Shtypi amerikan për fjalimin e Romnit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Pranimi i nominimit republikan për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, nga ana e Mit Romnit në konventën partiake në Tampa të Floridës, komentohet gjërësisht në të përditshmet amerikane.
Në shkrimet e gazetave Washington Post dhe New York Times trajtohen pikëpamje të ndryshme të fjalimit të Mit Romnit dhe bëhen krahasime me politikat e presidentit Barak Obama.
Në editorialin e së përditshmes Washington Post, me titullin “Më e mirë akuza se lavdërimi”, në fillim shkruhet e duke e pranuar nominimin për president, Mit Romni, u përqendrua në tri çështje: në shpjegimin se përse presidenti Obama nuk meriton rizgjedhje, duke e paraqitur vetveten në aspektin njerëzor dhe duke e shtruar temën se ku do ta çoj ai vendin.
Ai ishte më së shumti efektiv në çështjen e parë. Kur i nominuari për zëvendëspresident, Pol Rajan, pati marrë qasje prokuroriale, zoti Romni, qartazi, foli më tepër me një pikëllim se sa me zemërim për presidencën e Obamës dhe për dështimin e saj që ta realizojë “atë që amerikanët e merituan”, siç u shpreh Romni.
Ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, ka synuar ta paraqes vetveten si person familjar, pjesëtar i kishës dhe fqinj, e jo si një financier i largët, siç është përshkruar.
Ai, poashtu, e bëri një sentencë për votueset amerikane, duke i përkujtuar komentet e nënës së tij, derisa kishte kandiduar pa sukses për Senat, “përse grave duhet t'u dëgjohet më pak zëri se meshkujve, për vendimet e mëdha në situatat me të cilat ballafaqohet vendi ynë”?, shkruan Washington Post. Por, sipas gazetës, zoti Romni e paraqiti vetveten më tepër si një menaxher imagjinativ se sa një vizionar ideologjik. Ai është tallur me pretendimet e mëdha të zotit Obama, me një premtim tërheqës “për t’ju ndihmuar juve dhe familjen tuaj”.
Por, sipas Washington Postit, në fjalimin e tij zoti Romni nuk demonstroi se si do ta bëjë këtë. Argumenti i tij kundër zotit Obama ishte më i fuqishëm se sa lavdërimi për vetveten, shkruan në fund të editorialit e përditshmja Washignton Post.
E përditshmja New York Times, në artkullin me titull “Zoti Romni ndryshon historinë”, vlerëson se fjalimi i të nominuarit republikan për president amerikan ishte fjalimi më i rëndësishëm në jetën e tij, që përfundoi me një ndryshim të jashtëzakonshëm të historisë: se partia e tij u radhit pas Obamës, kur ai fitoi në vitin 2008, duke shpresuar se ai do të ketë sukses.
“Ky president nuk ishte zgjedhje e partisë sonë”, tha ai, dhe shtoi se “ne jemi popull i mirë dhe bujar, që jemi të bashkuar në më shumë gjëra, se sa ato që na ndajnë”.
Por, siç është dëgjuar rrallë herë këtë javë në Tampa të Floridas, e vërteta është se republikanët e kishin skicuar një kurs të mohimit dhe obstruksionit nga dita kur zoti Obama u inaugurua, të përkushtuar për të mos lejuar që ai të rizgjedhet, duke e mohuar çfarëdo të arritur të tij, pa marrë parasysh çmimin për ekonominë ose sigurinë amerikane, bile edhe nëse kjo nënkupton mbajtjen peng të rejtingut kreditor të vendit për një agjendë të ngushtë partiake.
Për dekada, republikanët ishin të aftë që ta paraqisnin vetveten si parti më e ashpër në politën e jashtme dhe atë ushtarake, shkruan New York Times.
Por, zoti Obama ua mori këtë pamje duke qenë agresiv në kundërterrorizëm dhe duke i treguar muskujt ushtarakë dhe diplomatikë në mënyrë të përsëritur dhe efektivisht.
Zoti Romni është përpjekur të duket i ashpër, por është vështirë të shihet se si ai do të vepronte ndryshe nga zoti Obama, me përjashtim për çështjet që janë frikësuese, siç është sulmi ndaj Iranit, ose shpenzimi i tepërt në mbrojtje, në mënyra që nuk do të sillnin siguri shtesë, por do ta dëmtonin ekonominë, shkruan pos tjerash, e përditshmja New York Times.
*Radio Europa e Lirë
Add new comment