Krimi po bën 870 miliardë $ në vit

Postuar në 22 Korrik, 2012 08:09

Krimi i organizuar ndërkombëtar e ka vlerën deri në 870 miliardë dollarë në vit, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara, në fillim të fushatës kundër tregut ilegal në çdo gjë: prej njerëzve e deri te armët, droga dhe llojet e rrezikuara të kafshëve.

Fitimet vjetore të rrjeteve kriminale trans-nacionale janë kështu, gjashtë herë më të mëdha se buxheti botëror i ndihmave, ose sa 7% e eksportit botëror legal, - ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC). Kësaj i shtohet dëmi i pallogaritshëm nga pasojat në jetët e njerëzve dhe në stabilitetin ekonomik të vendeve ku grupet e krimit sjellin “korrupsion, zhvatje, reketim dhe dhunë”.

Bindshëm, tregtia më fitimprurëse, (më tepër se një e treta e shumës totale), është ajo e drogës. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ky trafik e ka vlerën vjetore 320 miliardë dollarë. Në vendin e dytë radhitet tregtia me prodhime të falsifikuara, që krijon afro 250 miliardë dollarë në vit. Pastaj është trafikimi i njerëzve me 32 miliardë dollarë (vlerësohet se viktima janë 2.4 milionë njerëz).

Policia dhe zyrtarët e tjerë të sigurisë kanë nevojë për më tepër mjete të sofistikuara, për t’i luftuar rrjetet kriminale, që kanë shënuar avancim të plotë në përmirësime teknologjike.

Më shumë se një e treta e profitit kriminal qarkullohet nëpërmjet sistemit financiar legal, por më pak se 1% është zbuluar dhe konfiskuar. “Metodat e inteligjencës duhet të zhvillohen me anë të trajnimit të njësive të specializuara, që duhet të jenë të pajisura me teknologjinë më të re”, thonë Kombet e Bashkuatra, duke sugjeruar se shteteve të varfra u duhet më tepër ndihmë.

(Marrë me shkurtime nga Guardian)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.