Skenari i dialogut
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Skenari i përgjithshëm për dialog është tashmë i përcaktuar në Bruksel, dhe sipas tij procesi do të duhej të krijonte rrethana të reja, në të cilat Serbia do të pranonte ekzistimin e Kosovës pa pasur nevojë ta njohë atë (modeli gjermano-gjerman), ndërsa në shkëmbim Kosova do të jepte koncesione shtesë për serbët dhe Serbinë (autonomia për veriun)
Takimi ndërmjet Thaçit e Daçiqit, i zhvilluar me dyer të mbyllura të zyrës së Ashtonit, shënon nisjen e dialogut të shumëpërfolur politik, që për qëllim thuhet se ka “normalizimin” e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ajo që ka rënë së pari në sy, ishte fakti që ky takim, ani pse po cilësohet si “historik” edhe nga BE-ja, edhe nga zyrtarët kosovarë, u zhvillua me një diskrecion jotipik për momentet e tilla “historike”, pa praninë e kamerave dhe gazetarëve, pothuaj në “ilegalitet” dhe me dyer të mbyllura, ndërsa pjesëmarrësit e takimit nuk mbajtën një konferencë të përbashkët për media për të folur për rëndësinë e takimit, por adresuan, veç e veç, vetëm publikun e vet – Thaçi publikun në Kosovë, Daçiqi atë në Serbi.
Një shenjë kjo për “ndjeshmërinë” jo vetëm të një takimi të tillë, prej të cilit madje as fotografi zyrtare nuk u publikuan të premten, por edhe të gjithë dialogut të saponisur politik, i cili po ndërtohet pa një agjendë të deklaruar, dhe me shumë dyshime për cakun nga është nisur dhe ku vërtet mund të arrijë. Organizatori duket se ka zgjedhur të mos i bëjë reklamë të madhe procesit, nga frika se vëmendja e madhe do të sjellë edhe presionin e shtuar nga publiku në Kosovë, por edhe në Serbi, për të ditur se çka vërtet do të arrihet me këtë dialog.
Sa i përket publikut në Kosovë, besimi në kryeministrin dhe në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Presidencën dhe Parlamentin tashmë ka rënë në nivelin më të ulët, sa i përket dialogu me Beogradin. Dhe ka shumë arsye pse kjo është kështu, prej të cilave mbase do veçuar faktin se zyrtarët e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë asnjëherë nuk kanë treguar sinqeritet në lidhje me procesin e bisedimeve me Serbinë, dhe vazhdimisht janë zënë “në rrenë”.
Kur përgatitej “dialogu teknik”, të gjithë në Qeverinë e Kosovës, përfshirë kryeministrin Thaçi, thoshin se “Kosova nuk do të hyjë në kurrfarë dialogu politik me Serbinë”. Dhe tani dialogu politik po nis. Pastaj thanë se “dialogu politik nuk do të nisë pa zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu teknik”. Shumica e marrëveshjeve të Edita Tahirit me Borko Stefanoviqin nuk janë zbatuar ende, e dialogu politik ia nisi.
Andaj, duket një ogur i keq kur qytetarët e Kosovës dëgjojnë kryeministrin dhe vartësit e tij, apo edhe presidenten, apo edhe liderët opozitarë që e përkrahin dialogun, të thotë se “me Serbinë nuk do të diskutohet rregullimi i brendshëm i Kosovës”, apo “nuk do të ketë autonomi për veriun e Kosovës”. Sepse, zakonisht ndodh e kundërta e asaj që zyrtarët tanë e thonë publikisht. Po nëse kosovarët nuk mund t’u besojnë liderëve të tyre, kujt duhet t’i besojnë atëherë?
Është e qartë se edhe zyrtarët serbë e gënjejnë opinionin e tyre. Dialogu politik nuk mund ta kthejë Kosovën nën Serbi, e as Serbinë në Kosovë. Kjo, së paku, është e qartë. E qartë duket të jetë edhe se ndarja, si një “Plan B” i Serbisë përjashtohet si opsion. Andaj, duhet vëzhguar dhe pritur ato që nuk përjashtohen nga faktori ndërkombëtar.
Në këtë kuptim, kohët e fundit, fjalët kyç të përmendura nga zyrtarë e burime ndërkombëtare vazhdimisht kanë qenë “modeli gjermano-gjerman”, dhe “një lloj autonomie substanciale për veriun”. Ajo që vazhdimisht është thënë nga faktorë ndërkombëtarë, më së shpeshti jozyrtarisht, por në momente të caktuara edhe publikisht, është se skenari i përgjithshëm për dialog është tashmë i përcaktuar në Bruksel, dhe, sipas tij, procesi do të duhej të krijonte rrethana të reja, në të cilat Serbia do të pranonte ekzistimin e Kosovës pa pasur nevojë ta njohë atë (modeli gjermano-gjerman), ndërsa në shkëmbim Kosova do të japë koncesione shtesë për serbët dhe Serbinë (autonomia për veriun).
Ka qenë vetë ndërmjetësuesja e takimit Thaçi-Daçiq ajo që ka paralajmëruar se të dyja palët duhet të marrin vendime të vështira në këtë dialog, duke konfirmuar atë që burime të ndryshme e kanë thënë me muaj, madje vite: zgjidhja e ofruar nga Ahtisaari nuk është zbatuar në veri të Kosovës, dhe atje do të duhej të gjendej një tjetër model, nëse Kosova do të shtrijë sovranitetin e vet atje dhe të mos detyrohet, pas ca vitesh, ta ndryshojë hartën në flamur.
Për ata që shohin e kuptojnë, është e qartë: Kosova ka hyrë në një negociatë ku çështja kryesore në tavolinën e diskutimit do të jenë veriu i Kosovës dhe rregullimi i ri i tij. Si do të përfundojë, varet shumë edhe nga mënyra si do të paraqitet Kosova në këtë proces.
Nëse kryeministri Thaçi vazhdon si deri tani – pa plan e strategji shtetërore, pa interesa të deklaruara kombëtare, pa insistim në përmbushjen e kushteve të vendosura më parë, pa agjendë të veten dhe me prirje për koncesione pa limit - perspektivën e kemi të zymtë. Një kthesë pozitive do të ishte nëse Thaçi - me vetiniciativë apo i shtyrë nga Parlamenti apo edhe presidentja Jahjaga - do të insistonte se takimi i ardhshëm i dialogut nuk mund të ndodhë nëse deri atëherë Serbia nuk nis zbatimin e plotë të marrëveshjeve “teknike” të cilave duhet bashkangjitur insistimin që Beogradi ta ndërpresë financimin e strukturave paralele.
Fatkeqësisht, me këtë kryeministër, këtë qeveri, këtë parlament e këtë presidente që kemi pritjet e tilla nuk janë realiste. Natyrisht, shpresa vdes e fundit, apo jo.
Add new comment