Nano, kandidati dysheme-tavan
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Mirë shqiptarët, po ambasadorit amerikan Arvizu çfarë i thotë mendja? Kjo ishte pyetja e parë që më erdhi në mendje duke parë se brenda disa ditësh, ambasadori Arvizu paska takuar dy herë Nanon – çka nuk mund të mos e interpretoja, bashkë me shumë të tjerë, si mbështetje për kandidimin e Nanos President. A e ka idenë Arvizu se ç’është bërë e se ç’bëhet në këtë vend? Nuk paska arkiva fare në Ambasadë, as specialistë në Departamentin e Shtetit për Shqipërinë? – qenë disa pyetje të dyta që më erdhën. Pastaj vazhdova me një varg mendimesh gjithmonë e më të hidhura: Që ne jemi një vend që edhe pas 100 vjetësh pavarësi vazhdojmë t’u lutemi protektorëve të huaj të na shpëtojnë nga shqiptarët që kemi në krye të vendit, kjo dihet. Kështu kemi bërë me Zogun, kështu me Enver Hoxhën, kështu dhe tani. Por, ama, çdo lutje ka një sens, ta hajë dreqi! Edhe populli më i përunjur do të ndjehej i fyer në inteligjencën e tij nëse protektorët do t’i këshillonin si shpëtim një figurë si Fatos Nano që ka qenë tetë vjet në qeverisje e që e katandisi vendin aq keq me papërgjegjshmërinë dhe sistemin e korrupsionit që ngriti, saqë solli në pushtet Sali Berishën, që mbante përgjegjësinë për shkatërrimin e shtetit dhe humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve më 1997-n. “Come on, mister Arvizu!”. Kjo qe dallga e parë e mendimeve të zemëruara që ma mbuloi trurin. Kur më kaloi ajo, iu ktheva vetes pak më i qetësuar, por prapë shumë iracional: Mos vallë na ka mbetur ende, me gjithë përunjësinë tonë proverbiale ndaj të huajve, ca pak nga mëkati i krenarisë që s’na lejon të kuptojmë se sa poshtë dhe me sa përçmim na shohin këta ambasadorët perëndimorë? Ndoshta. Në fakt, s’ka mundësi që ata të mos e mendojnë se edhe në më të humburin vend të botës, që edhe emrin nuk ia dimë, po të ndërhynin ambasadorët kaq hapur në punët e brendshme, do t’i deklaronin “persona non grata”. Atëherë, përse këta trajtojnë një popull të tërë sikur të jetë “non grata”? Sepse u është mbyllur bota në atë qerthullin e vogël të zyrave të kastës në pushtet ku Nano shkëlqen se e flet anglishten edhe më bukur se Berisha e Rama, apo pse mendojnë se ne kaq meritojmë? Apo vazhdojnë me stabiliteti i pari demokracia e fundit? Më në fund i ndala këto përçartje delirante, u ktheva me këmbë në tokë dhe fillova të pyesja veten: Po si ka mundësi, xhanëm, nuk e kuptojnë këta se e keqja më e madhe na vjen nga sistemi (i të cilit Nano është arkitekti kryesor) që mundëson grumbullimin e tërë pushteteve në duart e këtyre personazheve që merren kaq shumë me personat e jo me sistemin? Jo, jo, s’ka mundësi! Le që kjo puna e Nanos President s’ka nevojë për specialistë kush e di se çfarë për t’u kuptuar. Mjaft të shohësh se ky njeri s’ka turp, por ditën që i teket të bëhet President shantazhon partinë e tij se po nuk e kandiduan, do t’i hyjë ta përçajë, që të arrish në konkluzionin se vetëm simbol i unitetit ky s’mund të jetë? Pastaj këta amerikanët sikur kanë burime informacioni serioze, gjithë atë CIA me famë; a nuk pyesin këta se me çfarë jeton në Vjenë, në një goxha vilë, ky njeri që kur ka qenë Kryeministër ka pasur një rrogë jo më shumë se 1500 euro? A nuk e dinë këta se edhe ata të partisë së tij, kur ky i hyri katars-ziut, thoshin poshtë e lart “ka mbetur pa pare, prandaj bën kështu”, e se tani vazhdojnë të thonë se nga tryeza e pokerit të pushtetit ai u largua me nja 200 milionë euro? Jo, këtu ka diçka që nuk shkon o me ambasadorin, o me Ambasadën, o me këshilltarët e tij.
Këto isha duke menduar kur doli lajmi se ndoca 26 intelektualë paskan bërë thirrje për zgjedhjen e Nanos President, duke iu bashkuar lëvizjes së re politike “Nano hajde!”. Atëherë thashë: S’paska faj ambasadori. Ia fus kot unë e ca si unë që mendojnë se Nanua është kandidati dysheme poshtë të cilit nuk shkohet dot. Kur dalin gjithë këta akademikë, e shkencëtarë, e historianë, e ekonomistë, e artistë me tituj doktorë e profesorë që kërkojnë Nanon President, pse të mos mendojë ambasadori se Nanua është kandidati tavan?
Nejse, si gazetar s’mund ta lë pa e komentuar kandidaturën e Nanos racionalisht, prandaj po rrekem t’i bëj një analizë një çikë më racionale, që t’i pëlqejë edhe ambasadorit, paçka se e shoh që kjo temë më shumë se sa nga analiza, më çon për kah satira. Por do të përpiqem. Ja për shembull: Lexova në një të përditshme se Nano paska deklaruar se po të bëhet ai President, Berisha dhe Rama do të takohen çdo javë. Të them të drejtën, unë e besoj këtë. Bile besoj edhe më shumë: se Nanua do ta emancipojë politikën tonë; se do t’ua heqë për shembull Berishës dhe Ramës atë gjuhën prej çakalli e prej nëpërke, të mbushur me vrer e helm që përdorin ndaj njëri-tjetrit e me të cilën kanë helmuar të gjithë shqiptarët. Pse? do të thoni ju. Sepse duke dhënë konsensusin për të bërë President kryetarin e klanit të Zemunit, të baronëve të drogës, bllokqenin Fatos Nano, Kryeministri s’ka çfarë të thotë më, do ta mbyllë gojën. Imagjinoni të tjerët që ka prapa. Por edhe Edi Rama do ta mbyllë gojën. Sulmin që i bën Berishës se do të kapë të gjitha institucionet, do ta reshtë, se do të ketë në Presidencë ish-kryetarin e partisë së tij. Edhe për korrupsionin e Berishës do ta mbyllë që ç’ke me të, madje unë them se, për t’i bërë qejfin Nanos President, do ta përjashtojë nga partia edhe Erion Velinë që e ndërsente me tenxhere e me kapakë poshtë Kryeministrisë kur Nano ishte Kryeministër, duke e akuzuar si të korruptuar. Por edhe gazetarët që kanë rrotull, të specializuar vetëm në luftën e llogoreve, pa qenë në gjendje, njëlloj si ambasadorët, të artikulojnë një fjalë kundër sistemit të Nanos e të trashëgimtarëve të tij, do të dalin më në fund nga errësira e llogoreve në dritë e s’do të dinë më ku t’i hedhin granatat që kanë nëpër xhepa. Kështu që edhe zhurma mediatike do të pushojë. Nga ana tjetër, edhe populli do të heshtë, sepse me Nanon President do të mbetet pa gojë i shkreti. E kështu, vendi do të bjerë në qetësi. Do të bjerë në qetësi edhe trojka Arvizu – Sekui – Volfarth.
Po si thua ti, i dashur lexues, çfarë do të bëjnë në këto kushte të mbeturit pa punë Berisha e Rama, që s’dinë të bëjnë gjë tjetër veç të shajnë njëri-tjetrin? Do t’ia fillojnë pokerit në Presidencë, ku, me siguri, për të bërë katërshen, do të ftojnë edhe Metën. Dhe kështu do të takohen, siç tha Nanua, një herë në javë, minimumi. Jo, jo, kanë të drejtë ata që thonë se Nano është mbi palët. Edhe prokurori i ardhshëm, ju siguroj unë, mbi palët do të jetë. Ka shumë mundësi të zgjedhin atë që do t’u ndajë fishat e do t’ju përziejë letrat në tryezën e pokerit. Hajde bordello që do të bëhet Presidenca, hajde!
Sigurisht do të ketë nga ata llapaqenë që do të thonë: Ky s’është uniteti i popullit, por uniteti i hajdutëve. Do të ketë nga ata zuzarë që do të thonë se me Nanon President tavani dhe dyshemeja puqen duke zgërlaqur shpresat tona për një Shqipëri ndryshe. Por unë them se me kohezionin dhe unitetin e madh që do të krijojë Nanua President e me mbështetjen ndërkombëtare që do të ketë kjo zgjedhje, veçanërisht kur të fitojmë edhe statusin e vendit kandidat (për çfarë ishte kjo “kandidat” se nuk më kujtohet?), zor se do të gjendet pronar gazete e televizioni që të guxojë t’i bëjë publike këto broçkulla. Dhe, fundja, edhe këta zuzarë e llapaqenë s’kanë pse ankohen se po u merret fryma mes tavanit e dyshemesë të bëra një. Kanë bodrumin, kanë çatinë, po deshën, në demokraci jetojmë; kanë edhe Ambasadën Amerikan ku mund të ankohen sa të duan.
Panorama
Comments
na shkrun z.lubonja nji

na shkrun z.lubonja nji carcaf shkrim, e na thote: "Mirë shqiptarët, po ambasadorit amerikan Arvizu çfarë i thotë mendja?"....kush more zoti lubonja ju paska thene se kete propozim na e paskan be shqiptaret? per cilet shqiptare e keni fjalen? per shoket tuj e veten tuj ndoshta. mos fyeni qytetarte shqiptare me shprehje si 'mire shqiptaret' - demek ato (shqiptaret pra) dihen se s'dine me mire.

turp per ju, urrejtes patologjik.

“Mundesia qe nje njeri nje

“Mundesia qe nje njeri nje here ne jeten e tij ka te bej me nje psikopat ne menyre te sakte qendron 100%“

Niels Birbaumer Shkencetar

“Kreko, me nje pamje verbuese, siperfaqsore e me nje vetebesim te eksagjeruar. Mashtrues dhe manipulues pa i brejte ndergjegjia. Te ftohte nga emocionet, mungese te empatise dhe xhveshje te cdo lloj pergjegjsie nga vetja. Bejne nje jete parazitare dhe jane sociale killer. Jane te pa zote per te kontrolluar vullkanin e shperthimeve impulsive ekstreme agresive. Te papergjegjshem dhe te pa afte ne lidhjen e kontratave. Te paafte ne mbajtjen e mardhenjeve. Kundershtare flagrant dhe te pamposhtur te cdo lloj udhezimi dhe kushtezimi“

Robert D. Hare

I dashur Lubonja! ne nuk eshte puna se jemi takuar nje here me nje psikopat, po ne kemi njeqind vite ne thundren e psikopateve: Mbreti Zog, Diktatori Hoxha dhe Psikpatet e politikes me ne krye Sali Berishen.

Ju lutem lexojeni me te shquarin e psikologjise Robert D Hare dhe do te gjeni pergjigjen e shoqerise sone dhe bejini nje analize ashtu sic dini ta beni Ju pse shoqeria shqiptare nuk ka asnje shanc....

O Fatos, kisha 1 pyetje:- Di

O Fatos, kisha 1 pyetje:- Di poker Sala(poker prej verteti,e)? Po Iliri, mund t'a kete mesuar?

Si gjithnje, Lubonja

Si gjithnje, Lubonja spektakolar ne shkrimet e tij. Duhet mohuar gjithe kjo ndyresi qe na ka zene deri ne gryke, pikerisht keshtu sic ben Lubonja.

- "Mirë shqiptarët, po

- "Mirë shqiptarët, po ambasadorit amerikan Arvizu çfarë i thotë mendja?"

- "Pastaj vazhdova me një varg mendimesh gjithmonë e më të hidhura:"

- "Kjo qe dallga e parë e mendimeve të zemëruara që ma mbuloi trurin. Kur më kaloi ajo, iu ktheva vetes pak më i qetësuar, por prapë shumë iracional:"

- "Më në fund i ndala këto përçartje delirante, u ktheva me këmbë në tokë dhe fillova të pyesja veten:"

- "Nejse, si gazetar s’mund ta lë pa e komentuar kandidaturën e Nanos racionalisht,"

Shkeputa disa nga mendimet e shprehura ,ne situata te ndryshme psikologjike te analistit F.Lubonja.

S'kam asnje gje me shfryrjen personale te Lubonjes,por kur nja analist paraqet mendimet e tij personale ne lidhje me nje problem te rendesishem qe ka te beje me fatin e popullit ,te pakten fajin nuk ja ve popullit.

Abraham Linkoln thote :

" Meqenese rrethanat jane te reja,po aq te reja duhet te jene dhe mendimet tona dhe veprimet tona.Duhet te lirohemi nga skemat e vjetra.

Ju kujtoj fjalet e Robert Kennedy:
“Detyra e nje leadership, detyra numer nje e personave te pergjegjshem, nuk eshte ajo qe te denojne, te ndeshkojne, te qajne hallin, por eshte ajo e te kerkuarit te shkaqeve te zhgenjimit dhe te çmendurise, te llogjikes qe udheheq protesten dhe mosaprovimin, e ndoshta ajo qe te dije te nxjerre mesim nga e gjithe kjo.”

Cfare faji ka populli se politikanet,"perfaqsuesit" e tij bejne komedira me kandidate te tille?

Populli ngeelt ne kushtet ae atij qe thote :

Kerkuam te na degjoni. Kundershtuat

Kerkuam drejtesi. E quajtet anarki.

Kerkuam liri . E quajtet liçence.

Ne vend qe te merreni me friken dhe mosbesimin qe keni krijuar.E quani kete komunizem.

Na akuzoni qe kemi dale jashte rruges se drejte. Por jeni ju qe e keni mbyllur rrugen e drejte.

Ju, jo ne i keni ndertuar universitetet qe bazohen ne mosbesimin dhe pandershmerine.

Pa kaluar ne satire,populli eshte ne gjendje te shokuar dhe s'eshte ne gjendje te kuptoje asnje gje,sepse edhe ata te ashtuquajtur "intelektual" jane njerez qe e kane humbur dinjitetin.

Nuk mjafton te kuptosh,nuk mjafton te shikosh,por duhet te vendoset nje ure,per te ndertuar nje bote me te mire dhe me civile per te gjithe.

Saint Just deklaron :

" Institucionet jane per qeverine e nje populli te lire garancia kunder korrupsionit te qeverise. Vetem institucionet mund te vene ne pranga krimin dhe padrejtesine kunder vetegjykimit.Ne ju propozojme institucionet civile nepermjet te cilave edhe nje femije mund t'i rezistoje sulmit te nje njeriu te fuqishem dhe te padrejte.Ka shume ligje dhe pak institucione civile.

Sa me shume institucione te jene,aq me i lire eshte populli."

Presidenti per te cilin jane duke folur dhe shkruar te gjithe nuk eshte presidenti i popullit ,ai eshte presidenti i politikes,dhe si i tille nuk mund te perfaqsoje kurre unitetin e popullit.

Eshte e vertete dhe e drejte qe populli mund t'ja delegoje vullnetin e tij perfaqsuesve,por duhet te jete gjithmon i lire qe t'i modifikoje rregullat e delegimit.

Eshte shteti qe ekziston per t'u sherbyer qytetareve,dhe jo qytetaret per t' sherbyer shtetit.Sovraniteti i popullit duhet te jete ne qender te politikes.Jo me qytetaret subjekte te vullnetit te politikaneve,por e kunderta.

Tragjikomedia qe po luhet "per popullin" dhe qe ne rradhen e pare te karrigeve jane ulur duke pare çfaqjen edhe diplomatet e huaj,dhe ne kete pike keni shume te drejte.

Por populli ne kete tragjikomedi nuk ka asnje rol,dhe me e keqja eshte se nuk ka mundesi te shohi as çfaqjen,sepse biletat kushtojne shume "shtrenjte",dhe ai mesaduket nuk eshte ne gjendje ta paguaje.

Nuk mund t'i veme faje,sepse ai eshte i pambrojtur,i pangrene,i paveshur,i pergjumur, here i "droguar", i alkolizuar prej hallit.

Pjesmarjen ne jeten publike ai e quan kohe te humbur,dhe çfaredo lloj forme pushteti per te,te çone ne menyre te pashmangshme ne korrupsion,dhe shpetimin ai eshte duke e kerkuar ne nje menyre jetese te re,te inspiruar nga fantazite e alkolit dhe droges si dhe nga egocentrizmi.

Shume kerkojne t'i ndryshojne gjerat,por ka nje ndjenje te forte impotence dhe here here mosbesimi perfundon ne indiference.

N.B. Moderator dergoja pergjigjen edhe F.Lubonjes.

r67vnwldb
r67vnwldb
Add new comment