Kundrime alternative mbi 100 vjetorin

Postuar në 12 Dhjetor, 2012 07:24

Zulma dhe pompa e përkujtimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, festimet dhe kitschi me motive folklorike e kombëtare të banalizuara e të komercializuara në skaj, torta dhe qingjat në hell përbëjnë majën e dukshme ashiqare të një matrice fenomenesh të lidhura përdrejt ose tërthorazi me figurën (eidos-in) e pavarësisë, po edhe me varësinë apo varësitë gjithnjë e më konkrete (prej konsumit, përgjithësisht), me dëshirat individuale, imagjinaret kolektive e mediatike, apo nevojën e domosdoshmërinë publike për një farë dinjiteti që i takon të qenit i rritur, të paturit përgjegjësi mbi veten e mbi kufijtë e vetes, gjë që shoqërohet pandashëm nga frika prej kësaj përgjegjësie, një lloj kompleksi kolektiv peterpanesk.
Me lente të ndryshme do të shihnim pamje të ndryshme të kësaj feste, që shenjoi politikën shqiptare gjatë vitit që shkoi, si gjithnjë bishtnuese ndaj reales, në formë ashtu edhe në përmbajtje.
Një pamje e parë, e lehtë për kaptim, është ajo e paraqitjes ceremoniale. Duke e nxjerrë flamurin në kaq shumë ballkone e dritare, duke u dyndur në organizime masive politike për të dëgjuar baballarët e rinj të një kombi të vjetër, në Tiranë po sidomos në Prishtinë, Shkup e qytete të tjera të trojeve që nuk e gëzuan pavarësinë, shqiptarët nga njëra anë dëshmuan edhe njëherë, simbolikisht, atë që kanë dëshmuar me vepra e fjalë në shekullin e fundit, pra dëshirën e tyre për të rrojtur bashkë, nën një shtet të tyrin, pavarësisht premtimeve ndonjëherë zemërmira të shteteve e kombeve të tjera (që kanë pretenduar sovranitet mbi shqiptarët), premtime që historia i ka provuar si të rreme gjithsesi. Mirëpo, nga ana tjetër, kjo paraqitje masive e dëshirës së shqiptarëve për drejtësi e për drejtësim të vendimeve të padrejta që fuqitë e mëdha morën një shekull më parë, u dëshmua në sallat ku folën Saliu, Hashimi e Aliu (e të tjerë të atij soji). Pra në sallat ku u përsërit motoja e zakonshme e të jetuarit bashkë në kufijtë që kemi ; e të jetuarit bashkë duke u dorëzuar kolektivisht ndaj “fatit” e duke e pranuar padrejtësinë si të pandryshueshme ; duke e pranuar se stabiliteti dhe paqja na qenkan brendësisht të lidhur me ruajtjen e një gjendjeje që nuk e do e nuk e pranon me qejf shumica dërrmuese. Pra, festa dhe manifestimi i dëshirës për bashkim iu blatua altarit po aq festiv të bashkimit me subjektivitet të mohuar, të bashkimit brenda një projekti imperial që për autor e për drejtues ka tjetërkënd, të bashkimit rreth e qark Brukselit. «Bashkime» të tilla kanë traditë më të gjatë, duhet thënë, se sa bashkimi subjektifikues që lindi pavarësinë e 1912. Këto të ashtuquajtura bashkime janë mëtuar psh. nën hijen e dovletit, nën hijen e Padishahut Llampë e Dynjasë, nën hijen e Mbretit Perandor të Italisë, Shqipërisë e Etiopisë, nën hijen e Fuhrerit, nën hijen e «vëllazërim-bashkimit» jugosllav, apo nën hijen e aleancave vëllazërore në ish-kampin lindor. Sado emancipuese ngjanin ca prej politikave gjeografike të radhitura më sipër, ato rezultuan të krimbura prej shtypjes që prodhon hegjemonia e qendrave të pushtetit dhe e formave të ndryshme të kolonializmit (apo shfrytëzimit të periferive e vendeve të vogla), e cila ishte aq e brendësuar në to, saqë gjithnjë u mohua vetëvendosja (edhe ajo e shqiptarëve ndër të tjera), pra u mohua parimi i drejtë që një popull duhet të lejohet të kushtetohet, të vendosë për aktet e kufijtë e veta, nëse ka dëshirë. I njëjti mohim i lirisë së subjektit zë vend edhe në premtimet bombastike por boshe e desubjektifikuese të Saliut, Aliut e Hashimit. Për më tepër që secili prej tyre, përmes fazlliçizimit të ekonomisë, përmes negociimit të së panegociueshmes me Daçiçin, përmes “aleancës” strategjike me Gruevskin, jo vetëm që ruajnë pushtetin personal dhe territorin e klikës (në sensin mafioz të fjalës), por edhe përdhosin atypëraty, madje bëjnë të pavlefshme dëshirat e shprehura në formë demonstrative prej shqiptarëve pjesëmarrës në tubime me himn në gojë e flamur në dorë.
Një tjetër pamje që rrëfeu 28 nëntori i 2012 është varfëria masive dhe e thelluar, dhe zhvleftësimi masiv i popullit që gjithnjë e më tepër konsiderohet thjesht popullatë, në kontrast me fuqizimin, kamjen e dhjamosjen e pushtetarëve që tash mund të quhen dhe kastë. Të joshur prej ideve të një pushteti me sa më pak kufij, pushtetarët ia kushtuan këtë vit përkujtimit të monarkisë. Kështu, ai që duhet të ishte viti i Ismail Qemalit, Isë Boletinit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e të tjerëve që përbëjnë shembull e fanar të vetësakrifikimit individual si e vetmja rrugë drejt vetëndërtimit kolektiv, u shndërrua në vitin e reaksionit monarkist, në vitin e Zogut (të zi) dhe feudalëve të tjerë që sakrifikuan gjithçka (madje dhe republikën e demokracinë) kolektive në emër të mirëqenies personale, e në fund fare e braktisën të parët anijen që mbytej. Aty ku pretendonin të ishin kapitenë, u sollën si minj, e natyrisht u dyndën në sallone evropiane, për të vijuar një jetë që s’mund të ish veçse ajo e dekadencës dhe e melankolisë snobe. Ky është realiteti i celebruar dhe i dëshiruar nga klientokratët e sotëm, që fatkeqësisht nuk gjenden vetëm në radhët e atyre forcave që qeverisin aktualisht, po edhe në mjaft forca opozitare. Duke dashur të zhbëjnë propagandën komuniste, që dënonte grykësinë dhe egoizmin e monarkistëve, kolaboracionistëve dhe feudalëve, këta ta sotmit premtuan 1000 desh të therur e të pjekur. Pra, rikthimi e shpagimi i Sali Protopapës (jo i personazhit real, po rikthim e shpagim i personazhit filmik. Edhe pse filmat e realsocit karikaturizonin armiqtë e klasës, ajo që po ringjallet krenarisht nuk është origjinali, por karikatura). Kjo në kontrast me mjerimin civil që u shfaq tek populli që u turr drejt tortës i armatosur me uri, në vend të pirunit dhe me injorancë në vend të thikës (është rikthyer këmbëkryq analfabetizmi, edhe pse gjithnjë e më shumë kemi diploma e universitete të brendshme e të jashtme). Kështu populli u shfaq edhe një herë ashtu si është, pra si kokëpalarë, si një masë e aftë ta shkërdhejë për inat të zyrtarëve zyrtarizmën banale të tortës-rekord, edhe pse pa ndonjë ndërgjegje politike të artikuluar.

Rrugët, në Tiranë e Prishtinë, si dhe gjetiu rreth tyre, u stërmbushën me reklama tregtare me flamur. Kështu, jepeshin kredi në emër të pavarësisë, uleshin çmime lavatriçesh dhe fakultetesh po në emër të pavarësisë, biletat e avionit për të shkuar nëpër botë kishin çmime joshëse për shkak të pavarësisë që u stampua gjer edhe nëpër kartpeceta që të fshinin qurret gjithë të emocionuarit. Ta vësh flamurin në reklama komerciale vend e pavend e të shesësh në emër të flamurit e të pavarësisë do të thotë ta zhveshësh atë nga dimensioni publik, ta privatizosh atë. Por fundi i fundit, ky është dhe synimi i këtij pushteti privat, që as nuk pretendon të duket e të shfaqet ndryshe nga ç’është. Simbolikë e fuqishme ajo që ndodh në Kosovë, fjala vjen, ku pushtetarët e nxitën respektimin privat të flamurit kombëtar (njësoj si nën Jugosllavi, kur flamuri shqiptar ishte flamur privat apo komunitar e krahinor, po jo kombëtar), ndërsa e dënojnë dhe e ndalojnë vendosjen e tij në kufi, në Merdare. Se flamurin mund t’ia tregojmë njëri-tjetrit gjithë ditën e gjithë natën në një lloj masturbimi patriotik, ama s’ia tregojmë dot Tjetrit se kjo po nënkupton të jemi tash bashkë si subjekt publik, e ne jo që s’jemi, po shfaqim dhe frikë e hezitim (prej individësh a prej lokalistësh) a thua se e drejta jonë e zhbërja e padrejtësive të të tjerëve mbi ne do të qe fund i botës dhe fund i “imes” e i “tëndes”…

 

DITA

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.