Ç'ne frikë gjenerali?

Postuar në 09 Shtator, 2011 04:03
Arbër Zaimi

Dje në emailet e stafit redaksional të shtypit shqiptar qarkulloi një deklaratë e shkurtër e ish-shefit të shtabit të përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxhës, që mësojmë se aktualisht është pedagog pranë një universiteti privat me tendenca të dukshme eurocentriste. Në deklaratë, zoti gjeneral bën me dije se në një bisedë që ka patur me ish-ambasadorin Uidhers, në një takim konfidencial “kortezie”, ai kurrë nuk e ka përmendur emrin e zotërisë Shkëlzen Berisha, “as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune” që pedagogu gjeneral trajtoi aso kohe miqësisht e konfidencialisht me ish-ambasadorin amerikan. Nuk e dimë se kush ia shtroi pyetjen gjeneralit, që na kthen një përgjigje të tillë, mirëpo në përgjithësi përgjigje të tilla njerëzit ia kthejnë pyetjeve që shtrojnë vetë, kur nuk i zë gjumi në darkë.

Gjeneral Hoxha konfirmon se e vetmja dëshmi që mund t’i quhet e vlefshme, është ajo që ka dhënë para Prokurorisë, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e në Ministrinë e Mbrojtjes, në të cilat vetëkuptohet, ai nuk e ka përmendur zotërinë Shkëlzen B.

Mundësitë janë dy, ose ish-ambasadori amerikan ka mashtruar vendin e vet, e në këtë rast gjenerali që siç thotë në letër, është “përpjekur të japë maksimumin… në situata normale apo dhe shumë të vështira”, duhet të bëjë me dijeni edhe institucionet amerikane që ta ruajë këtë vend mik nga të tilla keqbërje; ose mundësia e dytë është që ekipi i aktivistave të ëikileaks, ekip që nuk është akuzuar seriozisht as nga vetë SHBA për manipulim të kabllogrameve, të kenë përveshur mëngët e të kenë shtuar vetë elemente që përbaltin politikanë e gjeneralë shqiptarë – edhe pse kjo e dyta nuk ka shumë gjasa, sepse ndër 250 mijë kabllograme do të qe shans derri që Assange të kapte pikërisht atë ku flitej për Luan Hoxhën.

Nuk na i lejon etika që të mendojmë një mundësi të tretë, sa i përket deklaratës së të ndershmit gjeneral Hoxha, të cilin nuk duam ta shqetësojmë në ushtrimin e misionit fisnik të mësimdhënësit (dy pyetjet që më lindin janë: ç’lëndë jep mësim ushtaraku në universitet civil, apo u bën “zbor” studentëve europianë? si dhe, po në telefon e kanë marrë ndonjëherë nga ambasada amerikane pasi u largua nga pozicioni i shefit të shtabit të përgjithshëm?)

Pasi shtruam dy mundësitë që do të marrim parasysh sot e tutje, mbetet të presim edhe deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajt, të cilin gjithashtu e besojmë se nuk ka përmendur kurrë në takim me shefin e ICITAP- Agron Kuliçajn, e as faktin që ai mbrohet drejtpërdrejt nga Berisha.

Pas deklaratave të këtyre dy burrave që drejtonin ushtrinë e policinë, pra drejtonin gjithë forcat e armatosura të këtij vendi – e që natyrisht nuk ka se si të kenë patur frikë nga Berisha, pritet të vijojnë një mori deklaratash nga civilë të ndryshëm, që as ata s’kanë frikë nga Berisha, dhe nuk ia kanë përmendur kurrë emrin, se s’kanë patur pse.

Vetë opozita po e bën një deklaratë të tillë, edhe pse pa e nisur me email. Heshtja e opozitës ndaj dritës që Wikileaks hodhi mbi hijet e pushtetit është e qartë, vetë e ndershmja opozitë, njësoj si gjenerali e kryepolici është duke i thënë popullit se në takimet e saj konfidenciale e korteze me Uidhersin, as ajo nuk e ka përmendur kurrë as Shkëlzenin e as të atin.

Bukur shumë. Edhe unë me këtë shkrim deklaroj se nuk kam frikë nga Berisha e nga familja e tij, dhe kam përmendur kurrë Shkëlzenin e të atin, dhe gjithçka që mund të thonë kundër kësaj është një deklaratë e pavërtetë. Askush në Shqipëri nuk e ka përmendur Shkëlzenin e të atin. Askush nuk ka frikë! Uidhers gënjeu! Nëse fillojnë hetimet, le të hetohet Uidhers…

Marrë nga Shekulli

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

<p>&nbsp;&nbsp;&nbsp; Kur ka frike &quot;gjenerali&quot; ushtaret dhjesin ne breke...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.