Demokracia është një gjë, e shteti ligjor është një gjë tjetër

“Demokraci do të thotë të zbatosh ligjin”, dëgjohet të thuhet vazhdimisht nga njerëz të ndryshëm. Këtë e kish thënë pak a shumë edhe Ben Blushi në një shkrim të vetin të publikuar në “Panoramën” e djeshme. Në shkrim, në të cilin veçohej marrëdhënia që shqiptarët kanë me ligjin si tipari idiosinkratik që na dallon nga Europa në këto kohët moderne, bëhej një shpjegim i hollësishëm, dhe kronologjik, i mundimit të shqiptarëve për t’u bërë europianë dhe i zorit që po heqim për t’u pranuar në BE, por në një moment, dhe Blushit i shpëtonte fraza e mësipërme. Duke bërë dallimin midis pluralizmit dhe demokracisë, Blushi thotë: “Pluralizëm don të thotë shumë parti, gjë që ne e kemi, madje me bollëk; ndërsa demokraci don të thotë që të gjitha partitë të zbatojnë ligjin, gjë që nuk ka ndodhur”.
Përkufizimet e mësipërme mbi pluralizmin e demokracinë janë të thjeshtëzuara, por nuk është këtu çështja (ndoshta Blushi i ka përkufizuar qëllimisht kështu). Çështja është se ai gabon te përkufizimi i demokracisë. Të kuptohemi, merret vesh shumë mirë ajo që ka dashur të thotë, d.m.th që partitë, ashtu si edhe ne shqiptarët në tërësi, në ndryshim nga Europa e europianët, kemi një marrëdhënie problematike me ligjin, por përkufizimin e demokracisë e nxjerr nga xhepi. Për ndokënd mund të mos ketë rëndësi një ngatërresë e tillë konceptuale, pasi mesazhi i përcjellë është i qartë si drita e diellit, por duhet thënë se konceptet janë të rëndësishme, janë pjesë e kodit tonë të komunikimit; e na e vështirësojnë këtë komunikim kur një term a një koncept ndryshe e shohim ne, e ndryshe e shohin ca të tjerë, me të cilët jemi duke dhënë e duke marrë. Prandaj është mirë t’i saktësojmë (në fakt, t’i mësojmë ashtu si duhet) ca terma.
Demokracia nuk ka lidhje me ligjin. Demokraci do të thotë, në terma të thjeshtëzuar gjithashtu, garë idesh, vizionesh, interesash, programesh etj., në të cilën (garën) bartëset e përfaqësueset e këtyre ideve apo interesave, shkurt partitë, synojnë të marrin miratimin e shumicës së zgjedhësve, gjë që u jep të drejtën dhe legjitimitetin për të marrë më pas në dorë drejtimin e vendit. Në këtë kuptim, demokraci don të thotë dhe liri shprehjeje, liri shtypi, liri ndërgjegjeje, liri besimi, liri organizimi politik, e në këtë kuptim, pluralizmi është një ‘nënartikull’ i demokracisë.
Në një numër rastesh mund të lihet e nënkuptuar edhe marrëdhënia me ligjin sa herë që flitet për demokracinë, por në këto raste i bihet për shkurt, e koncepti “demokraci” përdoret në vend të konceptit “demokraci liberale”. Përcaktori “liberale” ka lindur si një përpjekje për të ndërtuar një koncept më të gjerë që të përfshijë si demokracinë, ashtu dhe sundimin e ligjit. “Rule of law”, thuhet në anglisht, dhe kjo nënkupton më së pari e më shumti që çdo qytetar, nga më i përunjuri e deri te më i pushtetshmi, të përgjigjen njësoj para ligjit.
Fillimisht ka lindur liberalizmi (prej nga vjen përcaktori ‘liberale”), d.m.th ideologjia që kish në themel të vet ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit, parimin se përballë këtij të fundit, d.m.th ligjit, janë të barabartë që të gjithë etj. Sipas Giovanni Sartorit, liberalizmi ka ekzistuar qysh përpara se të pagëzohej me emrin liberalizëm, praktikat liberale kanë ekzistuar shumë më përpara se ato të merrnin emrin praktika liberale. Magna Carta, e lindur në fillim të shekullit XIII, e që synonte të kufizonte pushtetin e mbretit të Anglisë e të sanksiononte disa të drejta të baronëve feudalë, ishte në thelb një dokument liberal, s’ka gjë se termi liberal me ngarkesën semantike të sotme është një shpikje e vonë, e shekullit XIX. ‘Habeas Corpus’ është gjithashtu një praktikë në thelb liberale, pasi njeh dhe mbron të drejtën e qytetarëve për t’mos u mbajtur në burg në kundërshtim me ligjin. E kështu me radhë.
Në fillim pra ka lindur liberalizmi, e më pas ka lindur demokracia, d.m.th partitë, gara mes partive, votimi i lirë, qeveritë që vijnë nga vota e shumicës, liria e shprehjes etj. E kështu është krijuar sistemi i qeverisjes që thirret me emrin demokraci liberale, i cili nënkupton edhe demokracinë, edhe shtetin ligjor.
Vijmë tani në rastin shqiptar. Blushi ndalet te konceptet pluralizëm e demokraci, duke krijuar si pa dashje idenë e një lidhjeje komplementare, në mos dikotomike, mes të dyjave. Mirëpo, s’duket se është kështu. Pluralizmi është pjesë e demokracisë. Kjo e dyta e ka brenda të parin. Nëse kemi thënë demokraci, kemi thënë dhe pluralizëm. Prandaj, analiza e rastit shqiptar mund të bëhet mbi bazën e dy koncepteve të tjera, demokracisë e shtetit ligjor. Ose, nëse duam të operojmë me vetëm një koncept, mbi bazën e demokracisë liberale.
Por është më mirë t’i marrim të ndara. Lind pyetja: Mund të thuhet që në Shqipëri ka demokraci? Pjesërisht, po. Te ne ka parti (ta lëmë mënjanë faktin që nuk janë parti në kuptimin korrekt të termit, d.m.th që janë grupe me frymëzime më shumë tribale sesa ideologjike), ka liri fjale e shtypi, ka liri organizimi politik, ka ballafaqim publik mes palëve politike etj. Nuk po ia dalim ende të organizojmë zgjedhje normale, nëpërmjet të cilave t’i njihet e drejta një shumice qytetarësh për të rrëzuar një qeveri e për t’ia dhënë të drejtën e drejtimit të vendit një qeverie tjetër, por në një farë mënyre e në një farë mase kemi bërë zgjedhje. Është e vërtetë, që shumicës në një numër rastesh i është mohuar e drejta të përcaktojë me votën e vet drejtimin e qeverisë qendrore, por në raste të tjera, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal, ka qenë shumica që ka vendosur. Shkurt, duke injoruar ndonjë rezervë të arsyeshme, s’ka gjë se të rëndësishme, mund të thuhet se ne jemi një rend demokratik.
Por kjo nuk është ndonjë arritje e madhe. Edhe Venezuela e Chavezit ishte një vend demokratik për aq sa ishte. Egjipti i Mubarakut e Rusia e Putinit, gjithashtu. E me këtë logjikë, ne shqiptarët, edhe sikur t’ia dalim të mbajmë zgjedhje normale, prapë se prapë nuk do të na hyjë në sy si arritje. Pse? Sepse ne nuk jemi një shtet ligjor, një shtet i së drejtës, një shtet konstitucional (s’ka gjë se kemi Kushtetutë). Te ne dhunohet në vijimësi parimi i barazisë së shtetasve para ligjit, parimi tjetër i ndarjes së pushteteve (parimi check&balance, e quajnë amerikanët), dhe në përgjithësi ligji është gjëja e fundit që merret këtejpari në konsideratë, dhe në këtë pikë personalisht e nënshkruaj me të dyja duart nënvizimin e Blushit. Ky i fundit thjesht gabon, kur bën lidhjen mes koncepteve demokraci e ligj. Që për mua, përsëris, janë dy koncepte të ndara.
Shqip
Comments
Në fillim pra ka lindur

Në fillim pra ka lindur liberalizmi, e më pas ka lindur demokracia, d.m.th partitë, ...

Dyshoj tek ky pohim Muçi. Me sa di une "demokracia" na vjen si term e koncept qysh nga Greqia antike. Ndoshta duhet ta argumentosh me mire kete.

Pershendetje

Si term, po. Por kaq.

Si term, po. Por kaq. Demokracia moderne nuk ka ngjashmeri me demokracine e Perikliut. Prandaj nuk e kam llogaritur si "demokraci". M. Nano

Shkrim shume i bukur.

Shkrim shume i bukur. Pergezoj z.Mustafa Nanon. Shume lexuesa e sidomos komentuesa kan çka mesojne nga ky shkrim.

Due te sqaroj diçka rreth shprehjes "bëhej një shpjegim i hollësishëm, dhe kronologjik, i mundimit të shqiptarëve për t’u bërë europianë dhe i zorit që po heqim për t’u pranuar në BE".

Nji popull i orjentalizuem me dhune per 5 shekuj rresht, don kohe te oksidentalizohet.

Chavez-Putin-Mubarak, nje

Chavez-Putin-Mubarak, nje trini qe mund te dale vetem nga dija sartoriane e Nanos. Me serioze ka qene trinia e pankartave pd-iste te 2001: Berisha-Bush-Berlusconi.

Add new comment