Berisha mund të dalë i humbur, jo Top Channel

Postuar në 20 Mars, 2013 05:49
Eduard Zaloshnja

Goditjet e qeverisë Berisha ndaj Top Channel-it (gjoba disa milionë eurosh, kërcënime për prishjen e ndërtesës ku është selia qendrore e televizionit dhe, së fundi, mbyllja e studiove kryesore të televizionit tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”) kanë qenë qartazi akte shantazhi ndaj një medie të fuqishme kritike ndaj saj. Pavarsisht justifikimeve të spërdredhura ligjore për këto goditje, çdokush mund ta vërejë ndryshimin në trajtimin që i ka bërë qeveria Top Channelit dhe TV Klanit, i cili i ka të gjitha studiot dhe zyrat e veta në ish Kinostudion e vdekur (që ishte ndërtuar mbi tokat e pronarëve të ligjshëm, të pakompensuar deri më sot).

Por a kanë dhënë rezultat këto goditje të Berishës ndaj Top Channel-it?

Top Channel ka qenë dhe mbetet një nga zërat më efektivë kritikë ndaj qeverisë – ndoshta më efektiv se sa kanë qenë së bashku të gjitha partitë opozitare në luftën e tyre për mendjet dhe zemrat e votuesve të lëkundur (për të cilët bëhet beteja politike kudo në botë). Koalicioni opozitar ishte shumë afër fitores së plotë në 2009-ën dhe 2011-ën, por Zoti e di se sa do t’i ishte afruar, në qoftë se emisionet e lajmeve të Top Channel-it apo emisionet “Fiks Fare”, “Portokalli”, “Top Story”, “Top Show” etj. nuk do të kishin përcjellë zërat kritikë ndaj qeverisë tek miliona shqiptarë.

Prishja me urgjencë e studiove të Top Channel-it tek ish ekspozita “Shqipëria Sot”, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit, mund t’i shkaktojë atij një kosto rreth 1 milion euro (kaq është vlerësimi i ekspertëve kontabël, sipas një komunikimi telefonik që pata me Drejtorin Ekzekutiv të Top Channel-it), por kjo nuk duket se do ta zbusë zërin kritik të këtij televizioni. Përkundrazi, si çdo televizion në botë, kur sulmohet në mënyrë selsktive nga qeveria, edhe Top Channel-i veçse duket se do ta shtojë dozën e kritikës.

Ndërkohë, emisionet që ndikohen nga prishja e studiove (“Portokalli”, “Top Story”, “Top Show” etj.) mund të kenë vështirësi realizimi këtë javë, por do ta vazhdojnë rregullisht programin në studio të ngritura me urgjencë në godinën e re të Top Channel-it tek Kthesa e Kamzës. (Nga një vizitë që bëra tek ish ekspozita “Shqipëria Sot”, konstatova se po punohej me intensitet për transferimin brenda javës të skenave të studiove drejt godinës së re.).

E pra, është e qartë se Top Channel-i dhe emisionet e tij kryesore do t’i mbijetojnë goditjes që i dha qeveria Berisha me prishjen e studiove tek ish ekspozita “Shqipëria Sot”.  Dhe plaga financiare që i shkaktoi kjo goditje vetëm se mund ta motivojë edhe më shumë atë për forcimin e tonit kritik ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, votuesit e lëkundur mund të jenë  të prirur për ta ndjekur më me vëmendje Top Channel-in pas kësaj përplasje me qeverinë. Dhe në prëplasjet e një Davidi me një Goliath, ata zakonisht anojnë nga i pari…

Comments

Submitted by Gjon (not verified) on

<p>z. Zaloshnja,</p><p>Nese do te flitet per nje beteje midis Davidid dhe Goliath, ajo eshte beteja midis pronareve te tokes dhe mediave uzurpuese, perfshi ketu edhe token ne Kinostudio te Klanit. Perse betejat tuaja politike nuk i zhvilloni pa uzurpuar tokat e tjeterkujt?</p><p>Ka toka ne shitje sa te duash ne periferi te Tiranes per te ndertuar komplekse televizive pa cenuar te drejtat e askujt. Sa jane humbjet financiare qe kane pesuar pronaret e ketyre tokave ndersa TCH apo Klani kane fituar e vazhdojne te fitojne milionat?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.