E ardhmja mund të jetë online, por…

Terrenin mediatik ka filluar ta infektojë një dyshim i tmerrshëm. Ky dyshim e merr teorinë më të zakonshme për jetën e një gazete dhe i var sipër një pikëpyetje të madhe. Na thuhet pa pushim që gazetat, siç i njohim ne, janë në një periudhë tranzicioni, po ecin drejt kalimit të plotë dixhital në internet, në tablete, në celularë, madje edhe në pajisje që nuk janë shpikur ende. Ka dritë në fund të një tuneli të gjatë pasigurie, një tranzicioni jetësor. Megjithatë, supozoni, vetëm supozoni, që nuk ka të tillë dritë.
Lexuesit që lexojnë shkrimet online, me siguri i kuptojnë disa prej pikëpyetjeve me të cilat kemi të bëjmë këtu: reklama me çmime shumë më të lira sesa në shtyp, sepse hapësira kibernetike është e pafundme dhe për rrjedhojë edhe pafundësisht në dispozicion; përpjekje tabletesh si Daily e Rupert Murdokut, të cilat fillojnë me një shpërthim publiciteti e pastaj veniten në heshtje; aplikime telefonash që duken tmerrësisht premtuese deri në çastin kur provon të vendosësh një pagesë të rregullt për to.
Asnjë nga sa më sipër nuk do të thotë se në internet nuk bën dot para. Ka faqe e operatorë që tashmë e bëjnë këtë. Ama kur vjen puna te një gazetë mesatare që iu drejtohet të gjithëve dhe mendon rrugën normale drejt mbijetesës? Harroje!
Në pamje të parë, marrëdhënia shkak-pasojë duket tërësisht e qartë. Tirazhi i gazetave kombëtare që paguhen bie nga 13 milionë në 9 milionë brenda dy dhjetëvjeçarësh. Përdorimi në internet i flluskave të lajmeve kërcen nga hiçi në afro 4 milionë vizita unike në ditë (në rastin e Daily Mail, ndërkohë që Guardian korr frytet e përgjimit të telefonave). Një krah ngjitet lart dhe tjetri bie poshtë. Ekuacion i thjeshtë, apo jo? Megjithatë, shikoni më nga afër.
Marrim të përditshmet falas; ato që, për shembull, kanë kontribuar shumë për rënien e tirazheve në Londër. Shihni 750,000 kopje të Metro çdo mëngjes, plus 100,000 kopje të City AM, plus 750,000 kopje të Evening Standard. Shikoni se ç’lexojnë njerëzit në tren apo autobus. Njerëzit nuk rrinë ulur me një iPad: në fakt, janë duke shfletuar material leximi që nuk iu ka kushtuar asgjë. Nuk është se po mbaj leksionin e zakonshëm për vdekjen e gazetave. Po flas thjesht për shtypin falas që po i zë vendin shtypit të kushtueshëm.
Edhe shpenzimet, sigurisht, janë një tjetër faktor. Një stërlinë në ditë për gazetën e preferuar çdo mëngjes, plus nja dy të tilla të dielën, plus një apo dy revista për familjen? Të themi 600 apo 700 paund në vit. Në mes të një shtrëngimi të madh financiar, dhe ky është zë jo i vogël në buxhet, sa më pak kopje të shiten – shto edhe katastrofa të llojit News of the World – aq më pak agjentë shtypi mund të mbijetojnë. Nuk është e lehtë të blesh diçka që nuk e gjen dot kollaj.
Edhe shifrat që i hedhin të gjitha gazetat në një thes sikur të jenë e njëjta gjë, mund të na ngatërrojnë. Kthehuni në botën përpara internetit. Në gusht 1970, gazeta Daily Mirror shiste 4,486,693 kopje në ditë dhe gazeta Daily Express shiste 3,605,883. Dhjetë vite më pas, shifrat ranë në 3,624,575 kopje dhe 2,224,651 kopje përkatësisht. Në gusht 1990, shifrat ishin 3,121,050 kopje dhe 1,608,361 kopje. Imagjinoni 3.5 milionë kopje të zhdukura në dy emrat më të mëdhenj të kohës së vet në 20 vjet mizorë; ama, mos ia vishni mallkimit të internetit. Sepse ky nuk ekzistonte ende. Dhe disa gazeta – Mail, Mail on Sunday, FT, Times – vazhdojnë të shesin po aq në mos më shumë sot se sa në vitin 1990. Prandaj, lëvizjet në “sektor” mund të na ngatërrojnë pakëz. Gjithsesi, kjo s’do të thotë që prirja e përgjithshme e shitjeve nuk është në rënie, me 5% apo 6% në vit. Ndërkohë, e përgjithshmja nuk është edhe e veçanta – as nuk ka ndonjë ndërlidhje bindëse mes kërcimeve dhe të ardhurit rrotull në tirazhe. Gazeta Mail, me 80 milionë vizitorët e vet unikë online, vazhdon të mbahet edhe në shtyp; ndërkohë gazeta Express, e cila nuk bën ndonjë përpjekje me faqen e internetit për t’ia vlejtur, po tkurret dita-ditës.
Prandaj, çfarëdo “tranzicioni,” kurdo që të vijë dhe nëse vjen, duket i pasistemuar dhe i paparashikueshëm. A po merr fund gazeta Mail e shtypur? Aspak. Po varianti i saj online, po i shkon pas? Po të shohësh që gjithë ata vizitorë unikë tërheqin vetëm 18 milionë paund në vit në reklama, atëherë jo. Po gazeta Daily Telegraph, a sheh ndonjë të ardhme pa u shtypur tani që ka një investim të madh në internet? Jo. Çdo gazetë ka përqasjen e vet ndaj së ardhmes dhe një recetë të ndryshme për të mbijetuar (ndërkohë që as recetat e vjetra të bazuara mbi animet politike – një majtas, një djathtas, etj. – nuk janë të tepërta).
Është qetësuese të flasësh për prirjet e industrisë dhe përqindjen e audiencës së përgjithshme. Kompania botuese Trinity Mirror ka vite që e bën për të bindur investuesit se gazetat e saj kombëtare po ecin më mirë se mesatarja. Megjithatë, nuk duhen shumë mend për të kuptuar të gjithë panoramën. Përkundrazi, ka shumë pasoja të tjera, më të thjeshta, për t’u marrë parasysh. Gazeta Atlanta Journal-Constitution (sa për të përmendur një emër jo të vogël) ka probleme me burimet financiare. Për të shkurtuar shpenzimet, ka vendosur të mos e dërgojë gazetën në zona të largëta. Kjo do të thotë që tirazhi bie më shpejt se kurrë, çka nga ana tjetër, largon paratë e reklamave. Gazeta e vjetër Constitution nuk është se i kishte punët shumë keq derisa vendosi t’i përkeqësonte gjërat.
Jo: faktet e supozuara lidhur me tranzicionin mund të jenë të mjegullta madje edhe mistike. Për më tepër, shifrat nuk përputhen gjithmonë. Nëse prodhon gazetën New York Times të themi, me 1,100 gazetarë që janë pjesë e personelit (thuajse dyfishi i normës së gazetave Telegraph, Times apo Guardian) atëherë ata reporterë, komentatorë, e korrespondentë – të integruar në mënyrë të tillë që të shërbejnë edhe për gazetën e shtypur edhe për faqen e internetit – përbëjnë një shpenzim kritik. Janë ata që mbartin ekspertizën që të duhet dhe për të cilën mund të kërkosh para. Në çdo media ka nevojë për byrotë dhe specialistët jashtë vendit. Për kosto të tilla si zor të përdorësh dot gërshërët.
Iluzioni i tranzicionit është një operacion që në fund do të jetë vetëm dixhital dhe ku kostot e larta të industrisë për letrën dhe shtypjen – ndoshta 60% e faturës së prodhimit – teorikisht do hiqen. Por si funksionon kjo në një epokë ku shtypi dhe strukturat e çmimeve i përkasin historisë dhe paratë e nevojshme i sjellin reklamat shumë më të lira dhe pajtimet? Mirëpo kudo që të hedhësh sytë në botë aktualisht nuk shikon të krijohen të ardhurat e domosdoshme. Faqja Huffington Post, e cila ia ka kaluar shifrave të New York Times për numrin e vizitorëve unikë, ia del të punësojë vetëm një të dhjetën e gazetarëve të saj – dhe prapë nuk i paguan dot kontribuuesit.
Aksesi falas i ndihmon të ardhurat nga reklamat, por nuk mjafton; pajtimet e paguara janë kontribut, por as nuk i afrohen shumës që duhen. Edhe një sipërmarrje fitimprurëse lajmesh si Politico, faqja e specializuar për të apasionuarit e politikës në SHBA, mbështetet në variantin e shtypur dhe reklamat për t’ia dalë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për faqet e specializuara e të suksesshme të Wall Street Journal dhe FT. Këto lulëzojnë sepse janë të lidhura me gazeta të shtypura që udhëheqin tregjet. Dy mediat mund të rriten edhe në të njëjtën kohë, siç ndodh tek WSJ.
Ndoshta po të shohësh modelin Bloomberg ose Thomson Reuters, ka jetë pas shtypit. Por kjo është pesha që duhet t’iu veshësh shërbimeve të caktuara për audienca të caktuara. Një gazete të përditshme të përgjithshme – që përfshin gjithçka – i duhet të përballojë një strukturë kostoje gjigante nëse i duhet të kalojë tërësisht online. Për tranzicionin mund të flasim plot emocion. Ama, të flasësh ftohtë, brezi tjetër i biznesit të lajmeve mund të duhet të kërkojë një rigjenerim tërësor.
Po, mund të fitosh para nga shërbimet e posaçme. Politico mund ta bëjë këtë duke vënë në shënjestër politikanë të fuqishëm. Forbes.com vë në shënjestër organizatorët e konferencave ndërkombëtare. Auto Trader në Britani është e lidhur fort me tregun online të makinave të përdorura (aktualisht në tranzicion nga shtypi). Ka shumë ide të mira dhe ka edhe plot mundësi.
Megjithatë, supozoni – siç kanë filluar të bëjnë shumë – se po shikoni peizazhin dixhital në zhvillim dhe ngrini pyetjen bazë anasjelltas. Po të dinit atë që dini tani, a do ta kishte shpikur kush gazetën, në vend të shërbimeve të lajmeve që ofrohen falas në internet (BBC e para) dhe një pafundësi faqesh të specializuara që përdoruesit të ndjekin ato që iu interesojnë, nga fondet tek çiftet e njerëzve të famshëm? Dhe, në shumicën, edhe pse jo në të gjitha rastet, përgjigja do të ishte jo: nuk do të ishin shpikur gazetat, me mbulimin pashmangshmërisht të gjerë të temave dhe një barrë po aq të pashmangshme kostosh. Në fund fare – për fat të keq të gazetës së mbaruar e të marrë fund Daily të Murdokut – a do e shpiknit një gjysmë gazetë vetëm për përdoruesit e tableteve?
Tranzicioni, në kuptimin qetësues dhe të tipit “jeta vazhdon”, ndoshta është iluzion. Por duhet menduar jashtë të zakonshmes. Duhet menduar për përmbysje të paparashikueshme, transformim me rrënjë, dhe pa ndonjë axhendë të përcaktuar; një ritëm ndryshimi që të lë pa gojë e të gënjen. Duhet të mendoni për një revolucion të cilit i kemi parë veç një cep.
*Botuar në revistën online të Institutit Shqiptar të Medias
Add new comment