Detajet e platformës serbe

Platforma politike e Serbisë për Kosovën është një dokument, i cili nuk duhet nënvlerësuar. Ai vjen nga diplomacia e një vendi që nuk është shquar në veprime pa vlerë. Kush njeh historinë e kombit serb, kupton se ajo nuk është një histori e thjeshtë, por e ndërtuar me kultin e kundërshtarit dhe viktimës serbe.
Serbët janë ndër kombet e rralla që kanë ndërtuar historinë e ekzistencës së tyre edhe mbi mitin e humbjes, siç është rasti i betejës ballkanike të Kosovës përballë ushtrisë turke. Askush më shumë se serbët nuk e kanë ndërtuar historinë bazuar mbi “rastin e humbur”, i cili ka qenë burimi i lëvizjes kombëtare për të rikthyer kushtet tek “rasti i duhur” dhe ndryshuar atë që është bërë keq sipas tyre në kurriz të serbëve.
Platforma e Serbisë për Kosovën vlen të shihet në dy drejtime, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me atë cfarë shkruhet në të. Në fakt më e rëndësishme se sa ajo që paraqitet e shkruajtur është e pashkruajtura e nënkuptuar.
Dokumenti serb bën të qartë së pari se Beogradi nuk do të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të aktivizuar me kërkesën e vetë Serbisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
Së dyti, platforma për Kosovën është tregues se politika shtetërore e Serbisë nuk do ta pranojë si të përfunduar rendin ndërkombëtar dhe statuskuonë e vendosur pas luftës në ish-Jugosllavisë.
Me platformën për Kosovën, Beogradi në marrëdhënie me Prishtinën është duke përsëritur një mesazh të vjetër në “strukturë”. Në periudhën e Jugosllavisë, “krahina autonome” e Kosovës shpesh ishte e zgjedhura e Beogradit për të nisur nëpërmjet saj “mesazhet” e forcës për republikat e tjera jugosllave të cilat sot janë shtete të pavaruara. Serbët mund t’i akuzosh për shumë gjëra, por jo për naivitet. Aktualisht po ndodh e njëjta gjë pasi platforma për Kosovën funksionon si pjesë e pandarë e vizionit serb për “produktin” e dalë nga lufta e përgjakshme e prishjes sё ish-Jugosllavisë.
Platforma për Kosovën shfaqet pak e besueshme për atë që vlerëson se aty është paraqitur cdo gjë që ka të bëjë me planin serb për Kosovën. Në psikologjinë e formulimit të platformës hartuesit e saj luajnë me ambiguitetin e të drejtës ndërkombëtare për precedentë me histori të ndryshme nga ajo e Kosovës. Në platformë përsëritet disa herë rasti i krahinës së Katalonjës në Spanjë si precedent për trajtimin e statusit të Kosovës. A e besojnë diplomatët serbë këtë? Vlerësoj se ajo që besojnë ekspertët serbë për momentin është pamundësia e Bashkimit Europian si palë e interesuar për negociatën Prishtinë – Beograd për të dalë me një plan procedurash të vetin përballë divergjencave të brendëshme të saj për rastin e Kosovës. Spanja është lojtari kryesor i ngërçit europian për Kosovën. Ngërçi spanjoll ndodh për arsye të brendshme historike të këtij vendi, të cilën ekspertiza serbe nënvizon ta marrë si të vlefshme në rastin e qëndrimit të saj për Kosovën me qëllimin për të “ngrirë” konsensusin europian ndaj negociatave shterruese me Prishtinën.
Precedenti tjetër në platformë që të tërheq vëmendjen dhe që në fakt zhvlerëson “modelin katalanas”, është kërkesa që kisha ortodokse serbe në Kosovë të këtë statusin e Vatikanit në Itali(!)… Kjo në terma teknik shfaq sterilitet për të trajtuar çdo cështje të interesit serb në Kosovë me një precedent ndërkombëtar të njohur. Në esencë kjo tregon se planet serbe për Kosovën janë të mbivendosura dhe me disa parashikime. Pamja më e plotë e kësaj hipoteze është fakti se një platformë e cila nuk lë në harresë as gjuetinë dhe peshkimin në Kosovë kur vjen fjala për sigurinë e brendëshme të saj ofron një paragraf të cuditshëm dhe jashtë parimeve “katalonjeze”. Në këtë paragraf shkruhet se: “Garantuesit e sigurisë dhe statusit të demilitarizuar të AP KiM mund të jenë forcat ushtarake të BE-së (EUROCORPS), Ushtria e Serbisë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.” (!)
Nga një lexim fillestar i këtij paragrafi duket qartë se Serbia, garantët e sigurisë në Kosovë i shikon tek forcat ushtarake të Bashkimit Europian. Kjo automatikisht lë “jashtë” sigurisë së Kosovës prezencën ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Interesantja është ajo që vjen më pas kur angazhon Ushtrinë Serbe dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë për sigurinë e Kosovës (!)… Duhet padyshim guxim i madh për të shkruajtur një paragraf të tillë pasi ai shfaq qartë se plani serb për Kosovën nuk ka të bëjë me “standartet” e krahinës së Katalonjës në Spanjë. Ai shfaq një gatishmeri asimetrike serbe për ta parë cështjen e Kosovës si një cështje të hapur dhe me një mungesë të plotë përgjegjësie karshi statuskuosë rajonale apo paprekshmërisë së kufijve të post-Jugosllavisë.
Dëshira për të përfshirë Forcat e Armatosura të Shqipërisë në një platformë e cila konsiderohet si plan bisedimesh dypalëshe (pa Shqipërinë) tregon se plani serb kapërcen kufijtë për të cilat është deklaruar. Pyetja që shtrohet është se pse Serbia dëshiron “partneritetin” e Shqipërisë për stabilitetin e Kosovës? Ajo vazhdon me hipotezën e negociatave me Shqipërinë për këtë cështje “sigurie” të platformës serbe për Kosovën apo kemi të bëjmë me një ofertë të paturpshme e cila parashikon legalizimin e ndërhyrjes ushtarake të Serbisë në një moment të caktuar në territorin e shtetit sovran të Kosovës.
Platforma serbe për Kosovën duket se është një deklarim i njëanshëm për të fituar kohë dhe zyrtarizuar një politikë aktive e cila po krijon një precedent rajonal të implikimit ushtarak jashtë kufijve shtetëror.
Miti i “rastit të humbur” në historinë serbe do të krijojë mjaft probleme në rajon. Diplomacia serbe e “rastit të humbur” po projekton një statuskuo të ndërmjetme rajonale e cila mirëkupton paqen por jo stabilitetin. Kjo diplomaci po “blen” kohën me monedhën e kuptimit të dyfishtë për garancitë e paqes në rajon. Politika serbe ka aftësi të vecanta për tu kuptuar se cfarë nuk do. Platforma për Kosovën është një pohim i kësaj aftësie.
Presidenti serb Nikolic deklaroi se platforma për Kosovën duhet të miratohet më 10 janar, dhe se “askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më 11 janar”(!)…Ky “vallzim” diplomatik bëhet edhe më ironik kur presidenti serb shpejgon se nuk janë të vërteta interpretimet se platforma parasheh ndarje të Kosovës(!)… Nikolic duket i sinqertë në pohimin se: “Dallimi në mes të Republika Sërpskas (në Bosnjë) dhe komunitetit serb në Kosovë është se e para është pjesë e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa komuniteti serb në Kosovë do të jetë pjesë e një autonomie thelbësore dhe jo të një shteti të njohur ndërkombëtarisht, sepse Serbia kurrë nuk do të mund, të dojë dhe guxojë ta njoh Kosovën”…
Platforma serbe është e qartë. Ajo kërkon që nëpërmjet negociatave të detyrojë ndërtimin e një shteti jo funksional në Kosovë. Mospranimi i Kosovës si shtet dhe dominimi i mosfunksionimit të saj të brendshëm shfaqet si një dramë me dy akte e politikës serbe. Akti i parë quhet “negociatë”. Akti i dytë pret një balancë të favorshme ndërkombëtare…
Hallka më e dobët në rajon për degradimin e statuskosë së stabilitetit është Maqedonia. Ajo falë neurozës së identitetit mbart mëri të vjetra dhe të reja të fqinjëve të saj. Maqedonia është një “tokë” e mundësive të mëdha që plani serb për rajonin të fillojë atje dhe pa ta. Fantazia se një konflikti që do të akuzonte shqiptarët si të papërgjegjshëm ka gjasa të prodhojë për Serbinë përfitimet e ndryshimeve të favorshme rajonale për të.
Ajo që nuk parashikon platforma serbe janë… shqiptarët, kroatët dhe reagimin turk si veprim unilateral. Nato ka qenë dhe do mbetet në rajonin e interesave të veta eskluzive në Ballkan. Koha nuk është më një detaj diplomatik serb për Ballkanin. Mungesa më e madhe e platformës serbe për Kosovën është Miloshevici… Ky nuk është ngushëllim. Sigurisht!
(Botuar në Koha Ditore)
Comments
Bravo zoti Majko e keni
<p>Bravo zoti Majko e keni përshkuar në mënyrën më të saktë të mundëshme kjo është përshkruara e kundështarit në mund ta themë kështu ne çfarë kemi bërë dhe bëjmë</p>
Kjo wshtw njw analizw e thukt
<p>Kjo wshtw njw analizw e thukt e platwformws serbe tw cilwn kryeministri i kosovws duhet mirw t'a analizojw dhe tendencat e Srbisw pwr ate autonomi substanciale ti bllokoj dhe nwse wshtw nevoja edhe tw twrhiqet nga bisedimet</p>
Add new comment