Gjiganti gjerman
Tronditja me të cilën serbët ende vazhdojnë t'i shërojnë plagët pas vizitës së kancelares Merkel Beogradit, vazhdon të jetë ende e madhe. Kërkesa publike e saj për shuarjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës, për Serbinë pati aq pasoja saqë politikanë që deri dje pak a shumë në heshtje kanë aprovuar politikën e Tadiqit, tashmë haptazi kërkojnë të ketë një ndërrim radikal të kursit. Atë që politikanë si Jovanoviqi, Drashkoviqi apo edhe vetë Miçunoviqi e thonë publikisht - privatisht e pranon edhe Tadiqi.
Serbisë i ka mbërritur mesazhi gjerman: të hiqen duart nga Kosova nëse duan të marrin kanditaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk ka dyshim që të mbërthyer mes emocioneve dhe nevojave të brendshme për propagandë politike, qeveritarët por edhe opozitarët serbë e kanë më se të qartë fuqinë e gjigantit gjerman. Sepse si rrallë herë në historinë e saj më të re, Gjermania sot është një shtet i cili jo vetëm që mund të vendosë nëse Greqia do të shkojë drejt bankrotimit, por në të njëjtën kohë mund t'ua tregojë vendin edhe shteteve si Italisë apo Spanjës, Francës apo Britanisë.
Ishin politikat ekonomike e financiare të kancelares gjermane me spin-doktorin e saj të Financave, Wolfgang Schäuble, ato që Gjermaninë jo vetëm e ruajtën nga kriza e madhe e bankave amerikane e evropiane, por me masat për qarkullimin e brendshëm (gjerman) të parave në infrastrukturë, vendit i dhanë një shtytje para.
Në situatën e rëndë në të cilën tash sa muaj moneta e përbashkët e BE-së, euro, gjendet, gjermanët jo vetëm që e kanë fjalën kryesore por shpëtimi ose jo i Greqisë dhe simotrave të saj të rrëgjuara nga kriza, varet (pothuajse) ekskluzivisht nga interesat gjermane. Në këtë mes nuk duhet lënë anash as debati i brendshëm gjerman për rolin e kancelares dhe qeverisë së saj për Evropën.
Kritikat e ashpra të ish-kancelarit Kohl për "ngurrim" në politikën europiane por edhe të figurave tjera të politikës gjermane i kanë bërë fare pak kancelares Merkel (Kohl sheh këtu rast për forcim edhe më të madh të Berlinit). Fakti që Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë javën e kaluar hodhi poshtë kërkesën për të mos ndihmuar Greqinë, por duke i dhënë më shumë kompetenca Bundestagut vetëm sa e ka forcuar Merkelin. Edhe ashtu, tashmë dihet që është në natyrën e politikës së Merkelit, e cila nga "Forbes" sivjet me të drejtë u zgjodh si gruaja më e pushtetshme në botë, që të mos ngutet. Ose thënë edhe më shkoqur: të godasë në çastin e duhur.
Mënyra si erdhi në pushtet duke rrëzuar një përmendore politike siç ishte Helmut Kohl me vetëm një letër në FAZ, ku i kërkonte tërheqjen pas aferës së valixheve me para. Rruga me të cilën mori për të udhëhequr CDU-në. Dhe, mjeshtëria me të cilën largoi të gjithë polit-stars, ose "ujqërit e uritur" për karrigen e saj (Koch, Mueller, Wolf dhe fare në fund edhe Gutenberg) tregojnë për taktin e saj të pushtetit. Merkel është racionale dhe gjakftohtë. Sepse kap çastin e duhur për fjalët dhe vendimet që merr.
Ajo nuk e tepron me deklarata e veprime, por atë që e thotë edhe qëndron. Në këtë kontekst duhet parë edhe kërkesa e saj Beogradit që të heqë dorë nga ushqimi i strukturave paralele në Veri.
Natyrisht që kjo temë, veriu dhe përgjithësisht Ballkani, nuk duhet parë si një prej (super)prioriteteve të kancelares dhe qeverisë që ajo drejton. Për këtë tregon edhe fakti që ajo vizitoi Beogradin e Zagrebin, por jo edhe Prishtinën (apo edhe Tiranën).
Për Qeverinë në Berlin dhe elitat politike gjermane, Tirana vazhdon të jetë një strofull korrupsioni, e kapur në duart e Familjes, kurse Prishtina dirigjohet nga njerëz të cilët nuk i kanë lënë vetes ndonjë vend për simpati (apo kemi nevojë këtu t'i themi?). Për këtë shkak edhe shohim dorën e zgjatur të kancelares në kontaktet me Prishtinën. Njëherë ishte Kosor në Prishtinë dhe fundjavën që kemi prapa, Thaçi në Lubjanë. Ta themi se cilat ishin mesazhet që kryeministri i Kosovës i mori në këto takime, ndoshta nuk kemi edhe aq nevojë, sepse dihen. Por, për Thaçin, i pasinqertë siç di të jetë vetëm ai, muaji i mjaltit tashmë ka përfunduar. Janë të kota krejt debatet për xhamitë apo inskenimet (mediale e virtuale) për 16 shtatorin...
Sepse, si për Tadiqin ashtu edhe Thaçin, ditëve që do vijnë u duhet edhe më ta ushtrojnë "sportin" e tyre të improvizimit. Brenda tetorit dhe deri në fund të këtij viti do të kemi situatën që tashmë të dy e dinë dhe do të ishte mirë ta themi këtu: Serbia do të marrë statusin e kandidatit për BE, por për këtë jo edhe datën e fillimit të negociatave me Brukselin. Prishtina do të marrë "udhëzuesin" për liberalizim të vizave, por për këtë do t'i duhen së paku 2 vjet derisa të plotësojë kushtet... Mes këtyre pritjeve natyrisht që janë problemet aq të mëdha të brendshme. Pa përmendur këtu zgjedhjet që presin si Beogradin ashtu edhe Prishtinën.
Marrë nga Zëri |
Add new comment