Të burgosur nga politika

Postuar në 02 Qershor, 2012 04:54

Dje ishte 1 qershori, dita zyrtare e fëmijëve, - dita kur shoqëria kthen sytë dhe vëmendjen nga problemet e shumta me të cilat përballen fëmijët, kushtet e jetesës, edukimit, shëndetit dhe përkujdesjes familjare të tyre. Në Tiranë dhe në qytetet tona kryesore u organizuan disa dhjetëra aktivitete „fëmijësh“, me një ndryshim nga praktika evropiane: ato nuk ishin për fëmijët, por shumica e tyre u inskenuan nga politika me përdorimin e fëmijëve si fasadë. Kushdo që kaloi dje paradite përpara Pallatit të Kongreseve pa e dëgjoi prova muzikore, këngë e thirrje të vazhdueshme me megafon që paralajmëronin se pas pak në mesin e tyre do të ishte një Prof. Dr. që është kryeministër, një zyrtare tjetër që drejton në parlament, një tjetër që ka zënë vend në Ministrinë e Punës, etj. Nuk pati vjersha e këngë për abetare dhe as për personazhe fëmijësh, nuk pati personazhe cirku as humori fëminor, nuk pati lëvdata për fëmijë të dalluar në mësime dhe as krijimtari të tyre, - thjesht e vetëm, një skenar burrëror me këngë folklorike, luftëra e himn kombëtar në pritje dyorëshe për të parin e partisë së parë në vend.
Një reminishencë që na kujton periudhën që patëm menduar se lamë pas më 1990. Kryelajmet e medies dje për 1 qershorin ishin fjalimet e kryetarit të partisë në qeveri, pastaj të atij në opozitë, pastaj të deputetëve të partisë në parlament, pastaj të ministrit të partisë, pastaj të kryetarit të partisë në bashki dhe në fund si zakonisht edhe aktivitetet „humanitare“ të bashkëshorteve të shumicës prej tyre. Kaq. Si përherë, si çdo ditë, si për gjithçka. Edhe ditë më parë kur në Himarë na ndodhi tragjedia me helikopterin e parë spitalor nuk shkuan në vendngjarje mjekët, por vetë ministrat dhe kryeparlamentarja. Në spitalin ushtarak nuk shkuan të parët ekipet mjekësore, vullnetarët e dhurimit të gjakut apo donatorët e mundshëm, por vetë ata, kryetarët e partisë së parë, të dytë, të tretë, të katërt, dhe të gjithë, me një protokoll provincial, morën profesionin e mjekut dhe dolën në media për të informuar për gjendjen e të sëmurëve. E njëjta gjë na ndodh edhe me ditën e punëtorëve, ditën e shtypit, ditën e mjekut, ditën e nënës, ditën e dëshmorëve, festat fetare, ditët e gëzimit dhe të hidhërimit, me ndeshjet e kombëtares dhe deri edhe me analizën e këngës që na përfaqësoi në eurosong. Të rrethuar nga politika, të viktimizuar dhe të dënuar prej saj, të zhgënjyer dhe të refuzues ndaj saj, ne vijojmë të jemi një shoqëri e burgosur nga partitë, e kufizuar në liri mendimi e veprimi, e paaftë të jetojë e lirë, e pavarur dhe dinjitoze pa nevojën jetësore të teserave, flamujve dhe portreteve partiake. Kaq thellë ka hyrë instinkti i kontrollit nga politika saqë rasti i fundit dëshmoi se edhe varrimet nuk i bëjmë dot pa pritur ardhjen e udhëheqësve partiakë edhe kur ata janë jashtë vendit, siç në pritje të tyre festuam një ditë më vonë pranimin në NATO, një javë më vonë liberalizimin e vizave, apo një javë përpara përvjetorin e ndryshimit të sistemit politik. Një sjellje histerike që përsëritet pavarësisht nëse në pushtet ndodhet e majta apo e djathta, një kryeministër tranzicioni apo një kryeministër partiak, një aleancë vlerash apo aleancë numrash parlamentar, - pra një tipar parademokratik i një shoqërie ende e paçliruar nga mbipushteti i partisë, liderit dhe politikës.
Një paradoks që të kujton tragjikisht historinë me një politikan të njohur amerikan rreth 140 vjet më parë, kur ai i lumtur thirri skllevërit e pronës së tij dhe u dha lajmin se me dekret presidencial ata janë të lirë. Skllevërit u gëzuan, por pas pak iu rikthyen punës së zakonshme. Kur politikani i habitur i pyeti ata përse nuk largohen, përse nuk e shijojnë lirinë, ata u përgjigjën: ne skllevër kemi lindur, nuk njohim padron e jetë tjetër ndaj do vazhdojmë edhe të lirë të punojmë e jetojmë këtu. Shoqëria jonë më 1990 u nda nga partia – shtet dhe sistemi i frikës, dhunës e servilizmit, por pas 20 vitesh fatkeqësisht vijon të jetojë me modelet e tij, me sjellje e mentalitete të njëjta, - një mallkim që minimalisht nuk duhet lejuar të prekë, sëmurë ose burgosë fëmijët tanë, shpresën e vetme për një shoqëri dhe Shqipëri tjetër.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.