Presidenti dhe llogaritë 2013 (Analiza)
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Në Romën e lashtë ka patur një ligj: Aktiviteti politik nuk mund të kryhej në rast se dielli kishte perënduar. Një sistem i tërë burokratësh qe krijuar për të “matur”, vëzhguar e garantuar se dielli qe ende duke ndriçuar, pra politikanët mund të vijonin zënkat e tyre, apo pati perënduar dhe aktiviteti politik zyrtar duhej të ndërpritej.
Hera e fundit që Shqipëria pati një proces normal të zgjedhjes së Presidentit të Republikës pra një president të zgjedhur nën dritën e bekuar të diellit, qe viti 2002. Negociatat e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët me mirëkuptimin e maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë në atë kohë bëheshin gjatë orarit normal të punës, pra paradite dhe emri i kandidatit e procedurat, ndodhën gjithashtu nën dritën e diellit. Jo vetëm kaq, por qe gjithashtu një president i zgjedhur me “konsensus të gjerë”.
Kanë kaluar dhjetë vjet nga ajo kohë dhe ne na duhet ta shënojnë në kalendar vitin 2002 si një vit normal.
Aktualisht Shqipëria ka nevojë për një president të ri dhe palët duken të vendosura para së gjithash për një gjë: Që Shqipëria të mos ketë një president normal, me konsensus të gjerë dhe të debatuar e pranuar nën dritën e diellit. E pamë këtë vendosmëri për anormalitet në vitin 2007, po e shohim edhe tani, në vitin 2012.
Presidenti në Shqipëri për nga lloji nuk ka shumë gjëra në dorë, rrjedhimisht për palët politike nuk është se bën shumë dallim se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Por palët dukshëm po shantazhojnë njëra-tjetrën me normalitetin dhe bëjnë llogaritë se si do të pozicionohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 2013. Normaliteti është vënë në shitje e shoqëruar me paketën e rezultatit të zgjedhjeve 2013. Rrjedhimisht, procesi i zgjedhjes së presidentit mund të interpretohet më lehtë dhe më kuptueshëm me mekanizmat e një tregu të mbyllur që i nënshtrohet ligjeve të oligopolit. Oligopoli është një situatë në të cilën ka pak shitës e blerës, të cilët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin dhe ku malli i shitur a këmbyer ofrohet gjithmonë në formë pakete, i shoqëruar më një mall tjetër, me një kontratë detyruese për të blerë edhe në të ardhmen të llojit “merre ose paguaje” etj.
Malli në pazarin politik sot është normaliteti dhe stabiliteti i vendit, një mall që palët e kanë pa kosto, mund ta ofrojnë me dashamirësi falas. Problemi është se palët po përpiqen të shesin edhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe ky mall i dytë nuk është falas, nuk është as pa kosto.
PD, ose më saktë, Berisha, po synon të blejë garanci se në rast se bie në opozitë më 2013, sërish do t’i mbetet një pjesë e pushtetit politik në vend, jo si në vitin 1997. Ka shumë arsye personale dhe jopolitike për këtë. Paudhësitë që ka bërë këto tetë vite i japin pak garanci për pension të qetë. LSI, ose më saktë, Meta, dëshiron të dijë se si do të dalë të zgjedhjet e ardhshme, ku një fije e hollë ndan fatin e tij në të qenit parti vendimtare mes maxhorancës dhe opozitës, apo një parti jashtëparlamentare, ose e parëndësishme.
PS duket se kërkon garanci që në zgjedhjet e ardhshme nuk do t’i ndodhë siç i ndodhi me zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të kaluar, pra që rregullat nuk do të ndryshohen rrugës sipas interesit të maxhorancës. Individë të ndryshëm, anëtarë të parlamentit, kanë interesa më të vogla. Mediu psh kërkon garanci që do të mbetet deputet, rrjedhimisht do të vijojë të ketë imunitet ndaj përndjekjes ligjore.
Një situatë oligopol nuk është si tregu fshatar, i cili hapet herët në mëngjes dhe mbyllet pasdreke. Kjo gjë e bën që bisedat e orëve të vona të natës të jenë më të pëlqyera për politikën shqiptare.
I gjithë procesi i pazarit në sistem oligopol, ka një element tjetër, fenomeni kohë. Malli ‘normalitet’ ka një afat skadence përtej të cilës, disa nga palët mund të dalin të humbura dhe votat e tyre në parlament, të panevojshme. Deri sa të mbërrijë ajo pikë, vlera tregtare e votave pritet të rritet dhe pas asaj pike, do të kemi një rënie masive. Kjo pikë është data 20 qershor, kur presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Afati i fundit është 27 qershori, kur ka gjasa që Shqipëria do të ketë një president jokonsensual dhe jonormal, të dalë nga bisedimet e orëve të vona të natës.
Mes 14 dhe 27 qershorit, çdo votë në parlament do të vlejë një mandat presidenti, por në rast se informacioni rrjedh dhe thotë se dikush e ka shitur votën, atëhere numri i shitësve do të shtohet dhe rrjedhimisht, çmimi i votës do të ulet. Pas kësaj date oligopoli shpërbëhet.
30 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment