Pse nuk i liberalizohen vizat Kosovës?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Të gjitha raportet e strukturave të BE-së, të brendshme dhe të jashtme, rreth Kosovës nxjerrin një konkludim jashtëzakonisht të rëndë: Kosova paraqet rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së. Për ata të cilët e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë mendohet me këtë pohim, ja një nga shpjegimet e mundshme. Europianët e shohin Kosovën si vend tranziti të drogës, të heroinës dhe të kokainës. E shohin si vend ku trafikohen gratë dhe fëmijët. Institucionet e Kosovës nuk kanë vullnet të qartë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në Europën Perëndimore ka shumë grupe të krimit të organizuar me origjinë nga Kosova. Vërtet ka kriminelë edhe nga tërë bota, por të ketë me përqindje aq shumë nga një vend që nuk i ka as dy milionë banorë, atëherë problemi është vërtet serioz. Si konstatim, del se qytetarëve të një shteti të tillë askush në BE nuk do të mundohet t’ua mundësojë lëvizjen pa viza në vendet e zonës Schengen. Madje edhe prania e BE-së në Kosovë si prioritet duhet të ketë “sigurinë e brendshme të BE-së”. Edhe tashmë i famshmi raport i Gjykatës së Auditorëve të BE-së kishte qortuar praninë e BE-së në Kosovë, se nuk po i përmbahet sa duhet parimit sipas të cilit “siguria e brendshme duhet të jetë prioritet në veprimin e jashtëm“. E në Kosovë e tërë prania e BE-së është në kuadër të “veprimit të jashtëm“, edhe EULEX-i, edhe Zyra e BE-së. Pra, nuk është prioritet i BE-së që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin sa më parë pa viza në BE, por është prioritet që në Kosovë të ketë sa më pak krim të organizuar dhe sidomos krim që, në çfarëdo mënyre, mund të eksportohet në vendet e BE-së. Janë autoritetet e Kosovës ato që duhet t’u përgjigjen akuzave të rënda që vazhdimisht bëhen nga strukturat e Bashkimit Europian. Por ato përgjigje nuk mund të jenë politike. Duhet të jepen përgjigje me fakte. Për fat të keq, aktualisht Kosova nuk ka shumë fakte për t’i hedhur poshtë kritikat.
Kritikat e BE-së ndaj Kosovës janë të ashpra dhe nuk janë mirëpritur as nga qarqet politike në BE. Madje për qëllime politike Brukselit do t’i duhej më shumë një raport sa më pozitiv për Kosovën. Por në BE dhe në shtetet anëtare janë pushtetet e ndara. Ministrat e jashtëm bëjnë politikë: Por ministritë e brendshme dhe strukturat e sigurisë janë të pavarura në punën e tyre dhe ato shohin situatën pa filtra politikë. Ata nuk do të bëjnë raporte të rrejshme për qëllime politike, sidomos jo kur është fjala për mundësinë e heqjes së vizave. Dhe këtu qëndron problemi i Kosovës. Autoritetet e Kosovës janë bazuar tepër në kontaktet me politikanë të BE-së. Në të shumtën e rasteve i kanë kuptuar tepër seriozisht premtimet e dhëna në momente të caktuara nga politikanë të cilët vetë nuk kanë as edhe ndikimin më të vogël në procesin e liberalizimit të vizave. Zonja Ashton dhe bashkëpunëtorët e saj mund t’u kenë premtuar ndoshta Edita Tahirit e më vonë edhe kryeministrit Hashim Thaçi “liberalizim vizash në afat rekord“, por kjo nuk është në fuqinë e tyre. Kjo punë i takon Drejtorisë për Punë të Brendshme dhe në fund vendimi eventual merret nga ministritë e brendshme. E ato ministri i shikojnë faktet dhe numrat e jo qëllimet politike. Prandaj edhe nuk ka hapësirë për një liberalizim të shpejtë vizash për kosovarët, sepse politikanët në vendet e BE-së nuk mund t’i injorojnë raportet aq negative për Kosovën, sado që për dialogun me Serbinë, Kosovës ndoshta i duhet dhënë diçka, që qytetarët do ta ndienin si sukses, e heqja e vizave do të shihet si e tillë, edhe nëse vjen me vonesa të mëdha.
Kryeministri Thaçi ka të drejtë në një masë kur fajëson edhe Brukselin për dështimet e Kosovës drejt liberalizimit të vizave. Brukseli po ashtu ka përgjegjësi për luftë kundër korrupsionit në nivel të lartë, kundër krimit të organizuar. Por Thaçi i qortonte ashpër ata të cilët, kur erdhi Udhërrëfyesi, tërhiqnin vërejtjen se kushtet ndaj Kosovës janë tepër të rënda dhe procesi do të zgjasë shumë. Thaçi nuk ka të drejtë kur thotë se fajin e kanë ndasitë brenda BE-së rreth statusit të Kosovës. Kjo mund të jetë arsye për vonesa në procesin e Stabilizim-Asociimit, por jo edhe për liberalizimin e vizave. Janë pikërisht shtetet mike të Kosovës që e kanë njohur pavarësinë, dhe madje ndihmojnë të sigurohen njohje të reja, ato që janë më të ashprat në kushtëzimin e liberalizimit të vizave. Gjermania, Franca, Holanda e Belgjika janë pa dyshim në krye të tyre. Mbështetja politike për Kosovën është një gjë, por problemi i liberalizimit të vizave është diçka krejt tjetër për këto shtete.
Ndoshta ka harruar, por vetë kryeministri Thaçi pati thënë vitin e kaluar se “BE-ja është unike“ dhe ka garantuar rrugën e shpejtë të Kosovës drejt BE-së.
Përkundër të gjitha fajeve që i ka Kosova, BE-ja vërtet është duke e trajtuar Kosovën në liberalizimin e vizave më ashpër sesa që i kishte trajtuar shtetet e tjera të rajonit kur atyre iu hoqën vizat. Ndaj Kosovës ishin parashtruar disa kushte për të nisur procesin, që për shtetet e tjera ishin në fund të procesit. Dialogu me Serbinë nuk ka ndihmuar shumë, e madje nuk mund të hidhen poshtë as mendimet se ky dialog në fakt ka penguar. Ka penguar sepse e ka vonuar për dy vjet Udhërrëfyesin. BE-ja ka pritur të shohë sesi do të sillet Kosova në dialog për t’ia dhënë Udhërrëfyesin, sepse nuk kishte në dorë asgjë tjetër për t’i dhënë Kosovës në kohën kur Serbisë iu dha hiç më pak se statusi i kandidatit. Në anën tjetër, dialogu ndoshta ka krijuar edhe iluzione në Kosovë, se përmes kompromiseve me Serbinë do të fitojmë liberalizimin e vizave dhe BE-ja do të lëshojë pe ndaj kritereve të tjera që i ka parashtruar.
E keqja e një sjelljeje të tillë të BE-së është se do të pësojnë qytetarët e Kosovës e jo ata të cilët janë fajtorë për t’i përmbushur kriteret, apo ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar. Trafikantëve të drogës dhe fëmijëve nuk u nevojiten vizat. Ata janë të aftë jo vetëm të kalojnë kufijtë kur dhe si të duan, por të trafikojnë edhe njerëz nga shtetet e treta, të cilët përmes Aeroportit të Kosovës vijnë në vendin tonë dhe nga atje, përmes lidhjeve në Serbi, kalojnë në Hungari. E politikanët mund të marrin viza kur të duan.
Lënia e qytetarëve të Kosovës si të vetmit në rajon, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në BE, vazhdon të jetë një njollë për këta qytetarë. Nga aspekti i kushtëzimit të BE-së arsyet janë të qarta. Por përshtypja është shumë e rëndë. Kosova si shtet trajtohet ndryshe e kosovarët si qytetarë po ashtu. Ata e ndiejnë veten sikur të njollosur dhe kjo ndjenjë është shumë e rëndë. Por nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj nuk mund të presim vendime për heqjen e vizave në bazë të ndjenjave. Kjo do të ndodhë vetëm kur kosovarët të ndryshojnë, kur krimi i organizuar nuk do të jetë në këtë nivel, kur politika e Kosovës të punojë më mirë, kur do të ketë siguri të pamohueshme të dokumenteve dhe kur Kosova nuk do të jetë më rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së. Kjo nuk është lehtë të arrihet, as edhe kur ka vullnet politik e lëre më kur vullneti i tillë, siç mendojnë në BE, mungon. Prandaj edhe optimizmi dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës duhet të ulen, sepse nga pritjet e mëdha krijohen edhe zhgënjime të mëdha.
Add new comment