Ku janë vijat e kuqe?

Postuar në 05 Mars, 2012 04:07

Produktet e para të fusnotës u dhanë shumë shpejt. U pa shumë mirë se kush fitoi e kush humbi. Serbia e fitoi statusin e shtetit kandidat, u afrua shumë afër Bashkimit Evropian, ndërkohë që nuk bëri as më të voglin hap për tërheqjen e saj nga Kosova dhe shuarjen e strukturave të saj në Kosovë. Madje, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq nuk hezitoi që edhe publikisht të deklarojë se ata luajnë me dy karta, në njërën anë synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe në tjetrën anë nuk heqin dorë nga Kosova.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk i bëri aq shumë përshtypje askujt nga shtetet anëtare të BE-së, madje as vetë Gjermanisë, e cila ishte këmbëngulëse se nuk do të ketë status të kandidatit për Serbinë po qe se kjo e fundit nuk i shuan strukturat e saj në Kosovë. I mbyllën sytë të gjithë dhe Serbia doli fitimtare.

Habitës ishte fakti se si Gjermania lëshoi pe aq lehtë, duke pasur parasysh qëndrimin shumë të qartë të kancelares Merkel për strukturat paralele në veri të Kosovës.

Me gjasë kjo “mbyllje sysh” mund të jetë edhe një politikë globale, që si synim ka kthimin e Serbisë kah Perëndimi dhe largimin e saj përfundimtar nga lindja - Rusia. Kjo “teori” mund të bëhet edhe më reale, nëse e marrim parasysh faktin që historikisht Serbia dhe Rusia kanë pasur raporte shumë të ngushta dhe miqësore, madje raporte “nënë- bijë”.

Ndërkaq, në këtë far politike globale, Kosova po shihet se nuk ka kurrfarë ndikimi dhe nuk është kurrfarë faktori. Krejt çka fitoi Kosova nga ky kompromis për fusnotën dhe heqjen dorë nga “Republika” dhe flamuri ishte një vizitë e kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel dhe marrja e disa lëvdatave nga drejtuesit e Bashkimit Evropian.

Si drejtuesit e Qeverisë së Kosovës ashtu edhe drejtuesit e BE-së u munduan me çdo kusht të na bindin se kjo është e arritur historike për Kosovën. U munduan të na bindin se heqja e “Republikës” dhe e flamurit është një e arritur evropiane...

Se kjo fusnotë na ka dëmtuar nuk nevojitet që njeriu të jetë shumë i mençur. Këtë mund ta kuptojë edhe injoranti më i madh. E dimë shumë mirë se asnjë shtet në botë nuk përfaqësohet askund nëse simbolet e tij hiqen. Por u pa se jemi një rast sui generis.

Nuk e vlen më që të merremi me fusnotën. Çdo debat, çdo diskutim, çdo kritikë..., do të jetë e kotë. Fusnota tashmë është punë e kryer. Është hapi i parë, por jo historik siç e quajti kryeministri menjëherë pas kthimit nga Brukseli. Është hapi i parë i dëmshëm për shtetin e Kosovës.

Por cili do të jetë “hapi i dytë historik”?

Veriu i Kosovës, padyshim. Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, Kosova duket se nuk do të mund ta bëjë as edhe një hap përpara. Prandaj, i tërë debati, e tërë energjia, jo vetëm e Qeverisë, por e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe partitë opozitare si dhe shoqërinë civile duhet të koncentrohet në zgjidhjen e çështjes së veriut.

Njëjti si në dialogun “teknik”, ashtu edhe në atë “politik”, që pritet të fillojë shumë shpejt e që do ta ketë në fokus çështjen e veriut, institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë strategji apo platformë, apo ndonjë vijë të kuqe se deri ku mund të bisedohet. Kompromiset duket se janë të pashmangshme. Vetë fakti që do të ulesh në një tryezë dhe do të diskutosh për një çështje, është logjike se edhe do të lëshosh pe. Kjo, sidomos nëse shkohet me atë logjikën që është shkuar deri më tani, “presion i bëhet atij më të dobëtit”, që në këtë rast është Kosova.

Nëse institucionet e vendit nuk do t’i përcaktojnë vijat e kuqe, dhe pranojnë që të hyjnë në këto bisedime politike pa kurrfarë kushtesh, kompromiset e radhës janë të pashmangshme. Statusi special për veriun do të jetë i padiskutueshëm. Posaçërisht nëse në pyetje janë politikat globale dhe interesat e të mëdhenjve, sikurse në rastin e fusnotës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.