Sëmundje presidenciale

Postuar në 23 Korrik, 2012 05:28

Ndodh nganjëherë që populli gabon kur zgjedh drejtuesit e tij. Kërkon më të mirin, më të zotin, por zgjedh thjesht më të bukurin. Si në vitin 1921 për shembull, kur amerikanët zgjodhën presidentin më të keq në historinë e tyre, Warren G. Harding. Ishte më inkompetenti dhe më dembeli; nuk u artikulua as edhe një herë të vetme publikisht për problemet më të mprehta të kohës; më tepër se punën preferonte pokerin, golfin dhe femrat. Por dihet se pse u zgjodh! Ishte i gjatë, bukurosh dhe i hijshëm. Thuhet që bosët republikanë e propozuan thjesht sepse kishte pamje presidenciale. Harding ka hyrë në histori si ilustrim i asaj që ndodh kur përshtypjet e para janë aq të forta sa e mjegullojnë gjykimin e kujdesshëm analitik. Në librin e tij “Blink”, Malcolm Gladwell i kushton një kapitull prirjes së mendjes njerëzore për të gjykuar shpejt e shpejt thelbin, personalitetin apo zotësinë e dikujt mbi bazën e paraqitjes së tij të jashtme, prirje të cilën e quan “Waren Harding Error”.

Në Shqipërinë e vitit 2012, politika e do fort popullin e vet, prandaj nuk e lë të gabojë, prandaj nuk e lë as të zgjedhë. Kështu që edhe kësaj radhe, e zgjodhi vetë edhe presidentin. Ndryshe nga populli amerikan, ngaqë kishte pasur eksperienca jo fort të këndshme me presidentët e mëparshëm me pamje presidenciale – shtatlartë e hijerëndë – dhe ishte zhgënjyer prej secilit, i hodhi poshtë dy kandidatura me paraqitje vërtet presidenciale dhe zgjodhi si president të saj të 6-të më partiakun, më shëndetligun. Sigurisht që sëmundja (të paktën kjo lloj sëmundjeje) nuk e pengon presidentin t’i kryejë detyrimet e tij dhe ta përmbushë rolin honorifik, por pikërisht ngaqë na është thënë se presidentin e kemi honorifik, pse mos ta pretendojmë edhe pak estetik?

Nejse, kjo s’ka fort rëndësi tani, sepse përtej paraqitjes jopresidenciale, ndryshe nga shumëkush, unë kam filluar ta shoh gjendjen jo të mirë shëndetësore të presidentit si një mundësi që ai të çlirohet nga paragjykimi si president partiak. Siç thotë edhe i sëmuri i përjetshëm, edhe ky me mustaqe, Niçe, jeta ka nevojë për sëmundjen si një mjet apo si një grep për të kapur vetëdijen. Sëmundja e shkëput njeriun nga rrjedha rutinë e jetës dhe e largon rrezikun që mendja të humbasë si një pijanec i dehur nëpër ato rrugët e saj të preferuara. Dhimbja e sëmundjes e bën njeriun esëll, ia mpreh shqisat. Shëndetligu i përjetshëm Niçe kërkon të na bindë se sëmundja është një korrektues efikas kundër fantazive dhe paragjykimeve. Me një qartësi të esëllt një i sëmurë i sheh gjërat edhe përtej gjërave. Një politikan të sëmurë e përfytyroj gjithnjë të shqetësuar e nervoz, vazhdimisht me shqisa të mprehura, sensibël, të etur për të mësuar, veçanërisht të guximshëm dhe aktiv ngaqë jeton në fqinjësi të përhershme me rrezikun. I gjendur vazhdimisht në pragun e jetës së përtejme është më transhendent, më i rafinuar, më spiritual. Sidomos për një president kjo ka avantazhe të jashtëzakonshme. Imagjinoni me çfarë lehtësie mund t’i kapërcejë një president i tillë pozicionet e ngurta partiake!

E gjatë është lista e atyre, të cilëve sëmundja ua çliroi mendjen dhe i bëri më të aftë për horizonte e interpretime më të reja, më iluministe, më inteligjente. Homeri, Jul Çezari, Bajroni, Maria-Theresia, Beethoveni, e deri tek “kancelari i hekurt” Bismark janë vetëm disa nga shembujt që ilustrojnë se si sëmundja vihet në shërbim të një performance të shkëlqyer në art, shkencë e në pushtet.

Sigurisht që unë nuk pres nga sëmundja e presidentit tonë frymëzimin e Homerit të verbër apo gjeninë e një Beethoveni të shurdhër. Do të mjaftohesha me largpamësinë vizionare dhe pavarësinë vendimmarrëse të një Çezari epileptik apo Bismarku nevrastenik.

Mund t’ju duket shumë, ngaqë shenjat nuk janë fort premtuese. Nëse ndodh që të kemi një president mbipartiak, do të themi: sëmundja e presidentit Nishani bëri një mrekulli! Duke e shëruar politikën nga sëmundja e saj e vjetër: paaftësia për të zgjedhur një president mbi palët!

Mapo

Comments

Submitted by I-liri (not verified) on

<p>&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; Nuk do te vonoje shume dhe do te shohim hungerimen e pare te SRB-it, kunder presidentit te ri. Sepse dihet se presidenti nuk vepron me mendje te tij. Ka shume qe e keshillojne, nga brenda dhe nga jashte. Sa do te zgjase &quot; muaji i mjaltit&quot;?</p><p>Bastet kane filluar.....</p>

Submitted by nik (not verified) on

<p>ik more Gilman trapi.ti permendesh semundjen tjetrit.Nuk te uroj vdekjen por u semufsh vete dhe mbetsh spitaleve o qelbesire (gjoja i shkolluar)</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.