Hysteria vazhdon…

Postuar në 12 Prill, 2013 03:12
Halil Matoshi

Duke qenë ithtar i debatit të lirë e qytetar, pse jo edhe polemikës, unë shpesh jam “viktimë” e paragjykimeve dhe keqkuptimeve nga më të ndryshmet. Prezantimi i fakteve të kundërta për një ide a koncept nuk të ligështon, por të forcon edhe moralisht, edhe në spektrin e dijeve. Vetëm se për debat të lirë duhen disa parakushte. Nuk debatohet dhe nuk polemizohet me kategoritë si “populli”, “kombi”, “feja”, por me autorë individë, ose grupe autorësh; Mund të polemizosh me hoxhën, por jo me xhaminë si objekt kulti, me priftin ose papën, por jo me Kishën katolike ose ortodokse. Me doktrinën fetare, por jo me librat e shenjtë. Me bartës institucionesh, por jo me institucionin...

Së pari të menduarit kolektiv shfaqet vetëm në referendum, dhe madje vetëm për çështje të jetës civile, të polisit, res - publikës, por s’ka debat me konstitucionin shpirtëror të akëcilit. Nuk ka debat me ata që mendojnë kolektivisht, sepse në mendësi dhe bindje të lirë individi i lirë nuk bën “ne” me askënd! Ata që kanë mendim uniform dëshmojnë për veten se nuk janë njerëz të lirë, por të ndrydhur, nga pushteti, ideologjitë, fetë, besëtytnitë, mitet kombëtare etj.
Së dyti duhet përmbushur kushti që heq nga debati argumentin e forcës dhe përdor forcën e argumentit;
Së treti, debati dhe polemika nuk orientohen ad hominem (rreth/për personin) por për temën e shtruar në debat; Së katërti, nuk mund të debatosh me ata/ato që bastisin biografitë e autorit që e kundërshtojnë, sepse kjo ishte punë e policive sekrete në diktaturat e djathta e të majta. E që shqiptarët etnikë i mbajnë mend fort mirë.
Dhe në fund përdorimi i linguistikës në funksion të stigmatizimit politik, moral dhe personal të tjetrit është gjëja më e pështirë, po aq sa gjuha e urrejtjes dhe vrasja. Këto parakushte nuk i përmban shkrimi i Majlinda Bregasit.

Së pari, në shkrimin e saj Bregasi manipulon madje edhe shpik fjali si kjo: “Aq të ndryshëm jemi ne kosovarët nga shqiptarët, thotë Matoshi, sa më i afërt ndihem me një serb sesa me një tosk të jugut.” Kjo fjali nuk është e imja. Se kah dhe qysh i ka shkrep në mendje, unë nuk mund ta di. Unë kam thënë diçka krejt tjetër nga kjo, prandaj ajo do të duhej ta dokumentonte këtë e jo të shpifë. “Mentalitetet janë të ndryshme dhe një shqiptar i Kosovës në mendësi/mentalitet mund të jetë më i afërt me një serb (me të cilin ka jetuar pranë/në fqinjësi) sesa me një shqiptar jugor”. Këtë e kam thënë në kontekst të asaj që thotë George Gawrych: “Në ndryshim nga Gegnia, Toskërisë i mungonte një shoqëri fisnore, një dallim i rëndësishëm ky mes këtyre dy krahinave”. ( “Gjysmëhëna dhe Shqiponja”, fq. 33.)

Por “edukatorja e emocioneve” joracionale Bregasi e nxjerr këtë fjali nga konteksti dhe e retushon sipas nevojave të veta linçuese. Sepse duke pasur parasysh gjenealogjinë e një armiqësie që shkon thellë në histori, siç është ajo shqiptare-serbe, ajo e di që ta përafrosh shqiptarin e Kosovës me një serb, kjo konoton se “i afërti me serbin” është tradhtar, ndërsa ai që i urren serbët është patriot. I pari ekskomunikohet, mbytet me hu, i dyti adhurohet! Thjesht, kjo fjali është thirrje për linç publik: “Hej shqiptarë, mbyteni Matoshin! Shihni çka paska thënë”!?

Së dyti, sa me lehtësi të padurueshme Majlinda ia ngjet dikujt etiketën si “jo shqiptar” ngase nuk “u ndieka” i tillë!?.
Matoshi kurrë dhe askund s’ka thënë se nuk ndihet shqiptar etnik. Sepse ndihet i tillë dhe, mbase është i tillë!?. Dyshoj që Bregasi ta ketë sjellë në Prishtinë me një epruvetë ADN-në time dhe dyshoj që ajo është ndonjë eksperte e gjenetikës! Po të ishte eksperte gjenetike s’do të shkruaja këtë shkrim, sepse atë fushë s’e njoh, po të ishte një qytetare e rëndomtë shqiptare po ashtu do t’ia respektoja mendimin e saj të lirë, sado që i gabuar, porse është i dhimbshëm fakti se Bregasi është profesoreshë, gazetare dhe studiuese letërsie në Universitetin Publik të Prishtinës, pra mësuese e fëmijëve tanë!? Dhe ajo do t’i edukojë emocionet e këtyre fëmijëve!? Qe fjalia e saj: “Por mua nuk më shqetëson fare ideja e kombit kosovar, pasi, tekefundit, është e kotë t'i shtysh njerëzit të ndihen ashtu sikurse nuk janë.” Bregasi po e ditka se një joshqiptar nuk mund ta shtysh të ndihet shqiptar. Kjo është për duartrokitje në odat e mykta e të errëta, nëpër katundet e humbura të Ballkanit, që vuajnë nga nacionalizmi si patologji shoqërore, por jo në debatin e lirë mes qytetarëve, pra në mendjet diktatoriale e të lodhura të shekullit 19 dhe 20.

Bregasi me kast, duke e thirrur në ndihmë ndarjen arkaike tipike për Ballkanin Perëndimor në tradhtarë dhe patriotë, përpiqet ta stigmatizojë personin Matoshi para kosovarëve. Unë po pres me padurim që ajo ta publikojë AND-në time, sepse kështu ma heq një gajle t’madhe dhe natyrisht m’i heq shpenzimet për këtë siklet. Sepse bash me ADN janë kah merren peticionistët që kanë bërë një manifest antiturk në kushte të paqes dhe fqinjësisë së mirë me mësymjen që t’i helmojnë raportet diplomatike të Kosovës me shtetet joarmiqësore. Cilado qofshin ato! Dhe me synim të thërrmimit të një vlere madhore të shqiptarëve, tolerancës ndërfetare, që është rast unik në tërë qytetërimin botëror. Disa nga nënshkruesit këtë e kanë bërë pa dashje, sepse ka ndër ta që tashti po thonë: “E bëra për hir të Kadaresë” (një shkrimtar), “...nuk e lexova fare arsyetimin” (një publicist); “...e bëra vetëm nga inati që kam për Turqinë” (një mërgimtar); etj.

Unë kam marrë ca mësime nga sociologjia dhe termat popull, etni dhe komb/nacionalitet e shtet/shtetësi dhe këto nocione për mua janë të ndryshme. Kombi është “njësi e rritur”, etalon që mat pjekurinë e një bashkësie njerëzore, dhe kalimin e saj nga tribalizmi tek shoqëria politike që e ka në pronësi një shtet kombëtar. Prandaj, Bregasit i sugjeroj t’i lërë mënjanë spekulimet dhe ligjëratat për shprehjen e lirë. Sepse e ka thyer zakonin themeltar të lirisë. Ka cenuar lirinë time, me të cilën kufizohet e saja, sidomos lirinë time të të gjykuarit dhe të menduarit lirshëm. Ajo në reagimin e saj ka bërë thirrje për linç publik ndaj meje, që hyn në domenin e thirrjes në dhunë dhe s’ka të bëjë asgjë me fjalën dhe mendimin e lirë.

Bregasi nuk i ka prezantuar dhe nuk e ka argumentuar me asnjë fjali atë që unë kam shkruar, ajo nuk merret me faktet po me autorin dhe me botëkuptimet e tij, jashtë kontekstit të shkrimit të fundit. Ajo fare pak është e ndërlidhur me temën e shkrimit tim, porse është marrë me konceptet e mia identitare dhe me mua si person. Porse Bregasi paragjykon dhe e tradhton veten në këtë mësymje, duke menduar se po godet në pikat e dobëta të kundërshtarit, ajo vetëm sa më bën që në këtë debat të ndihem si në shtëpinë time dhe krejtësisht i qetë. Dhe lexoni se deri ku arrin mësymja nebuloze e Bregasit: “Më shqetëson, që pa dashje apo me, Halili çon ujë në mullirin e talibansave shqiptarë, të cilët nuk kërcënojnë vetëm me fjalë dhe këtë Halili e di mirë.” Bregasi duhet ta dijë se në mendimin populist perëndimor “talebanët” rëndom ndërlidhen  me “terrorizmin global”, prandaj Matoshi “pa dashje ose me...” u shndërrua në një terrorist potencial!?. Ky lloj paragjykimi është i mjerë.

 

Të mbrosh të drejtat e njeriut dhe të drejtën e besimit përballë fuqisë së pushtetit, të mbrosh idetë liberal-demokratike, pra liritë civile të tjetrit (individit, grupit etnik, fesë tjetër apo kombit tjetër) kjo po paraqitka “talebanizëm”!? Dhe unë, po quakam ujë në mullirin e tyre!??? Këtu ashiqare Bregasi jep një dëshmi se i janë ndryshkur dhëmbëzoret e makinës logjike dhe s’i funksionon dot. Nuk dua ta rrëfej asnjë histori përballë këtyre “talebanëve” shqiptarë, të qenë apo të imagjinuar. Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm di për mënyrën e diferencuar të shkrimeve të mia. Ai që s’i di, lë të rrëmojë nëpër arkiva. Kjo nuk është për t’u komentuar, por thjesht për një “ignore”!

Qe faktet që unë i kam renditur në shkrimin tim “Hysteria…” dhe që dëshmojnë manipulimin e madh me këtë peticion:
1. “Invadimi osman i shekullit 14 ia paskësh ndërprerë rrugën properëndimore kombit shqiptar duke shkaktuar gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar.” Edhe ky është arsyetim i peticionit! Sipas Bregasit&Co kombi shqiptar ishte i maturuar në shekullin 14, por në kursin e tij properëndimor e paskësh penguar invadimi osman. E historia si dije e njeh një komb shqiptar tek gjashtë shekuj më vonë!? “Aty kah fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë feja kishte nisur t’i hapte rrugë konceptit  gjerman mbi kombet në Evropën Lindore, bazuar mbi themelet linguistike.” (Nicola Guy: “Lindja e Shqipërisë”, fq 17.)
Për ata që kanë njohuri modeste për teoritë identitare dhe nocionet që i shpjegojnë bashkësitë njerëzore, pra faktin së kur janë ngjizur kombet si bashkësi politike,  shkrimi i profesoreshës nuk thotë tjetër pos përdorim termash e fjalësh pa lidhje, pra jo në burimin e tyre etimologjik. Në shkrimin e fundit e kam përmendur se kam shkruar më përpara mbi mësymjet kryekëput diplomatike dhe ekonomike (pra ende të ligjshme) të shtetit turk në rajon.

“Në pamjet televizive nga Prizreni ai u fokusua duke qarë kur disa të rinj prizrenas që identifikohen si turq kënduan ilahi. Dinçer në Prishtinë pati edhe një kërkesë në adresë të homologut të tij kosovar: të ndryshohen tekstet e historisë shqiptare, posaçërisht kapitujt ku përdoren fjalë fyese për Turqinë. Ramë Buja nuk është se nuk e ka pranuar sugjerimin e “vëllait”, por as ai nuk e di nëse ka apo jo cilësime fyese për Turqinë në librat shkollorë të Kosovës. Por prapa shpine të publikut, dy komisione ndërqeveritare për ta ndrequr historinë!” Këtë e kam thënë unë. Për hir të së vërtetës në këtë fjali e kam bërë një shkarje, të paqëllimtë, në mungesë të informacioneve, pra duke qenë se ministri kosovar i Arsimit ka heshtur. Nuk bëhet fjalë për “dy komisione ndërqeveritare për ta ndrequr historinë!”, siç kam paralajmëruar atëherë, por për një komision kosovar për të reviduar historiografinë, fjalët dhe tekstet që janë të ngjyrosura me gjuhë të urrejtjes dhe me fyerje ndaj turqve. E falënderoj Bregasin që ma rikujtoi këtë gabim, sepse më dha mundësi që ta “ndreq” para lexuesve këtë pasaktësi! Por edhe kjo fjali është e nxjerrë nga konteksti, e kjo dëshmon se Majlinda është e prirë të manipulojë publikun...

 

Noel Malcolm, që e ka shkruar historinë më të besueshme të Kosovës, ka një pozicion më racional për trajtimin e Perandorisë osmane në historiografinë kosovare. Sipas tij, rrëfimet për “barbarët aziatikë” etj. “të gjitha këto pohime apo mëtime janë, në rastin më të mirë, çoroditëse, kurse përndryshe krejtësisht false”. Në anën tjetër edhe Peter Bartl, profesor në Universitetin e Münchenit dhe autor i librit “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912) shkruan: „Për shembull sundimi turk paraqitej gjatë sundimit komunist, ashtu si edhe më përpara, si koha më e errët e Shqipërisë, gjë që nuk është krejt e drejtë dhe po punohet për ta korrigjuar. (…) Një pushtim që zgjat 450 vjet, nuk është më pushtim”.

Krejt në fund, siç isha kundër që Erdogan dhe shteti turk ta promovonte Sulltanin në vlerë universale mu në Fushën e Kosovës, jam edhe kundër ndërhyrjeve politike të kujtdo qoftë në historiografi, pra edhe kundër ndërhyrjes së Turqisë së sotme. Në shkrimin “Hysteria...” e kam thënë dhe e përsëris edhe një herë vetëm një fjali, që i shmanget Bregasi. “Ndërhyrjet politike të shtetit turk tek institucionet shqiptare dhe ato kosovare për të ndryshuar disa përmbajtje brenda disa teksteve të historisë, janë thjesht për t’u hedhur poshtë, si jokorrekte.” Por ky fakt nuk më pengon që të jem kundër arsyetimeve të dhëna në një peticion, politikisht jokorrekt që manipulon me gjysmë fakte (nuk jam kundër peticionit si shprehje e lirë); Pra kundër arsyetimeve kryesisht të falsifikuara.

 

Nga secili debat qytetar njeriu nxjerr ndonjë mësim. Njohësi i themeltë i gjuhës, letrave dhe mentalitetit shqip, gjermani Hans –Joachim Lanksch, thotë: “Mbasi nuk merr fund debati rreth ‘Peticionit’ i lutem Krijuesit të kësaj bote: Zot i mirë, të lutem t' i bindësh njerëzit që të mos flasin më për ‘ndërrimin e historisë'! HISTORIA NUK MUND TË NDËRROHET, MUND TË NDËRROHET VETËM HISTORIOGRAFIA! Historinë e përbajnë fakte dhe ndodhi të kalueme. As dy kryeministrat shqiptarë dhe as ndonji demagog tjetër shqiptar a joshqiptar s'mund t'i bajë të pandodhuna ndodhitë dhe faktet e kalueme. Mund të ndërrohet vetëm paraqitja e tyne dmth. historiografia.” Dhe ky është mësimi.
E përsëris:  Ndërhyrjet politike të shtetit turk tek institucionet kosovare për të ndryshuar disa fjalë ose përmbajtje brenda disa teksteve të historiografisë janë thjesht për t’u hedhur poshtë si politikisht jokorrekte. Megjithëse diplomacia turke nuk ka kërkuar ndryshimin e historisë së shqiptarëve, siç po interpretohet nga disa gjysmanalfabetë të fushës, por turqit kanë kërkuar që të ndërrohen vetëm ato fjalë dhe përmbajtje që mbrujnë më vete gjuhën e urrejtjes kundër tyre dhe janë interpretime ideologjike të fakteve historike.

Me “gjysmanalfabetë të fushës”, natyrisht se e kam fjalën për disa nga shkruesit e teksteve të këqija historiografike, dhe për disa po ashtu historianë që interpretojnë faktet historike sipas modeleve ideologjike, e jo peticionistët dhe debatuesit. Sepse nuk kam menduar tek fusha e futbollit, por në kontekst tek fusha e historiografisë. Historiografia kosovare (dhe ajo shqiptare në përgjithësi) vuan kronikisht nga rrëfimet letrare dhe albanologjike për faktet historike, nga zmadhimi dhe mitologjizimi i ngjarjeve dhe figurave reale historike në një anë, dhe nga retushi, si dhe nxjerrja nga historia të kundërshtarëve politikë të akëcilit regjim, nga ana tjetër. Vuan po ashtu nga ngjyrime të pajustifikueshme me nuanca fetare (të të tri besimeve tek shqiptarët), si dhe nga gjuha e përdalë fyese dhe e urrejtjes ndaj tjetrit. Prandaj kjo mënyrë e shkrimit të historisë që i themi historiografi duhet mënjanuar jo për hir të askujt nga jashtë, po për hir të dijes dhe vetëdijes kosovare, për hir të objektivitetit të mundshëm shkencor dhe të brezave që vijnë pas...

Për të futur sa më shumë tablo biologjistike në këtë rrëfim, në tekstin e peticionit citohet (po pa emër) teza gjysmëletrare, gjysmëfantashkencore e Kadaresë: “Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori, sipas skenarëve të paracaktuar politikë, cenon ADN-në e kombit shqiptar.” Ndërkaq që nga bota tjetër thirret në ndihmë edhe fantazma e Churchillit: “E vërteta është e padiskutueshme”, paskësh thënë politikani i ndjerë. Po cila është instanca që e thotë të vërtetën e padiskutueshme? Njeriu historian apo Zoti parathënës i fatumit? Të gjitha vlerat janë të diskutueshme. Vetëm vdekja është e padiskutueshme. Prandaj refuzimi im ndaj këtij peticioni ishte një refuzim estetik. “Fundja, të refuzosh do të thotë të mos pranosh atë që imponohet, dhe kjo varet nga një pozitë personale apo nga një pozitë e përgjithshme (…) Ose lirohemi nga shtypja përmes refuzimit, ose thyejmë qafën dhe bëhemi skllevër. Në këtë plan njeriut i ofrohen dy zgjidhje: Po dhe Jo; por mënyrat e realizimit të tyre ndryshojnë”. Kështu foli Ibrahim Rugova. Koha Ditore

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Se pari du te tham se shkruen gjate ai qe nuk din te shkruej shkurt dhe nuk din te shkruej shkurt ai qe nuk i ka idete e qarta.</p><p>Se dyti nuk mund te vehet asji kufizim ne debat siç thote autori: &quot;Nuk debatohet dhe nuk polemizohet me kategoritë si &ldquo;populli&rdquo;, &ldquo;kombi&rdquo;, &ldquo;feja&rdquo;, por me autorë individë, ose grupe autorësh; Mund të polemizosh me hoxhën, por jo me xhaminë si objekt kulti, me priftin ose papën, por jo me Kishën katolike ose ortodokse. Me doktrinën fetare, por jo me librat e shenjtë. Me bartës institucionesh, por jo me institucionin...&quot;.</p><p>Gjithçka mund te debatohet, pa perjashtim. Ne rast te kundert na do te merrishm si pike tabù nji ide apo nji kategori.</p><p>Se treti &quot;Historine ku tregohet per pushtimin turk&quot; nuk e kan shkrue komunistat mbas vitit 1944, por kjo histori asht shkrue nga shkodrani Marin Barleti i cili ka marre pjese personalisht ne mbrojtjen e kalase e Shkodres. Kjo histori asht shkrue edhe nga shume e shume bashk kohes te Gjergj Kastriotit dhe ma vone.</p><p>Autori po bjen ne pozitat e antishqiptarve turkofil, per shkakun e te cilve Europa me te drejte coptoi trojet shqiptare per te mos lejue formimin ne Ballkan te nji Turqie te Vogel.</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by O Tirona (not verified) on

Ndersa ti Pal do kish qene me mire mos dije shkrim (se kendim u mor vesh qe s'di).

Submitted by I.Troplini (not verified) on

<p>Halil Matoshi &quot;keqkuptohet&quot; gjithmone nga lexuesi. Keta te fundit nuk mendojne te njejten gje si ai,,,por ndihen thjesht &quot;te marre peng&quot; nga redaktoret e gazetave te ndryshme qe i lejojne njerezve te tille te botojne cdo perversitet dhe mediokritet. &quot;Keqkuptimet&quot; qe i ndodhin &quot;autorit&quot; nuk do jene as te parat dhe as te fundit dhe do te perfundojne ate dite kur emri i tij te zhduket nga shtypi shqiptar. Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu dhe disa te tjere jane perfaqesuesit e perrallave turke ne Kosove. &nbsp;Shtypi shqiptar duhet tu jape mundesine e shprehjes personaliteteve shqiptare dhe jo cdo shqipfolesi qe tund here flamurin turk, here ate serb. Kosova ka shqiptare intelektuale qe ia vlen ti degjosh dhe te mesosh prej tyre. Halil Matoshi nuk ka gje per te thene. Ai vetem &quot;keqkuptohet&quot;.!!!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.