Diagonalja e Karfurit

Postuar në 16 Shtator, 2011 02:54
Ardian Klosi

Qysh kur bleva një copë tokë në kodrat e bukura mbi liqenin artificial, aty ku fillojnë ullishtat drejt lapidarit të Debatikut këtu e 15 vjet më parë (atëherë jetonim në Gjermani), e dija se kishte një projekt, 500 m nën truallin tim, për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës. Projekti ishte i vitit 1989 dhe me sa u kuptua më pas, ai mbeti në mendjen a në një cep të mendjes së qeveritarëve dhe zyrtarëve lokalë në gjithë këta vite. Pasi në realitet asgjë nuk ndodhi: Unaza e Re po shkonte në kalendat greke, ndërkohë që zona prej Selite e deri në Sauk, me etapa si Kopshti Botanik e Kopshti Zoologjik, po ndryshonte. Siç ndryshojnë gjërat në Shqipëri, sidomos siç ndryshojnë që kur Shqipëria po ndryshon, dmth. në 5-6 vjetët e fundit. Në pranverë 2006 nisën të gërmohen për pallate kodrat e para pas Kopshtit Zoologjik, sot e gjithë zona nga ky i ashtuquajtur kopsht zoologjik e deri te „liqeni i thatë“, dmth rezervuari i dikurshëm, është mbushur me një mizëri pallatesh të shëmtuara, ngjitur me njëri-tjetrin, ku siç thonë, komshiu i jep komshiut nga njëri pallat në tjetrin pastë dhëmbësh, natë vonë, ndërkohë që tjetri i zgjat furçën.

Por mungesa e ndonjë masterplani për gjithë atë zonë, që fillon nga Selita e vogël, vazhdon tek ish-Kodra e Diellit dhe bën harkimin nëpër Sauk e Farkë deri te këmbët e Dajtit duke u pasë quajtur mushkëria e gjelbër e Tiranës, pati një të mirë: të paktën kodrat nga „liqeni i thatë“ deri në Sauk u ruajtën. U ruajtën jo pse kryeplaku i Saukut pati ndonjë masterplan, por thjesht sepse nuk kishte rrugë, që t’i shtronte edhe këto kodra nën marshimin e pandalshëm të pallateve. Liqeni artificial, mirë keq u ruajt edhe ai, madje duke marrë vende-vende atë bukuri që merr natyra në Shqipëri gjithmonë kur nuk shkel aty njeriu dhe ribëhet e egër. E kështu tek e fundit nuk na humbi shija e bukurisë, kështu u rritën vajzat, pemët në kopsht, miqësia me barinjtë e paktë por këmbëngulës që kullotin ende përditë këndej lopët dhe dhentë e tyre.

Ndërkaq Unaza e Re filloi. Këtë e morën vesh të gjithë sepse është një ndër projektet më të mëdha rrugore të vendit në këto vite. U mor vesh edhe pse pati njëfarë rezistence për ndërhyrjen që nisi te Kopshti botanik. Aktivistë të mjedisit u mblodhën në protestë para këtij kopshti, një nga margaritarët e Tiranës qysh kur mbaj mend veten. Por u mblodhën pak, aq sa mblidhen në këto raste: Xhemali, Besniku, Lavdoshi... Doli se Unaza e Re s’kishte fare leje mjedisore. Atëherë zv.ministri Demeti bëri shpejt e shpejt një mbledhje me ekspertin e ambientit S. Guri, i cili gjithashtu shpejt e shpejt bëri një VNM (Vlerësim të Ndikimit mbi Mjedis), ku thuhej se kjo autostradë me 6 korsi që kalon mes përmes pallateve nuk do të emetojë as gazra as zhurmë. U duk e çuditshme për gjithë të pranishmit, por me sa kuptohet eksperti Guri e kishte fjalën për automjetet elektronike të së ardhmes, siç janë ekspozuar këto ditë në Panairin e Motorave në Frankfurt mbi Majn. Megjithëse ambientalistët e pranishëm e hodhën poshtë këtë VNM, ministri i mjedisit Mediu e nënshkroi lejen mjedisore qysh të nesërmen. Ndërkaq në TV pamë ministrin Olldashi, i cili deklaroi se Unaza e Re do hynte brenda në territorin e Kopshtit Botanik vetëm 10 m gjerësi. Pardje që kalova andej me makinë, pashë se kishte hyrë të paktën 40 m gjerësi. Atëherë u kujtova se Olldashi është ai ministri që nuk ka asnjë problem me raportin e vetes ndaj së vërtetës dhe gënjeshtrës, se p.sh. ishte po ky ministër që mbrëmjen e 21 janarit deklaroi se plumbat që vranë 3 qytetarë në demonstratë ishin qëlluar nga brenda turmës.

Dhe kështu avancon kjo unazë me ritme të pandalura. Shoh përditë hapjen dhe rritjen e saj dhe habitem se sa mirë e sa shpejt punojnë shqiptarët kur nuk mungon paraja. Makinat e rënda vejevinë, fadromat ngulin gëzueshëm dhëmbët e tyre aty ku dikur kullotnin lopët e fshatarëve ose ishin thjesht ferra. Jam tërësisht për zhvillimin ekonomik, për ngritjen e infrastrukturës, për kursimin e kohës së njeriut. Por, por, ekuacioni i Unazës së Re, ashtu si ekuacionet e shumicës së projekteve të viteve të fundit në Shqipëri, ka një të panjohur që mbetet e panjohur edhe kur del rezultati. Kjo jo pse e panjohura është e vështirë të njihet, por sepse ndërtuesit e ekuacionit nuk duan ta njohin. Kjo e panjohur quhet thjesht mjedis, natyrë, ose edhe cilësi jete, ose edhe e ardhme. Tabani i Unazës së Re po shtrohet kryesisht me... zallin e Erzenit. Mund të duket e pabesueshme por është e vërtetë. Mjafton të shikoni malet që kanë ngritur me këtë zall, p.sh. aty ku përfundon zona e Parkut të madh të Tiranës, ose ku po shtrohet këto ditë unaza afër Kopshtit Zoologjik. Para dy muajsh Top Channel transmetoi 3 ose 4 herë rresht kronika për këtë krim ekologjik me përmasa të papara. Asgjë nuk ndodhi. Karkalecat e firmës ndërtuese vazhduan të pashqetësuara të ngrenë shtratin e lumit prej diku poshtë Petrelës e deri nga Arbana dhe ta hedhin atë në shuallin e Unazës së Re. Siç vazhdojnë edhe këtë ditë që shkruaj. Përfytyroni për një çast se sa miliona vjet janë dashur për t’u krijuar shtrati i lumit me emër qysh në antikitet, dhe sa thjesht një treshe ministrash Bode-Olldashi-Mediu urdhërojnë ekzekutimin e tij, natyrisht jo pa bekimin e kryeministrit të tyre. Të jeni të sigurt që shumë shpejt Erzeni do të bëhet i pakontrolluar në vërshimet e tij, të jeni të sigurt që do të çkoordinohen edhe ato kanale të vjetra kulluese që fshatarët e këtyre anëve vitet e fundit i kanë risjellë në funksionim, të jeni të sigurt që, në fund të fundit, rritja e shpejtësisë së ujërave të lumit, meqë mungon shtrati do të jetë e tillë, që edhe më shpejt do të vazhdojë përparimi i detit në vijën bregdetare ku derdhet Erzeni. Pasoja të tjera të këtij krimi, jua shpjegojnë më mirë specialistët e ngushtë të sistemeve ujore.

Kishte dhe një të panjohur të vogël ky projekt, por që u zgjidh shumë shpejt: çfarë do të bëhej me shpronësimet. Zgjidhja zgjati 5-6 ditë. Ekskavatorët e fuqishëm të firmave ndërtuese shembën ku me miratim të detyruar të banorëve, ku pas kundërshtimesh të dëshpëruara deri dhe përleshjesh trupore, shtëpitë një, dy, tre e katër katëshe që i qëlluan mbë udhë Unazës së Re. Kthehesha një ditë në shtëpi dhe pashë me sy se si rriheshin pronarët e shtëpive që kundërshtonin. Firma ndërtuese ishte përforcuar me dy furgona policie, policët vetë të pajisur rëndë, me skafandra, Renea etj. Ata më të pabindurit u rrasën pa një pa dy në furgon. Një grua ulërinte: Ju lutem lërmëni një ditë të paktën, të heq moblijet se kam qenë në Greqi. Siç më tregojnë fshatarët e Saukut çmimi që u kanë premtuar si kompensim për shtëpinë e humbur është 2.600 lekë për m2 (kaq ka qenë çmimi më 1996 kur bleva tokë unë, sot në Sauk është ngjitur nga 7.000 në 20.000 e më shumë lekë për m2). Shitësi ku bëj zakonisht pazarin qante dhe i vinte zor prej meje nga sytë e vet të skuqur.

Fshatarët më tregojnë edhe hollësi të tjera, disa vërtet të zymta. Thonë se do ua lënë të lira tokat që kanë patur historikisht te Liqeni Artificial. Pra brezi nga brenda Unazës, ato toka djerra që kanë qenë gjithmonë të paprekshme, sepse bënin pjesë qyshse u krijua Liqeni Artificial në tërësinë që lidhej edhe me Parkun e madh, nuk do të jetë më i paprekshëm. Edhe aty do mund të shiten e blihen troje. Liqeni, më thonë fshatarët, do të zëvendësohet nga 4-5 pellgaçe me shatërvanë dhe gjithë ajo hapësirë do të mbushet me... pallate.

Kjo është Unaza e Re që po ndërtohet në këto anë. Veçse aty ku i afrohet rrugës së Elbasanit si nja 700 metra ndodh një çudi. Unaza nuk bën hark siç ishte parashikuar në projektin fillestar, siç bën çdo unazë, qoftë e dorës, qoftë e palestrës ose e qyteteve, por merr një itinerar drejtvizor kah Lindja për të përfunduar në... Carrefour. Po, Karfur është emri i firmës me origjinë franceze, por me pjesëmarrje të fortë pushtetarësh shqiptarë, e cila ka ngritur pasi kalon fshatin Farkë një supermarket gjigand. Fshatarët më thonë se është klani korçar ai që po e ndërton. Duke parë shpejtësinë e punimeve, nuk dua ta dyshoj. Vetëm habitem se si quhet ende unazë një rrugë që s’bën harkim por vrapon drejtvizore nga Karfuri te Liqeni Artificial (apo ish?), te Kopshti Zoologjik, te Kopshti Botanik e gjer te unaza e madhe ekzistuese. Emri më i saktë do të ishte Diagonalja e Karfurit. Ajo do të ketë 6 korsi, jo 4 si në projektin fillestar. Nga 3 korsi në secilin drejtim, 2 për vetura e një për autobusë. Në mënyrë që konsumatorët të shkojnë sa më të shumtë dhe sa më shpejt te Karfuri.

Ky është zhvillimi shqiptar. Një zhvillim që shkatërron kodra, kullota, liqene e shtrate lumenjsh në marshimin e tij. Një zhvillim i drejtuar prej njerëzish që s’kanë asnjë lidhje me të bukurën dhe shijen e jetës, por vetëm një perëndi së cilës i falen e për të cilën të hedhin edhe në erë: Paranë.

Comments

Submitted by Agush (not verified) on

pusht shtetaret bejne cfare te duan sipas leverdise se tyre,lum keta njerez qe i votojne...

Submitted by alidemsi (not verified) on

Mire e ke o Ardian, po ai Zamir Manja, ka hedhur 5 milion euro per ta sjelle kete unaze deri te dera e shtepise se tij.......

Një zhvillim i drejtuar prej njerëzish që s’kanë asnjë lidhje me të bukurën dhe shijen e jetës, por vetëm një perëndi së cilës i falen e për të cilën të hedhin edhe në erë: Paranë.......

me kete mbyllje qe ke bere i ke thene te gjitha.....

Submitted by Jo anonim: Luani (not verified) on

Mos jane ndryshe keta pusht-kloset qe kane blere toka ne kodren e diellit kur ishin drejtore televizionesh? Apo u eshte bere mendja dollma e dalloni ujkun nga çakalli...Njelloj jane te dy. Mjere ata qe punojne e çdo qindarke e fitojne me djersen e ballit, pa kloset e guri-njte e mejdinj-te njelloj jane, me luge floriri hane e bejne sikur shajne e te mirat bashke i ndajne...Freskojeni mendjen, o skllever shpirterore te barkdhjamosurve.

Submitted by Reformer (not verified) on

Ardian, fatkeqsisht ti je si nje qenie jashtetokesore per keta shqiptare te gjore: e cdo te thote bukuri, perrenj, natyre e bukur etj etj, halli ketyre eshte vetem se dikush po fiton para me shume se ata...

Submitted by vrap nga liqeni (not verified) on

Sa ha ishte ajo copa e tokes qe bleve dikur o zoti pseudo-ambjentalist dhe partizan i kauzave te pavlera te cilat fillon ti mbrosh me zjarr porsa fitorja e tyre eshte e pashprese? Mos te ka mbetur hatri qe klani kundershtar ja mori thelen nga dora klanit Rama kronikan "par excellence" i te cilit ti je ne menyre te padiskutueshme. Kur zihet ujku me çakallin njeri do te fitoje, por zakonisht fiton ujku ndersa çakallit i mbeten ngordhesirat ekuivalente gjithashtu "par excellence" te kauzave qe pseudo-ambjentalistet deshtake me ty ne krye mbrojne

Submitted by IDLIR.M (not verified) on

Per fillimin e Shkrimit Z.Klosi.Ne te vertete atje eshte bere masaker urbane per ku thua ti.Edhe pallatet jane ngjitur me njeri-tjetrin ,po ashtu si thua ti.Ti nuk thua se ate masaker dhe krim e ka bere frymezuesi yt ideolgjik dhe shpirteror Edvin Rama.Nuk e di pse nuk e permend kete fakt.Atehere kam te drejte te them se te gjitha ato qe shkruan, para asaj qe ke lene pa shkruar,jane PALLAVRA!

Submitted by I (not verified) on

O gjenial, aty eshte komuna farke, jo bashkia tirane. Dhe kryetari eshte i pd

Submitted by luani (not verified) on

Ja ke fut kot plako. Masakren e ka bere kryekatundari i komunes Farke. s'ka lidhje me Ramen fare.

Submitted by arian (not verified) on

Damaret udhnore te nje vendi kane dy perparesi per te plotesuar;lidhjen socialo-ekonomike dhe lehtesimin e komunikimit me qendra te medha produktive(industriale dhe bujqesore).Karrfuret shkojne e vijne,jane xhepa te grisur.Ata qe i mbajne duart ne keta xhepa e dine kete,por jane te motos:dopo di me,il diluvio!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.