Për një opozitë më të mirë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Duhet të pranojmë se në tërë këta vite, Shqipëria nuk ka patur vetëm qeveri të këqia por edhe forca opozitare që kanë lënë shumë për të dëshiruar. Ja, nuk besoj të ketë në Europën mbarë një Opozitë kaq shumë të favorizuar nga një qeveri rrënuese, sa kjo, që shqiptarët e presin të hiqet mënjanë në fund të qershorit. Është e njohur që niveli i demokracisë së një vendi, varet shumë nga cilësia e kundërshtimit opozitar. Qeveria e këtyre viteve vërtet nuk solli ujë në çezmat e shqiptarëve, por ama e solli atë me bollëk, (si të kish hapur portat e Drinit!), në mullirin e Opozitës. Dhe nuk dua aspak të listoj gjatë ato punë të pista që mediat i listojnë çdo ditë nga mëngjesi në darkë: shkeljet e ndryshme të kushtetutës, varfërinë, rendin, Gërdecin, favorizimet e të huajve e të tjera që po i le pa i thënë dhe që janë dhjetë herë më shumë se kaq… Në luftën politike këto “favore” ishin dhurata prej qiellit dhe po të mos kishin ndodhur në një vend ku përfytyrimi është se qeveritë mbrohen dhe rrëzohen me plumba, do të ishin rrëzuar njëzet të tilla!
Opozicioni ka qenë një kundërvënie pa nerv, e squllët, e drojtur, gati gati e trembur. Mekanizmat e praktikës parlamentare, si kërkesat e votbesimit, kontrolli i ekzekutivit, interpelancat, edhe për shkak të arrogancës së shumicës dhe sidomos të moskëmbënguljes, nuk kanë patur jetë. Në foltore individët opozitarë që kanë mbajtur qëndrime të ashpra dhe goditëse, kanë qenë të rrallë, të vetmuar dhe të pambështetur si duhet. E gjitha kjo ka ndodhur ngaqë Opozita, vërtet jo aq në mënyrë të shëmtuar sa kundërshtari, e ka mbushur edhe ajo krahun e saj të sallës së parlamentit me njerëz jo të denjë për të qenë atje. Ashtu sikurse krahu berishian, grupi i saj parlamentar ka qenë i plotësuar me milionerë të rinj, me të fortët në kuleta, por hiç në replika, aspak në gjuhë dhe në kundërvënie frymëzuese. Ishte e qartë: kemi të bëjmë me pasunarë që shfletojnë pako me fletë banknotash e jo libra me fletë që rrëfejnë histori të praktikave parlamentare.
Prepotenca e kryeqeveritarit u shtri dhe u ndje pa kundërgoditje në tërë këta vite mbi parlament, mbi Presidencë dhe mbi gjithëçka që duhej të ishte jashtë perimetrit të tij. Krijimi prej Opozitës i frymës aleate jashtë vendit ka qenë i dobët. Ajo nuk gjeti format apo mjetet e kallëzimit dhe të dëshmimit se si e qysh në vendin europian të ashtuquajtur të shqipeve, pushteti ushtrohet me stil afrikan. Veprimtaritë masive të Opozitës edhe brenda vendit kanë qenë gjithashtu të rralla dhe pa fantazi.
Le të marrim si shëmbull 21 janarin. Opozita u akuzua me ulurima të çjerra për organizimin e protestës. U pa tek ajo nje farë intimidimi, deri ndjenjë faji, si frymëzuese e protestës në një kohë që, për mendimin tim, duhet t’i dilte zot pa drojë. Ajo që PS-ja bëri një javë më vonë pastaj, ishte një inskenim i neveritshëm. Ajo vuri në skenë një grumbullim paqësor me radhë të shtrënguara, me vija dhe rangje të disiplinuara në atë bulevard me traditën e rregullit të manifestimeve të 1 majit, me portretet e mëdhenj të viktimave të ekzekutuara nga garda e verbër berishiste. Rreshtat heraherës ndalonin dhe mbajtësit e portreteve shikonin më të majtë e më të djathtë, se mos meazallah, prishej vija e drejtë!… Me këtë protestë të dytë, partia e Edi Ramës i tregoi botës se ajo, po të deshte, sipas nevojës, i sillte njerëzit herë të egërsuar edhe herë si qingja të bindur, aty, mes Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror! Ajo, Opozita, pati luksin të mburej se gradacionin e avullit të revoltës e kish dhe e ka në dorë! E lëshon edhe e përmban sa herë të dojë ajo. Trashëgimi e gjallë e dhjetëvjecarëve të diktaturës, e komandimit dhe e manipulimit! Nuk është i largët kujtimi i pikëllimit të organizuar në vdekjen e diktatorit. Në orën 6 të mëngjesit të asaj dite prilli të ‘85 tërë Shqipëria e dinte që Hoxha nuk jetonte më dhe, sipas porosisë nga lart, turmat duhet të prisnin mesditën dhe komunikatën solemne pa të nisnin të qarat, lumenjtë e lotëve alivanitë dhe të shkulurat e leshrave! Një dhimbje e natyrshme popullore duhet të kishte lotë dhe kuje që sapo të merrej vesh gjëma, por jo! Ato nisën kur u dha urdhëri! O Zot, sa inskenime të tilla e teatralizma kemi përjetuar! PS-ja, për paradën paqësore, pati fat të të merrte dhe shëmbuj akoma më të afërt. Ja, kur e kishte ajo vetë pushtetin më 1998, kundërshtarët e egërsuar në atë masë saç u vinin porositë, iu vërsulën kryeministrisë, hynë brenda dhe i vunë zjarrin! Dhe po ata dema të ndërkryer, me porosinë e re të kreut të tyre të pavdekshëm, pas tundjes së dhëmbëve nga ndërkombëtarët – ka gjithmonë një tundje dhëmbësh nga jashtë, kishte edhe për janarin e 2011! – qenë rreshtuar dhe ata si qingja engjullorë dhe parakaluan QETËSISHT para forcave të policisë. Berisha u pat shkuar krahut edhe nga një shirit blu deputetëve të tij, që të shtonin radhët e policëve të Nanos, që çdo gjë të shkonte vaj. Dhe me një fishkëllimë i pat shpënë turmat me rreshta të rregullt e rangje të shtrënguara, aty, mes Kryeministrisë së plaçkitur dhe Komitetit Qëndror të paplaçkitur.
Janë dëshmi të dukshme se në këtë vend, janë partitë ato që planifikojnë pikëllimet dhe trazirat. Janë ato që porosisin sasinë e lotëve dhe temperaturat e zemërimit dhe të revoltave. Por, dreqi ta marrë, ky popull është i revoltuar, apo jo?! Nëse nuk është, lerini njerëzit në shtëpitë e tyre, në mjerimin që ata meritojnë! Dhe nëse janë të revoltuar e të papërmbajtur përse presin ata urdhërat e opozitave?! Nuk janë ato, por është qeveria e keqja që i ze frymën dhe është ajo fajtorja për zemërimin e popullit! Është koha pra, për një forcë të re opozitare dhe jo vetëm për një stil qeverisës të ri. A do të jetë e mundur kjo?
Unë shpreh rezerva, por nëse flakja jashtë politikës e individit absolutisht më reaksionar, më amoral dhe më komunist mes politikanëve postkomunistë shqiptarë do të bëhet e mundur, formacionet do të ndryshojnë vendet. Atëherë do të krijoheshin kushtet për një opozitë më konstruktive dhe më të dobishme. Pa kapon që e komandon sot, PD-ja do të kish rast të nxirrte në plan të parë elementët e saj më të qytetëruar që prepotentët dhe “karrigethyerit”, të cilët pa faqeskuqje kanë hyrë dhe dalë në presidiumet e kësaj partie, nuk po i lenë të shfaqen. Qeveria e pas 23 qershorit nuk premton të jetë e përsosur, por shumë-shumë më e mirë nuk ka asnjë dyshim që do të jetë! Shënjat janë të dukshme dhe kjo duhet lexuar në bezdinë që po u sjellin të dy palëve forcat e reja të Frymës së Re Demokratike dhe të Aleancës Kuqezi në këtë prag elektoral. Njerëzit urojnë që kjo bezdi e tyre të forcohet në qeveri apo në Opozitën e pritshme, kudo që ata të zenë vend. Partia Socialiste e lehtësuar mjaft nga elementët mëkatarë, tip Nano, Meta , Islami, por jo fare pamëkate pas lehtësimit, do t’i bënte atdheut një shërbim patriotik, nëse do të përpiqej të ruante vërtetësinë e preferencave popullore, në komisionet zgjedhore. Se kodi aktual zgjedhor dhe dominanca e dy partive tregon njërin nga mëkatet që i faturohen me të drejtë partisë së Ramës.
Erdhi pra dita që njerëzit të urojnë dhe t’i thonë lamtumirë jo vetëm kësaj qeverie kriminale, por edhe kësaj Opozite të flashkët dhe përgjegjëse për bëmat revoltuese të kundërshtarëve në pushtet. Përfytyrimi për vajtjen në Europë që kryesia e parlamentit ka mundur të injektojë në popull është gati si një udhëtim i gjatë biblik i tremilion vetëve drejt Brukselit, Berlinit dhe Parisit. Jo, jo! Është fare i shkurtër. Në Europë hyet nga një portë që gjendet në Tiranë, aty, diku, pranë një lulishteje në rrugën e Elbasanit.
* Kjo esse është e gjashta në një seri, që autori e ka titulluar “Aty ku sundon paraja”– Është një tufë essesh për të djelat dhe të mërkurat. / DITA
Add new comment