtë nismë është lufta kundër kontrabandimit të celularëve jo autentikë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës, e kanë kundërshtuar me forcë këtë vendim të qeverisë duke aluduar mbi qëllime okulte që mazhoranca ka në drejtim të shkeljes së privatësisë së qytetarëve shqiptarë. Në disa raste madje ka patur edhe supozime fantastike mbi plane të errëta të kontrollit të mendjes, të ngjashme me Projektin MK-Ultra. Duhet theksuar se fantazia e opozitarëve ka qenë më cilësore se mbrojtja që i ka bërë Znj. Harito VKM-së që i është caktuar për ta mbrojtur.

Çfarë është kodi IMEI

Për të kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë, është e nevojshme të kuptojmë se çfarë është kodi IMEI (International). Çdo aparat celular, ashtu si të të gjitha pajisjet elektronike, që prej fabrikimit është i pajisur me një numër serial të patjetërsueshëm, ngjashëm me numrin e shasisë së makinave. Këtë numër mund ta gjeni bë pjesën e pasme të telefonit nën siglën S/N. Në të njëjtin vend mund të gjeni dhe një numër tjetër nën siglën IMEI (International Mobile Station Equipment Identity). Në teori dhe numri IMEI është njëfarë numri serial që është unik dhe i patjetërsueshëm për çdo aparat celular. Ndryshimi midis numri S/N dhe IMEI-t është se i pari mund të zbulohet vetëm duke patur në duar telefonin, ndërkohë që ky i dyti shërben si kod identifikues i aparatit brenda rrjetit celular dhe rrjedhimisht ofruesi i shërbimit të telefonisë është në dijeni të këtij kodi. Për të bërë një analogji midis rrjetit celular dhe lidhjes në rrjetet kompjuterike, IMEI është i ngjashëm me adresën MAC (Media Access Control) të skedës së rrjetit të kompjuterit e cila në teori është unike. Është praktikë e njohur identifikimi i pajisjeve të vjedhura me anë të IMEI-t në rastin e celularëve ose me anë të adresës MAC në rastin e kompjuterëve.

A mund të ndryshohet?

Kur i jemi referuar unicitetit të kodit IMEI apo adresës MAC, kemi thënë se janë teorikisht të pandryshueshëm. Në kundërshtim me krahasimin që bëri ministrja Harito duke barazuar IMEI-n me numrin e shasisë së makinave, me anë të disa programeve specifike dhe me pak aftësi kompjuterike, është e mundur që të bëhet ndryshimi i këtyre numrave sipas dëshirës; mjafton një shëtitje nëpër motorët e kërkimit në Internet për të zbuluar me mijëra teknika që mundësojnë këtë gjë. Duke iu referuar edhe VKM-së lidhur me regjistrimin e IMEI-t, në paragrafin I pika 3, merret si e mirëqenë pamundësia e tjetërsimit dhe uniciteti i këtij kodi. Sa më lart u tha, kjo gjë nuk është gjithnjë e vërtetë; për këtë duhet të ishte parashikuar me normë moslejimi i ndryshimit, si për shembull është bërë në Angli.

A mund të përgjohet përmes IMEI-t?

Një tjetër pikë e ndjeshme e debatit është mundësia e përgjimit të abonentëve duke u nisur nga IMEI i aparatit. Qeveria nga ana e saj e ka mohuar këtë mundësi, jo vetëm duke argumentuar se nuk është në qëllimin e saj një gjë e tillë, por gjithashtu ka argumentuar se është e pamundur të bëhet përgjimi me anë të IMEI-t.

Duke lënë mënjanë mirëbesimin kundrejt funksionarëve dhe institucioneve që kanë akses në bazën e të dhënave, duhet vënë në dukje se të pasurit e IMEI-t është e mjaftueshme që të bëhet interceptimi i thirrjeve. Ekzistojnë aparatura specifike të quajtura IMEI interceptor të cilat janë në gjendje të listojnë të gjithë telefonat mobilë që gjenden brenda një rrezeje të caktuar nga antena e saj, duke listuar kodin IMEI të aparateve dhe gjithashtu kodin IMSI, ky i fundit lidhet me abonentin (kartën telefonike). Duke pasur nga ana tjetër emrin e individit specifik që duhet përgjuar, bëhet i mundur dekodifikimi i bisedave të aparatit përkatës.

A mund të quhet cënim i privatësisë marrja e IMEI-t?

Në paragrafin I pika 7 të VKM-së, listohen të gjitha institucionet që kanë akses në bazën e të dhënave, më konkretisht ato janë: a) Drejtoria e Përgjithshme të Doganave dhe degët doganore; b) Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoritë rajonale tatimore; c) Operatorët e telefonisë celulare në vend;

ç) Ministria e Punëve të Brendshme; d) Policia e Shtetit; dh) Prokuroria; e) Gjykatat.

Nëse më parë do të ishte i nevojshëm një mandat nga prokuroria për t’u kërkuar operatorëve telefonikë përgjimin e një individi të caktuar, tani një funksionar me zell të tepërt i këtyre institucioneve, ka mundësinë të vihet në dijeni të IMEI-t të aparatit të një abonenti dhe të kryejë, me anë të teknikave speciale, (si për shembull teknikat e përgjimit për të cilat u akuzua Ministria e Mbrojtjes disa vite më parë), përgjimin në terren të individit. Është për t’u theksuar se kjo mundësi hipotetike nuk ka fare të bëjë me vullnetin e mirë të Qeverisë por vë në dyshim trajtimin e databazës nga funksionarët e përveçëm. Për të mos folur pastaj për një të ardhme kur Qeveria të zotërohet nga një mazhorancë që privatësinë e qytetarëve nuk e ka fare prioritetin e saj.

A mund të kufizohet kontrabanda e celularëve me anë të IMEI-t?

Subjekt i VKM-së janë të gjithë importuesit e ligjshëm të aparateve, të cilët janë të detyruar të deklarojnë kodet IMEI të aparateve të importuara. Gjithashtu, subjekt i vendimit janë edhe qytetarët që aktualisht kanë në zotërim një aparat apo importojnë privatisht një të tillë. Duke krijuar bazën e të dhënave, qëllimi i Qeverisë është të frenojë importimin në mënyre kontrabande; një celular i futur kontrabandë, duke mos qenë me IMEI të regjistruar, nuk do të mund të ketë akses në rrjetin mobil.

Në këtë logjikë ekziston një fakt që nuk është marrë parasysh. Duke ditur se telefonat modernë të llojit smartphone të japin mundësinë me anë të disa teknikave specifike të ndryshosh IMEI-n; imagjinoni një situatë kur një person është i interesuar të fusë në qarkullim një aparat kontrabandë. Supozojmë që personi në fjalë ka mundësinë ta shesë këtë aparat në vlerën 15.000 Lek. I vetmi problem është kalimi i barrierës së IMEI-t. Atëherë një zgjidhje shumë e thjeshtë do të ishte që kontrabandisti të blinte një aparat celular të përdorur me vlerën 1.000-1.500 Lek, aktualisht i regjistruar në databazën e Min. së Financave, të vendoste IMEI-n e aparatit të përdorur në memorien e aparatit kontrabandë, të shkatërronte aparatin e vjetër, dhe si me “magji”, aparati kontrabandë tani rezulton si një aparat celular i rregullt dhe funksional brenda rrjetit.

"Dita"

Comments

Submitted by reformer (not verified) on

tani kjo puna e kodit u be edhe me lemsh sec ishte

Submitted by Pa maske (not verified) on

Pa dyshim ky eshte  nje nga sulmet me te medhaja qe i behet te drejtave te njeriut.

Fatkeqesi,qe mbulohet nen petkun e kontrabandes!

Kushdo qe e ka keshilluar,eshte mendjekeq.

Nenshtrim me i madh i shqiptareve ndaj "te medhenjve dhe te forteve".

"Argumentet pro",jane aq te dobeta,sa vetem nje idiot nuk i kupton.

Submitted by Saimir (not verified) on

Duam apo nuk duam neve, kjo puna e IMEI-t morri rruge dhe s'ka me kthim mbrapa. Eshte e kote qe te shkruhet dhe te argumentohet kundra. Hajde me gezime!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.