Homo animal rationale est; bota pa ide e të mësuarit përmendësh

Postuar në 18 Prill, 2013 11:39
Walter Happel

Qenia “njeri” përshkruhet në histori shumë shpesh nën parashenja të ndryshme: kështu, bie fjala, Aristoteli, i cili jetoi në shekullin e katërt para Krishtit në Greqi dhe ishte njëri nga filozofët më të rëndësishëm antikë, flet për njeriun si për një “zoon politikon”, pra për një qenie shoqërore.

Biologu i trajton trupin, skeletin, organet, të brendshmet dhe muskujt, në aspekte të ndryshme të funksioneve dhe bashkëveprimit të tyre.

Në antropologji, pra në shkencën e cila merret me njeriun dhe zhvillimin e tij, njeriu (homo sapiens) çmohet si qenia mbi tokë që ka arritur zhvillimin më të lartë mendor nga të gjitha qeniet. Njeriu këtë gjë ia detyron faktit që truri i tij është i zhvilluar më së shumti nga të gjitha qeniet e tjera dhe ai mund të mendojë në mënyrë objektive. Njeriu është, pra, një qenie racionale.

Sipas kësaj, ajo çka e dallon njeriun nga qeniet e tjera dhe që njëkohësisht e shquan atë, është arsyeja e tij. Kjo, ndërkaq, do të thotë që gjithçka që ai për vete konsideron se është njerëzore, duhet patjetër të përgjigjet para arsyes. Për këtë përgjegjësi dhe për mënyrat e veprimit që rezultojnë nga kjo flet edhe Immanuel Kant-i (1724-1804) në imperativin e tij kategorik, por edhe në një mendim si ky: “Merr guximin të shërbehesh me arsyen tënde.”

Një fenomen i dytë, që krahas arsyes e dallon njeriun nga të gjitha qeniet e tjera të kësaj bote: Ai mund të flasë.

Aftësia për të menduar dhe për të folur janë pra burimisht aftësi njerëzore. A janë ato me njëra-tjetrën të nyjëtuara dhe, në qoftëse po, si? Ndoshta këto aftësi janë madje identike, si në një ekuacion matematikor? A mund të ekzistojnë këto aftësi ekskluzivisht njerëzore të pavarura nga njëra-tjetra?

Wilhelm von Humoldt-i (1767-1835) dhe më vonë edhe Ludwig Wittgenstein-i (1989-1951), hulumtues të njohur, shtruan tezën se pa gjuhë nuk mund të ketë mendim. Ta shikojmë në mënyrë më ekzakte këtë tezë dhe thjesht të shtrojmë pyetje në lidhje me:

Nëse është e vërtetë ajo çka na mësojnë antropologët, atëherë gjuhët ekzistojnë që prej 200 000 vjetësh. Por ne dëgjojmë, gjithashtu, dhe gjetjet arkeologjike vërtetojnë që njerëzit primitivë kanë përdorur vegla shumë më herët. Në lidhje me këtë duket se nuk ka kurrfarë dyshimesh që këta njerëz e kanë përdorur arsyen e tyre, edhepse ata ende nuk ishin në posedim të gjuhës. Si është e mundshme kjo, nëse teza e sipërpërmendur është e drejtë?

Në librin e tij “Instinkti i gjuhës”Steven Pinker e përshkruan një fenomen interesant, pra që të gjithëve ne herë pas here na ndodh të duam të shprehim një mendim -pra diçka të menduar- dhe që për këtë gjë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës na mungojnë fjalët dhe nuk dimë si duhet t’i shprehim mendimet tona. Kjo na e kujton një fjali nga “Shtamba e thyer” e Heinrich v. Kleist-it, ku thuhet: “Fakti që një mendim shprehet në mënyrë të ngatërruar nuk do të thotë se ai është menduar gjithashtu ngatërrueshëm.”

Si duket, është ashtu që mendimi mund të zhvillohet edhe pa gjuhën, çështja është ndërkaq se çka mendohet në këtë rast. Si duket është edhe ashtu që pikërisht proceset abstrakte janë të lidhura me gjuhën, në qoftë se ne, bie fjala, kujtojmë formulat matematikore, të cilat nuk zbulohen lehtësisht per se dhe nga bota rreth nesh. Të pajtohemi thjesht për faktin se mes mendimit dhe gjuhës ka lidhje. Rolf Oerter, profesor i emerituar nga München-i, e trajton këtë kompleks çështjesh në veprat e tij.

Secila gjuhë, pra, është thellësisht njerëzore, ajo nuk i dallon vetëm njerëzit nga njëri-tjetri, por ajo ua bën atyre të mundshme të komunikojnë më mirë, të argumentojnë dhe truri ynë, mendja jonë na e bën të mundshme që gjërat t’i deponojmë në kujtesë. Ky është një parakusht tepër i rëndësishëm për shkollën dhe mësimin. Shkolla i kthehet shumë shpesh asaj që është provuar dhe asaj që është mësuar, pra asaj që është deponuar në kujtesë për të ndërtuar më tej mbi të, për të mundësuar zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive të reja.

Tashmë shumë herë kam tërhequr vëmendjen për atë që kujtesa jonë, edhe përkundër kapaciteteve enorme të deponimit, është e kufizuar dhe jo gjithçka që është ndihmëtare dhe që është e përdorshme për t’i kapërcyer vështirësitë e jetës mund të deponohet atje. Këtu na vjen në ndihmë shpikja e shkrimit. Ai na mundëson ta shkarkojmë kujtesën tonë, nëse ne e kemi shkruar atë që kemi provuar dhe mësuar dhe diku tjetër, bie fjala në bibliotekë, e ruajmë dhe kështu e marrin pasardhësit tanë apo, siç është bërë sot shpesh zakon, deponohet përmes rrugës elektronike në kompjuter në skeda.

Shpikja e shkronjave të lëvizshme dhe e artit të shtypit diku në mesin e shek. XV ishte një tjetër hap revolucionar. Përmes këtyre shpikjeve u revolucionarizuan mësimdhënia dhe mësimnxënia, së paku në ato rajone të botës ku ato ishin në përdorim në jetën e përditshme të njerëzve. Në vend të mësimit përmendësh, tani u bë e rëndësishme të dihet se ku mund të shfletohet për të mësuar diçka dhe ku mund të zbulohet diçka. Kapacitete të jashtëzakonshme u liruan kështu, ndodhi një eksplodim arsimimi. Ai vazhdon deri në ditët tona. Pa këtë arsimim nuk do të kishin qenë të mundshme shfaqje të tilla si reformacioni dhe iluminizmi në Europë dhe, duke u nisur nga atje, edhe në vende dhe kontinente të tjera. Një rrjedhojë, shumë më e vonë në shkollat e vendeve perëndimore, ishte në vitet ’70 të shekullit të kaluar metoda e “mësimit zbulues”.

Nocioni i globalizimit, të cilin e ndeshim gjithnjë e më shpesh në të gjitha fushat, e shpreh sot këtë revolucionarizim që vazhdon. Në fakt bota jonë po bëhet gjithnjë e më vështirë e kuptueshme, gjithnjë e më komplekse dhe njëkohësisht gjithnjë e më e rrjetëzuar. Kush është ai që do t’ia dilte mbanë në këtë sistem të informacioneve që ndryshon në mënyrë të vrullshme?

Në cilin drejtim, pra, duhet të marshojë shkolla sot, nëse ajo do që t’i kualifikojë nxënëset dhe nxënësit e saj që ata t’u dalin zot detyrave të së ardhmes? Ajo duhet të mundësojë një edukim tërësor, ajo duhet t’i shërbejë zhvillimit mendor-intelektual si dhe emocional të të rinjve. Vetëm kështu ai mund të aftësohet, brenda lirisë së tij personale dhe me përgjegjësi personale, të bëjë dallime të qarta dhe kritike për të marrë pastaj vendime që janë njerëzore, sepse ato mund të arsyetohen dhe të kalojnë provimin para arsyes, pra pikërisht në sensin e Kant-it: Pastaj njeriu duhet të veprojë ashtu që maksima e veprimit të tij në çdo kohë të mund të bëhet edhe ligj i përgjithshëm.

A mund të ketë kjo sukses? Nuk ndryshon, pra, vetëm sistemi i informacionit në mënyrë të vrullshme. Edhe strukturat e marrjes së vendimeve që janë të lidhura me të i nënshtrohen një ndryshimi të vazhdueshëm, shumë shpesh gati edhe me orë. Si duhet ta bëjë këtë një shkollë, një gjimnaz që duhet të përgatisë nxënëset dhe nxënësit e tij për marrjen përsipër të detyrave udhëheqëse? Baza e marrjes së një vendimi bëhet, falë informacioneve që vazhdimisht ndryshojnë, megjithatë gjithnjë e më copëzuar dhe kështu domosdoshmërish jo e plotë. A lejon kjo në përgjithësi të vendoset në mënyrë adekuate dhe me përgjegjësi të plotë? Vetëm kjo do të mund të arsyetohej para arsyes.

Marrja e vendimeve me përgjegjësi të plotë kërkon së pari dije. Ndryshe, marrja e vendimit do të ishte e papërgjegjshme. Dija e domosdoshme duhet, ndërkaq, të sillet nga dikund. Informacionet e copëzuara dhe, për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm, jo të plota që u përmendën më sipër, nuk mund të japin në masën e duhur dijen e nevojshme, kështu as kompetencën për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe në përputhje me situatat.

Tani njeriu mund të tundohet që të orientohet sipas ligjit. Por sipas cilit? A nuk duhet patjetër edhe vetë ligji të arsyetohet para arsyes? Ligji është bërë, është konvencion dhe mund të bëhet edhe krejt ndryshe. Ligji, pra, ka nevojë vetë, për të mundur të legjitimohet para arsyes, për një argumentim të mjaftueshëm. Ai, pra, ka nevojë për një orientim në vlera, të cilat vetë janë të argumentuara, jo nga ligji, i cili tek më vonë duhet të argumentohet.

Përpjekja për t’u orientuar në një besim fetar do të ishte një mundësi tjetër dhe me siguri jo më e keqe, ndoshta madje një mundësi e mjaftueshme. Por besimi është diçka për çka askush nuk mund të detyrohet dhe as të obligohet. Bëhet fjalë për një vendim tepër personal në ndërgjegjen e individit. Për të gjetur, pra, një pikëpamje të orientuar në vlera dhe të argumentuar, e cila bazohet në siguri të mjaftueshme, për të vendosur pastaj në mënyrë adekuate dhe me përgjegjësi të plotë, përsëri edhe kjo gjë nuk mjafton.

Ligji dhe besimi fetar nuk mund të jenë të mjaftueshëm, pra, si arsyetim i vendimeve para arsyes. Më në fund duhet rrjedhimisht vetë vendimmarrësi të jetë ai që para arsyes të arsyetojë pikëpamjen e tij. Për ta aftësuar atë për këtë gjë, është i nevojshëm arsimimi, por “arsimim” i kuptuar si përcjellje e përbrendësuar e përvojës së përbashkët të njerëzimit. Kjo do të thotë se rrënjët e kulturës duhet të jenë të njohura dhe të përcillen. Trualli ku është rritur kultura duhet prandaj të jetë i njohur mirë dhe i besueshëm.

Kjo ka konsekuenca shumë konkrete për përmbajtjet e mësimit që ofron një shkollë dhe mënyrën e transmetimit të dijes. Kështu duhet të arrihet te mësimi i pavarur para se të bëhen ushtrimet krejtësisht të domosdoshme dhe të kuptuarit e asaj që është mësuar. Nxënësi duhet të aftësohet të sigurojë vetë informacionin, ta organizojë dhe ta kontrollojë atë. Vetëm atëherë kur ai t’ia dalë mbanë kësaj me njëfarë lehtësie dhe të njihet mirë me të, mund të ushtrohet marrja e vendimeve të përgjegjshme dhe të veprohet me vetëdijen e përgjegjësisë. Materia e mësimit duhet të planifikohet ashtu që ajo ta nxisë nxënësin për transferin e arritjeve brenda një fushe dhe mes fushave të ndryshme të dijes dhe kështu ai të mund të vijë deri te përvoja inkurajuese se njeriu mund të vijë deri te marrja e vendimeve adekuate dhe të përgjegjshme edhe atëherë kur siguria e mjaftueshme e informacioneve ende nuk është e plotë dhe e tillë, e paplotë, edhe do të mbetet.

Shkolla duhet t’i mundësojë bazat e marrjes së vendimeve dhe të kryerjes së veprimeve, të cilat baza pastaj e aftësojnë nxënësin të dijë të sillet me përgjegjësi me lirinë e tij. Liria duhet të ushtrohet! Por liria mund të ushtrohet vetëm nëse ajo së pari është e garantuar.

Nga bota pa ide e shkollës së mësimit përmendësh lypset të arratisemi e të largohemi. Por lypset më shumë se kaq, gjë që në ditët e sotme është aq e zakonshme, sepse kështu ka qenë më në fund gjithmonë. Guximi për fillim të ri të përgjegjshëm është i domosdoshëm, nëse duam të formësojmë të ardhmen, ta bëjmë të mundshme jetën dhe të mos e pengojmë atë. Ndërgjegjësimi për atë që është thelbësore është i domosdoshëm. “Multum non multa”, pra, “shumë, jo shumëçka”, duhet të jetë zgjidhja! Fleksibilitet më i madh, prandaj, kërkohet si dhe gatishmëri për t’u marrë vesh për dijet fundamentale përtej egoizmave profesional. Lëndët-bërthamë duhet të forcohen pa e zvogëluar me këtë rast dijen speciale aq shumë sa të pengohet aftësia e përgjithshme për studim.

Një bazë jo e plotë në njohjen e informacionit në një botë që ndryshon në mënyrë rapide nuk të shfajëson, nëse ngurron të marrësh përsipër përgjegjësi. Ne duhet ta formësojmë të ardhmen, nëse vërtet duam ta fitojmë atë. Si shtëpia prindërore ashtu edhe shkolla duhet këtu të jenë në lartësinë e funksionit të shembullit të mirë. Ato nuk guxojnë t’i lënë vetëm nxënësit në formësimin e të ardhmes.

*Autori është drejtor i gjimnazit Loyola në Prizren. Përktheu: Xh. Ukshini.

 Marrë nga Mapo

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Aristoteli e ka quajtur njeriun Koinoniko Zoo d.m.th nje kafshe shoqerore dje jo politiko zoo</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.