Bllofi nacionalist i Berishës

Postuar në 29 Dhjetor, 2012 04:39
Leart Kola

 

Ky është profili faktik i këtij politikani dhe i qëndrimeve që ai ka mbajtur me vullnet të lirë në kundërshtim me çfarëdo interesi kombëtar. Kjo është historia, pjesa tjetër janë vetëm pallavra që mundohen të përgjumin instiktin analitik të popullit

 

Liderët frikacakë i përdorin të gjitha për të zgjatur qëndrimin e tyre në pushtet. Ky është dhe rasti i këtij inkursioni energjik të Berishës në territorin sa komod po aq dhe kompleks të nacionalizmit. Por për fat të keq të tij, ky do t’i rezultoja dhe gabimi i fundit fatal në përmbylljen e karrierës së tij aspak të lavdishme. 
Berisha nuk është i ri, as në moshë e as në politikë, e për këtë kalibër politikani historia është më e rëndësishme se deklaratat e lidhura me aktualitetin. Për të kuptuar bllofin e ri të Berishës mjafton të shohim në retrospektivë marrëdhëniet e tij historike me shqiptarët jashtë territorit politik të Republikës. 
Në fillimvitet ‘90, Shqipëria ishte i vetmi vend që thyente embargon e vendosur nga perëndimi me Jugosllavinë. Shkodra ishte kryeqendra e kontrabandës së naftës,e cila bëhej me duart e agjentëve të të famshmit SHIK të Gazidedes me bekimin, patjetër të Berishës aso kohe president. Shteti shqiptar në këtë mënyrë u vu në shërbim të mbajtjes gjallë të makinerisë serbe të luftës, që qëllim kryesor kishte pikërisht asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës. Aq të mira ishin marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Beogradin, sa shpeshherë në trojet tona shëtiste i qetë dhe nën mbrojtjen e shtetit dhe krimineli i famshëm Arkan, i cili drejtonte operacionet e kontrabandës së kohës, dhe të masakrës së shqiptarëve më pas, me shumë mundësi me makinën që ecte përpara me naftën e kontrabanduar nga territori ynë. 
Nuk ka dyshim që periudha e konferencës së Rambujesë dhe qëndrimi i mbajtur nga Berisha i kohës, tregon dhe një herë për koordinimin e përkryer që ai kishte me Millosheviçin. Të dy këta ishin kundër nënshkrimit të Rambujesë. Një refuzim që do të përkthehej në më shumë shqiptarë të Kosovës të vrarë, e ndoshta dhe me zhdukjen përfundimtare të Kosovës si koncept politik. Historia është e pamëshirshme me politikanët, e është treguesi i vetëm korrekt i të tashmes. 
Kjo forcohet dhe më shumë, kur shohim veprimet politike të Berishës së pas 2005-ës. Aktivizimi i tij energjik kundër interesave të shqiptarëve të Kosovës është faktik dhe evident. Prej vitesh tanimë ai nuk nënshkruan me gjermanët kontratën për linjat e interkonjeksionit, të cilat do ja hiqnin përfundimisht Kosovës varësinë ndaj Serbisë. Kurrfarë argumenti nuk i ka ofruar shoqërisë përse nuk e bën këtë veprim që do ishte jo vetëm patriotik, por mbi të gjitha logjik, përveç faktit që për Saliun misioni kryesor politik është ai antishqiptar. 
Edhe njerëzit me të cilët rrethohet janë të njohur për vepra aspak patriotike në Kosovë. Lulzim Basha, njeriu më i afërt i kryeministrit, njihet në Prishtinë si ai që “qëndiste” dokumentat për dënimin e luftëtarëve të UÇK-së. Për këtë paguhej me një rrogë shumë të majme nga ndërkombëtarët. Sa për të kuptuar nivelin e hipokrizisë së këtij njeriu që sot drejton vendin, Luli i Saliut ishte njeriu që sistemoi letrat për dënimin e komandantëve të Dukagjinit, njeri prej të cilëve dhe vëllai i Ramush Haradinajt që u prit me aq “respekt” nga kryeministri, Daut Haradinajt. 
Në 21 vjet histori politike, Saliu kurrë nuk ka shërbyer si faktor bashkues për shqiptarët jashtë kufinjve politikë. Ai kurdoherë ka mbjellë përçarje mes tyre e ka shërbyer si një frymëzues dhe i korruptimit të politikës së shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, tamam ashtu siç ka bërë dhe në Shqipëri. 
Ky është profili faktik i politikanit Berisha dhe i qëndrimeve që ai ka mbajtur me vullnet të lirë në kundërshtim me çfarëdo interesi kombëtar. Kjo është historia, pjesa tjetër janë vetëm pallavra që mundohen të përgjumin instiktin analitik të popullit, duke ja vënë përpara këtë nacionalizëm turbo-folk që u shërben të gjithëve përveç ahqiptarëve. Prandaj dhe loja me nënshtetësinë është thjesht një bllof i një politikani që e ndjen se s’ka rrugë shpëtimi. Ai mundohet sot që të “fshehë” poshtë flamurit kushtet e vështira ekonomike në të cilat gjendet vendi. Ku ka më bukur për të se futja e popullit në një spartakiadë mediatike boshe me temë kush është më nacionalist, e shmangia kësisoj e thelbit të problematikës shoqërore që është ekonomia. Makineria shtetërore po mundohet të na bombardojë me trysninë e “o sa mirë me qenë shqiptar” për të shmangur pyetjet pse sot Shqipëria numëron 1 milion të papunë ku shumica janë të rinj. Pse sot në Shqipëri 20% e anëtarëve të shoqërisë tonë janë të dënuar me vdekje sepse nuk sigurojnë dot as bukën e gojës? Kush është përgjegjës për këtë shkatërrim total të së ardhmes ekonomike të vendit, ku janë shitur e plaçkitur gjithçka në 8 vjet? 
Janë këto bllofe të vjetra të një politikani të vjetër, që po mban sot, jo vetëm një shtet, por një komb të tërë peng të manisë së tij të pangopshme për pushtet personal. Çlirimi prej tij, do të shënjojë dhe çlirimin e politikës nga këto metoda të vjetra në gjithë hapësirën kombëtare politike shqiptare. Për fat të mirë tonin, e të keq të tij, dita është e afërt.

 

Marrë nga revistaklan.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.