Futbolli dhe mania për t’i ritreguar gjërat
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9094_gilman-bakalli_3.jpg?itok=TDlrNWWZ)
Pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit nuk ka përfunduar asgjë. Sigurisht, ka përfunduar një loje 90 minutëshe futbolli, por me të, me vërshëllimën finale pra, sapo ka nisur një lojë tjetër, e pafundme, që nuk mund ta ndalë asnjë vërshëllimë arbitri: loja narrative e komentatorëve të futbollit, të cilët, të gjithë njëherësh, paralelisht nëpër dhjetëra kanale televizive, na thithin të gjithëve në vorbullën e tyre duke na treguar me fjalë të tjera atë që kemi parë të gjithë. Por as në mesnatë, kur komentatorët largohen nga ekranet televizive, nuk mbaruar asgjë. Loja e madhe e narrativës futbollistike do pushtojë me t’u gdhirë dita tavolinat e kafeneve anembanë vendit. Sepse ky është njeriu! I cili, jo vetëm kërkon ta dijë se si i shkon fundi diçkaje, por edhe ta dëgjojë e ta përjetojë edhe njëherë nga fillimi se si erdhi puna që gjërat përfunduan ashtu siç përfunduan.
Po të mos ekzistonte kjo uria njerëzore për t’i ritreguar e përjetuar gjërat edhe një herë nga fillimi, nuk do ekzistonin as komentatorët sportivë e as zhanri i emisioneve sportive që pasojnë përfundimin e ndeshjeve. Në atë epokën e largët kur nuk ekzistonte as televizori e as ato aparatet fotografike me objektiva si feçka elefanti që kapin gjithçka “live”, asokohe pra, kërkonim ethshëm të lexonim tek fjalët e komentatorëve atë që mund të na kishte shpëtuar nga imazhet. Por sot? Sot, kur secili prej nesh ka, të paktën, virtualisht, mundësinë ta shohë ndeshjen më në detaje se vetë arbitri, sot pra, pse ulemi të dëgjojmë edhe një herë nga fillimi diçka që e dimë përmendsh? Pse ulemi të dëgjojmë edhe një herë nga fillimi se si Klose, thuajse gjithmonë gjendet në kohën e duhur në vendin e duhur, sesi Pepe ia veshi turirit të Müller-it, sesi Mesi, sesi arbitri, sesi penalltia nuk ishte penallti, sesi…? Dhe prapë, sikur të mos mjaftonin gjithë këto informacione, pse ulemi të dëgjojmë e të përjetojmë edhe njëherë nga fillimi se çfarë thonë mediat e botës për atë që kemi parë e dëgjuar me sytë e veshët tanë, sesi Gjermania e “shtypi” Portugalinë, sesi Ronaldo shpëtoi Portugalinë, sesi Kosta Rika turpëroi Italinë, sesi…? Asgjë e re për t’u mësuar, fundja, e asgjë me vlerë për t’u shënuar! Por e bukur për t’u dëgjuar!
Dhe pikërisht këtu qëndron magjia e futbollit! Sepse në të ka gjithmonë diçka për të ritreguar. Sepse për të mund të flasësh pafundësisht, duke u nisur nga fillimi, nga mesi e nga fundi! Sepse futbolli e përmbush mrekullisht maninë njerëzore të ritregimit dhe konfirmon një nga pohimet bazë të teorisë së komunikimit: njerëzit si qenie njerëzore nuk komunikojnë pareshtur me njëri- tjetrin për të akumuluar informacione apo për t’i mbushur e siguruar depot e tyre të dijes, por kryesisht për të përforcuar idenë e bashkësisë dhe të lidhjes me njëri-tjetrin. Prandaj dhe jemi të gjithë si të droguar nga ritregimet që na ofrojnë emisionet e përnatshme sportive mbi ndeshjet e futbollit: në ato momente dhe të nesërmen nëpër tavolinat e kafeneve, ndjehemi pjesë e një Të Tëre Kuptimplotë. Pjesë të fitores, por edhe pjesë të humbjes. Dhe në këtë atmosferë mërmërime dhe llomotitjeje masive, fitorja fiton shijen e saj të plotë, kurse humbja e humbet dhimbjen. Lidhjet e forta sociale, të cilat tashmë u kanë rrëshqitur duarsh si fesë ashtu edhe politikës, i përkasin tashmë padyshim futbollit.
Futbolli gjeneron tek secili prej nesh diskutime të pafundme për të Vetëkuptueshmen e për të Pandryshueshmen e për atë që s’e ndryshojmë dot më. Ky diskutim mbi futbollin që s’rresht kurrë është edhe arsyeja pse të Fuqishmit e Politikës marrin rrugën për në Brazilin e largët, megjithëse mund ta kishin ndjekur përballjen edhe nga zyrat luksoze apo klubet komode. Kryeministrat, Kancelarët, Mbretërit e Mbretëreshat e dinë fort mirë se nuk janë aty për t’i dhënë me peshën e prezencës së tyre vlerë ngjarjes sportive në fjalë, por janë aty për shkak të peshës së papërballueshme që ka mania jonë për t’i ritreguar betejat nga fillimi. Sepse të Fuqishmit e dinë se Futbolli, ashtu si edhe Pushteti, para së gjithash, nënkupton të flasësh për futbollin. Nënkupton të ritregosh gjithçka nga fillimi.
Gazeta Mapo
Add new comment