Furgoni me fëmijë drejt greminës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8619_12_13.jpg?itok=sIu3ftqi)
Donald Kokona, aktori i vogël i “Taulanti kërkon një motër” në një intervistë të para disa ditëve te Shekulli, lëshoi një frazë që mund të perifrazohet kështu: “Në atë kohë, kishe besim te shteti, edhe kur ta merrte fëmijën me furgon”. Kjo frazë vinte në kuadrin e rrëfimit që në moshën 4 vjeç e gjysmë, një furgon i merrte në kopësht, i çonte në Kinostudio për prova e prindërit nuk dinin gjë. Më vonë e morën vesh që djali luante në film. Pyetja që më lindi duke lexuar këtë rrëfim, ishte: pse shtetarët e sotëm që janë rritur në shtetin e djeshëm, kanë krijuar këtë farë shteti ku mund të kesh besim edhe te mafia, por jo te vetë shteti?
Shteti i djeshëm
Nuk është krejt ashtu si në kujtimet e Donaldit. Më kujtohet që im atë nuk shkonte të më bënte analiza gjaku sepse një thashethem që qarkullonte thoshte që u merrnin ilegalisht gjak fëmijëve për t’i bërë transfuzion Enverit, në atë kohë të sëmurë rëndë. Si në përrallat me vampirë, duhej gjak i njomë fëmijësh. Kjo, mund të mos ketë qenë e vërtetë. Por, fakti që ky thashethem qarkullonte tregon që kishte njerëz që ngrinin dyshime mbi sistemin. Madje, duhej të kishte dhe të tjerë që, ndryshe nga im atë, kishin informacion të saktë nëse gjaku i foshnjeve të shqiptarëve merrej ilegalisht për të mbajtur në jetë diktatorin. Rrethi i parë i parajsës ishin ata që mund ta merrnin informacionin të saktë, pastaj rrathët e të tjerëve ku mund të depërtonte thashethemi.
Në nivele të tjera, shteti i djeshëm ishte tepër i sigurt. Fëmijët luanin tërë ditën rrugëve, shkonin deri në cepin tjetër të qytetit e mund t’i lije të qetë pa merak. Në shkollë mund të hanin dru, por ishe ti që inkurajoje mësuesen: “e ke lejen nga mua, po bëri zhurmë, këllcitja!”. Sepse, institucioni ishte edukatori ligjor. Ishte shteti. Vras mendjen, kush nga mësuesit do guxonte t’ia këllciste qoftë dhe me leje, nipave a mbesave të Enverit?
Pra shteti i djeshëm kishte dy standarte. Atë për masat, dhe të për rrethin e parë të parajsës. Disa kishin besim te shteti e i çonin fëmijët për analiza gjaku. Disa, nuk i çonin se kishin informacion.
Këtu ridel pyetja, kush në atë kohë kishte informacion?
Shteti i sotëm
Shtetin e sotëm e kanë ndërtuar ata që kishin informacion në shtetin e djeshëm. Ata që kishin mundësi ta merrnin vesh nëse vërtet foshnjeve u merrnin gjak për transfuzionin e një plaku të sëmurë. Nëqoftëse nuk ju kujtohen, Bledi Mane do ketë mirësinë t’jua kujtojë emrat ndonjë ditë.
Janë ata që e dinin më mirë se kushdo që ky shtet është i sigurt, si për fëmijët e për të rriturit, por, POR, deri në një farë mase. Dhe “masa”, është problemi. Asnjëherë, askush, në atë shtetin “tjetër” nuk e dinte cila ishte masa: si mund të matej niveli i sigurisë që mund të përfitoje. Deri ku, fëmija yt ishte i sigurt?!
Fëmijës nuk i ndodhte gjë në kopësht. As në rrugë. Por, fëmija mund të shndërrohej në leproz brenda natës, nëse do të kalohej me ose pa e ditur masa e panjohur e peshores së sistemit. Në fakt, më shumë se peshore, ai sistem ishte një barrë në kurriz. U thyeve, ike. Ti dhe fëmijët e tu. Çështje “mase”: Deri në ç’masë…
Masa ishte shija e diktatorit. Masa, nuk ishte racionale. Më kujtohet rrëfimi i një zonje (ish-valltare në Ansamblin e Shtetit), që më pat thënë, deri sa isha 40 vjeç, jetuam të lumtur. Pastaj, ferri… një grup njerëzish ia arritën të mbijetojnë. Ata nuk mundën të ndërtojnë as vetë koncepte racionale për atë shtet. Nuk arritën t’i jepnin logjikë. E vetmja gjë që mundën të bënin është që me instinkt, me hipokrizi, me djallëzi, me zgjuarësi a me pak fat, të mbronin fëmijën e tyre nga transfuzioni. Dhe të mbijetonin edhe vetë. Pa u thyer nga barra. Duke ia ngecur barrën të tjerëve.
Vazhdoj të flas për shtetin e djeshëm, kur te kreu i këtij paragrafi u nisa të shkruaja për shtetin e sotëm. Pa merak, nuk ka shumë ndryshim. Madje më keq. Shteti i djeshëm gamën e sigurisë e kishte pak më të gjerë. Dhe rrethin e parajsës së abuzuesve “të informuar” e kishte më të ngushtë.
Nëse dje kishte të internuar që varnin veten sepse nuk i mbijetonin dot kushteve të renda të internimit, sot, në të njëjtat zona e fshatra, ka njerëz që varin veten se nuk përballojnë dot jetesën e borxhet.
Nëse dje kishte një zonë që quhej Bllok, ku jetonin të pasurit, sot ka një rrugë pas Ambasadës maqedone që ruhet me roje njësoj si blloku, aty ku jeton familja e Kryeministrit.
Nëse dje mund të të pushkatonin si armik të Partisë edhe po të ishe Ministër, sot të hedhin në erë në mes të qytetit edhe po të jesh gjykatës.
Madje, dje, fëmijët mund t’i merrnin nga çerdhja me furgon, dhe ti të mos kishe merak, sot, po ta morën me furgon, fëmija mund të mos vijë më. Dje, të paktën fëmijët ishin të lirë të luanin, siç thotë edhe Donaldi. Sot, nuk luajnë dot më. Nuk luajnë dot më se, ose do i shtypin makinat që i shkelin çdo rregull qarkullimi duke mbajtur një tabelë polici në kroskot, ose do t’i fusin në fuoristradë luksoze, e ti nuk do e shohësh më.
Dje, një diktator kishte nevojë për gjak fëmijësh për transfuzion. Sot, qindra mijëra njerëz në botë janë gati të blejnë një veshkë fëmijësh shqiptarë për fëmijën e tyre.
Krejt shteti i sotëm, është ndërtuar mbi një padrejtësi sociale.
Kanë aplikuar “masën e djeshme” të fshehtësisë së informacionit, të dhunës së shtetit, të abuzimit të të pushtetëshmve, mbi të njëjtin grup njerëzish që kishte besim te siguria e shtetit të djeshëm. Janë të njëjtët njerëz që vuajnë thundrën e shtetit të ri. Kanë ndërruar vetëm sloganet propagandistike. Shqipëria, nga “fanar ndriçues i socializmit” është kthyer në “Zvicrën e Ballkanit”. Dhe, për hir të konjukturave teknologjike, ka nevojë që rrethi i “të informuarve” të jetë ca më i gjërë.
Nuk do isha marrë shumë me shtetin e sotëm, sikur të mos jetoj nën terrorin e idesë se si do jetë shteti i së nesërmes.
Shteti i nesërm
Rrethi i “të informuarve” të sotëm do të ndërtojë shtetin e së nesërmes.
Të informuarit e sotëm janë ata që e dinin historinë e bllokut të Metës që para se ta merrnim vesh ne, që gjendemi në rrathët e ferrit. Nuk është vetëm një bllok. Ka shumë blloqe për të cilat maksimumi na vjen informacion vetëm në rrathë thashethemi.
Problemi i shtetit të nesërm, do të vijë ngase shteti i sotëm e ka rrethin e “të informuarve” shumë të madh. Për të marrë një metaforë nga “Ferma e Kafshëve”, ka më shumë derra sesa ushqim. Masa – e famshmja “deri në një farë mase” e kohës së Enverit – është prishur më tej. Babëzia që dje fshihej nën petkun e “Dhomës së Pritjes”, sot justifikohet me të ashtuquajturën “ekonomi tregu”.
Shteti i së nesërmes nuk do ketë ndryshim. Do të jetë si i sotmi, por më i sofistikuar.
Do të ketë të aplikuara metodat e Enverit me teknologjitë kapitaliste. Propagandën enveriste me TV kombëtare. Paranë e pisët me favoret shtetërore.
E sheh? Jam nisur të flas për shtetin e së nesërmes, por vazhdoj të flas për shtetin e Enverit, atë të djeshmin.
Nesër, i vetmi ndryshim do jetë te rrethi i “të informuarve”. Ata që e dinë se fëmijëve do u merret gjaku për të mbajtur në jetë vampirët. Ky rreth po zgjerohet – në shtetin e së nesërmes do të jetë aq i madh, sa nuk do shkojë asnjë fëmijë për të dhënë gjak. Duke e marrë si metaforë, vampiri do të vdesë ose do të plasë lufta.
Imagjinoni që shtetin e së nesërmes do të pretendojnë ta ndërtojnë këta që kanë qenë pjesë e që keqes, e korrupsionit, e abuzimit, në këtë shtet sot. Ata e dinë ç’po ndodh sot, më mirë se ne. Ata, janë të “informuarit”.
Ata që edhe në këtë shtet ia dolën mbanë falë djallëzisë, intrigës, dhunës, korruptimit, hipokrizisë, konformizmit e më rrallë fatit, me forcën e parasë e të miqve, me mbështetjen e krimit e të injorancës. Ata që ndryshe nga ne poshtë, e dinë ç’po ndodh.
Furgoni po vjen të marrë fëmijët në kopësht
Lexoj grafittit në periferi të Tiranës, “Welcome to Saligrad”. Më duket gjetje interesante. Më vjen edhe për të buzëqeshur. Por, nuk dua ta identifikoj shtetin me një person, qoftë dhe ky një Kryeministër që e ka kthyer rrugicën e shtëpisë së tij në një bunker të Gadafit.
Ndryshe nga shumë njerëz që duan ta identifikojnë (ose ashtu e perceptojnë) të keqen tek një person, e keqja matet me rrathë, jo me pika.
Ka rrathë të të keqes, siç ka rrathë të ferrit. Madje, Dantja vetëm Ferrin kishte me rrathë.
Ngrehina e ndërtuar mbi këta rrathë do të shembet, herët a vonë.
Furgoni i shteti mbledh akoma fëmijë. I mbledh dhe i kthen në ushtarë të Saligradit.
Po të kisha fëmijë, nuk do e hipja në atë furgon, sado besim të kisha te ky shtet.
Shpëtoni fëmijën tuaj.
Marrë nga Shekulli
Comments
Zoti Cukali ka shume fantazi.

Zoti Cukali ka shume fantazi. Pergezime!

E vleresoj shume talentin

E vleresoj shume talentin tuaj dhe origjinalitetin tuaj dhe sidomos aftesine per te qene mjaft i kuptueshem, nderkohe qe jeni origjinal. Por ne fund ideja eshte pak e paqarte. Sidoqfote do te marr guximin t'ju bej nje verejtje, ndonese nga pozita shume modeste. Por ky eshte nje risk (pra risku per tu kritikuar) qe ju e keni marre persiper perderisa keni vendosur te shkruani.

Sidoqe ato qe shkruani jane te verteta dhe brilante, me duket se ju reflektoni pak difektin e pergjithshem te shqiptareve, te cilet jane te prirur ti shikojne gjerat si nje lufte midis te mires dhe te keqes (ose midis drejtesise dhe padrejtesise) ku per disa do te fitoje patjeter e mira, ndersa per disa te tjere gjerat do te vazhdojne te jene perjetsisht ashtu sic kane qene.

Per mua ceshtja qendron diku tjeter dhe eshte me e thjeshte: ajo qe shqiptaret duhet te kuptojne eshte ceshtja e LIRISE. E thene ndryshe, ne se gjerat do te shkojne me mire apo me keq ne shtetin e ardhshem kjo nuk do te varet nga ajo se aty do te kete me shume drejtesi apo me pak drejtesi, apo nese do te triumfoje e mira apo e keqja, te gjitha keto koncepte relative qe secili prej nesh i interpreton ne menyre individuale sipas interesit te vet personal, por nga fakti nese ne shtetin e ardhshem do te kemi me shume apo me pak LIRI se sa sot.

Zoti Cukali, Nje shkrim teper

Zoti Cukali,

Nje shkrim teper i gjetur, por edhe i frikshem. Bazuar ne llogjiken e shkrimit tuaj, me qe shteti i sotem eshte ndertuar e perfeksionuar nga te "informuarit" e te djeshmes, dhe e nesermja do te ndertohet nga te "informuarit" e te soteshmes, te futet frika ne palce, sepse si cpo duken bathet proporcioni eshte me shume se ne fuqi kubike. Kjo tregon se te "informuarit" e sotem, megjithese do jene me te sofistikuar, do te jene shume me te rrezikshem. Pra ne baze te kesja llogjike, shqipetaret duhet ti zere data nga e nesermja, sepse progresioni algebrik qe parashikohet do te jete astronomik.

nje paralele e hequr keq.

nje paralele e hequr keq.

Ky artikull ka cdo gje qe

Ky artikull ka cdo gje qe mund te kete fantazia e nje te semuri , por jo te verteta

Shteti i djeshem nuk kishte dy standarte aspak --- Keto qe thua ti jane gejgeshtra bajate , Dhe tikapesh pas disa shembujve te vecuar dhe me metoden e induksioni del ne pergjithesimin se ato raste te vecante qe ke njohur ti perbejne te pergjitheshmen --Kjo eshte komplet deficence ne koncept -----

-- Kam pasur edhe une njerez te internuar , por kur te internonin , Te conin ne fshat ,te jepnin nje shtepi, dhe nje pune bujqeise --Natyrisht ishin kushte te veshtira psikologjike , por aspekti ekonomik ishte i njellojte me te tjeret .

Ka pasur edhe raste vet vrasje por keto nuk ishin se nuk i mbijetonte kushteve , por me shume per shkak te ambjentit psikologjik qe krijohej

Dhe kur thua per ate transfuzionin e gjakut -hahahahahahahahahahahahahahah--Aty tregon nje nivel skandaloz qesharak.

Duket qe je gazetar qebaptoreje ------Ne fakt , kjo qe thua ti ishte nga ato genjeshtrat bajate te gautara ne ambjentin turkoshak Tiranas nen tingujt e kengeve plot embelsi haremi , tip :

.....dy leke, dy leke o usta Murat --

dhe 4 qofte bejne 7 leke o usta Murat..... loooooooooooooooooooooooooooooooooooooool

Enveri hapi shtepi per konsultore te nenave me femije ne cdo fshat te Shqiperise.-- dhe nqs ndodhte ndonje vdekje e femijes ne lindje , behej nami - Hetuesia do hetonte cdo gje , dhe fajtori shkonte brenda ne burg --- Enveri hapi kopshte dhe cerdhe per femijet ne cdo qyutet dhe fshat , qe femijet te riteshin te shendetshem dhe te lumtur,me aq sa i kishte mundesite -------Dhe te gjitha keto ishin FALAS

------Ne atehere besonim ato pislleqet qe nxirnin nga goja tiransit, keta qaytetare qe vetem qytetare nuk mund te quhen , dhe qe si ortodoxe edhe myslymane , jane te gjithe pa asnje dyshim si nje gelbaze turku ne mes te Shqiperise .Kjo per shkak te mentalitetit qe ata mbartin dhe nga menyra teper e percudnuar se si ata arsyetojne kundrejt cdo ngjarje politike,

Edhe ti qe ke bere kete artikull, duke u bazuar ne thashetheme te percudnuara qe vetem nje mendje e semure mund ti nxjerre , je nje krijese e mjeruar qe ke nevoje te vihesh nen nje Rehab Program-

Kjo me e pakta ...

Komplimenta per artikullin me

Komplimenta per artikullin me vjen mire qe ka persona qe dine te vlersojne dhe te shkruajne per gjerat e djeshme dhe aktuale.

Add new comment