Dobia e përmbytjeve. Një leksion Kant-ian

Postuar në 06 Shkurt, 2015 05:20
Gilman Bakalli

Nga Gilman Bakalli

 

Zoti di të jetë ironik! Sidomos gjatë katastrofave, ai e tregon natyrën e tij tekanjoze dhe lojcake, me të cilën trondit herë pas here besimin mijëravjeçar të njeriut te Mirësia dhe Drejtësia e Tij. Si për shembull gjatë tërmetit të tmerrshëm të Lisbonës në vitin 1755, gjatë të cilit u regjistruan gati 100 mijë viktima. Ironikisht, forca e verbër e Zotit i rrafshoi thuajse të gjitha kishat e vjetra të qytetit, duke e kursyer lagjen e famshme të prostitutave, Alfama. Si mund të shpjegohej ky trill i një Zoti, që, brenda disa çastesh shfaroste me një shkundje të vetme të tokës të gjithë besimtarët që i gjunjëzoheshin e luteshin ditë për ditë dhe respektonte mëkatarët që në momentin e fatkeqësisë shkundeshin gjithë epsh mbi trupat e kolme të prostitutave? Ç’ishte ky Zot që ndëshkonte të Mirët dhe shpërblente të Këqijtë? Tërmeti i Lisbonës ofroi momentin e duhur për ta braktisur teodicenë, idenë e një Zoti të drejtë, i cili kishte krijuar botën më të mirë të mundshme. Disa e kryen në heshtje revoltën e tyre “anti-teodice”, të tjerë si Voltaire e përjetësuan në vargje (Poème sur le dèsastre de Lisbonne) dhe në satirë (Candide) zhgënjimin nga optimizmi Leibniz-ian i teodicesë.

Njeriu, të cilit i detyrohemi për ndryshimin e paradigmës diskursive në përballjen me katastrofat, është filozofi gjerman Immanuel Kant. Nëse deri në shekullin e 18-të katastrofat nxitnin debatin e raportit midis Zotit dhe njeriut, Kanti e ridimensionon këtë debat duke futur në diskutim raportin e njeriut me teknikën dhe natyrën. Bile, në një ese të tij mbi shkaqet e katastrofës së Lisbonës “Von den Ursachen der Erderschütterungen bei Gelegenheit des Unglücks, welches die westliche Länder von Europa gegen das Ende des vorigen Jahres betroffen hat” (Mbi shkaqet e lëkundjeve të Tokës. Me rastin e fatkeqësisë që goditi nga fundi i vitit të kaluar vendet perëndimore të Europës. Botuar në gazetën Königsberger Zeitung në vitin 1756) Kant-i analizon me qartësinë dhe kthjelltësinë e një menaxheri bashkëkohor krizash mundësinë e rindërtimit të qytetit të shkatërruar jo më përgjatë brigjeve të lumit, por në drejtim të tërthortë me gjatësinë e lumit në mënyrë që të minimalizohen pasojat e katastrofave të ardhshme natyrore. Përveç analizës së katastrofës në aspektin e parandalimit të saj, Kant-i diskuton në esenë e tij edhe mbi mundësinë e dobisë së katastrofës. Të duket e habitshme që, pas një katastrofe natyrore të përmasave të tilla tragjike si ajo e Lisbonës, të flasësh për dobi të saj, por Kant-i e ka guximin e nevojshëm intelektual për ta bërë një gjë të tillë. Kjo dobi, sipas Kant-it konsiston në vetëdijesimin në lidhje me ndryshimin elementar midis malum physicum dhe malum morale, midis së keqes që vjen nga natyra dhe asaj së keqes që vjen nga njeriu. Kur na sulmon e keqja e parë, duhet të ruhemi dhe të përpiqemi të shmangim të keqen e dytë. Katastrofat natyrore duhet të inkurajojnë një lloj solidariteti spontan midis rivalëve, një lloj armëpushimi të përkohshëm.  Kant kërkon që, përballë malum physicum të paktën të mbahet në një nivel sa më të ulët malum morale, e keqja morale. Pikërisht këtu qëndron dobia e katastrofave, sipas Kant-it, tek mundësia (gati-gati detyrimi) që ato ofrojnë për të minimizuar një vuajtje njerëzore (d.m.th. të shkaktuar nga njeriu) përballë një të keqeje natyrore, të cilën njeriu s’e ka në dorë aspak.

Si para 260 vitesh, në Lisbonë, ashtu edhe sot në Shqipëri, Zoti vazhdon sërish lojën e tij me ironitë e fatit. Një ditë pas përmbytjeve në Jug të Shqipërisë, rrjetet sociale kapën në rrjetën e tyre ironinë e një Zoti i cili, sa është e djathta në pushtet, përmbyt një “bastion të djathtë”, e, kur e majta vjen në pushtet, përmbyt “zona kryesisht të majta”.

Përveçse ironik, Zoti di edhe të zbavitet! Ai zbavitet jashtë mase me klasën politike shqiptare, e cila akoma sot, pas më shumë se dy shekujsh e gjysmë, s’ka mësuar asgjë nga dy mesazhe të kthjellëta të një leksioni dy shekullor Kant-ian: së pari, katastrofat natyrore janë të dobishme, sepse mund të na bëjnë më të zgjuar në përdorimin dhe administrimin e territorit dhe, së dyti, katastrofat natyrore mund të nxisin mekanizmin e minimizimit të rivalitetit në luftën qesharake për pushtet dhe të maksimizmit të solidaritetit njerëzor.

 

“MAPO”

Comments

Submitted by Ritter (not verified) on

Kantian eshte cilesor dhe s'ka vend per trait d'union. Vogelsira.

Submitted by Arta. H (not verified) on

<p>shkrime tipike qe perdorin teori te medha, per te thene gjera te vogla dhe sidomos per te mbuluar ceketine e dijes dhe mendimit te tyre.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.