Klinton në Tiranë: Një vizitë më historike se historike?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Është e njëjta histori që përsëritet tash disa dekada sa herë që një politikan i nivelit të lartë botëror vendos të vizitojë Shqipërinë. Janë të njëjtat ndjesi tash sa vjet e mot. Është e njëjta atmosferë që lëviz diku midis kufijve të festës së shtirur dhe terrorit akustik e viziv. E njëjta vëmendje patologjike si dikur ndaj lajmeve të “Zërit të Amerikës”, prej ku prisnin të rrëmbenim ndonjë lajm shpresëdhënës. Është e njëjta pritshmëri naive ndaj vizitave të nivelit të lartë nga të Mëdhenjtë e Politikës Botërore që ringjallet te njerëz që rrinë klubeve me koka të ngrira e të ngritura drejt ekraneve televizive me të njëjtin përkushtim futbollistik për t’i shqitur fjalimit ndonjë frazë proqeveritare apo proopozitare, që do të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Është po ajo hermeneutikë, pra, që vihet në lëvizje për të interpretuar mesazhet verbale, joverbale, paraverbale të të Mëdhenjve të Politikës Botërore. I njëjti servilizëm nëpër ekranet televizive. I njëjti fjalor i mërzitshëm e servil nga të zotët e shtëpisë, të cilëve u shkëlqen yndyrshëm fytyra nga kënaqësia për dhuratën që rasti historik ua bëri në një çast si ky, sigurisht historik. I njëjti atribut “historik” për të gjitha vizitat, edhe ato formalet, e bëra që nga miqtë e dikurshëm rusë e kinezë e deri te miqtë e sotëm amerikanë apo turq (me të cilët jemi edhe vëllezër historik).
Edhe kësaj radhe, vizita e znj. Clinton u konsiderua unanimisht si vizitë historike. Megjithëse nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje me peshë historike për Shqipërinë, megjithëse nuk u mor asnjë vendim historik për të ardhmen e Shqipërisë, vizita u deklarua si historike nga të gjithë. Me përjashtim të kryeministrit Berisha, i cili e konsideroi atë jo vetëm historike, por edhe më historike se historike. Kështu të paktën iu duk kryeministrit Berisha, retorika e të cilit gumëzhin nga mbiemrat, me të cilat ai zbukuron apo zymton pa kursim personat dhe dukuritë e botës politike shqiptare. Por këto mbiemra, ndër të gjitha kategoritë tjera gramatikore, janë të vetmet që ia dalin të krijojnë shkallë hierarkie duke filluar nga forma më e thjeshtë, pohore, duke kaluar tek ajo krahasimore e duke arritur në shkallën e epërme, atë sipërore. Si përdorues i jashtëzakonshëm i kësaj kategorie gramatikore, Berisha s’e ka vënë re se përdorimi me bollëk i komparativit mund të sjellë me vete disa pasoja të paparashikueshme për të, sidomos kur ai artikulohet publikisht për një çështje të ndjeshme për politikën e këtij fshati me emrin Shqipëri, siç është vizita e numrit 1 të Politikës së Jashtme Amerikane. Çfarë nënkupton Berisha kur e deklaron vizitën e znj. Clinton si më historike se historike? Mos vallë e konsideron atë më historike se vizita e James Baker në vitin 1991?
A është logjikisht e mundur që ta rrisim në një shkallë më të lartë historicitetin e një momenti apo të një vizite? Dhe, nëse ia dalim ta bëjmë këtë, cilës gjendje i afrohemi më tepër: të vërtetës apo gënjeshtrës? Cilin nga dy momentet e zhveshim nga historiciteti kur e deklarojmë njërin më historik se tjetrin? Kjo vizitë, e cila tani në sytë e Kryeministrit është më historike, a është tashmë më historike se historike, apo jo aq historike sa pararendësja? Shkurt, pra, a është momenti historik që po kalon Shqipëria, tani më 2012, më historik se 1991? Nëse po, cilat janë arsyet, për të cilat Berisha në nënvetëdijen e tij beson se ky çast, kjo vizitë, peshon historikisht më tepër se të gjitha vizitat e këtij niveli në Shqipëri? Sepse mua personalisht nuk më duket aspak historike kjo vizitë e znj. Clinton. Nuk besoj se thirrjen për zgjedhje e lira, thirrjen për bashkëpunim të të gjithë aktorëve politikë shqiptarë në emër të dashurisë për vendin, dikush ta konsiderojë si thirrje historike! Janë thirrje që kanë hyrë në fakt në historinë e palavdishme të zgjedhjeve të mbajtura gjatë dy dekadave demokraci në Shqipëri, thirrje që i drejtohen periodikisht klasës politike në Shqipëri.
Kjo vizitë e znj. Clinton është frymëzuese për ne shqiptarët, por aspak historike. Na frymëzon dhe, mbi të gjitha, na jep shpresë se diçka mund të ndryshojë për mirë në këtë vend. Nëse Berisha e konsideron më historike, le ta marrim thjesht si përpjekje të Kryeministrit për të qenë autentik në ligjërimin e tij publik? Një lloj gare për të qenë më autentik se të gjithë aktorët tjerë politikë e mediatikë, për të cilët vizita e znj. Clinton ishte thjesht historike dhe, si e tillë, Kryeministrit ndoshta i dukej shumë pak historike. Por, druaj, se në këtë përpjekje për të qenë më autentik sesa thjesht autentik, komparativi i zotit Berisha, duke u rrekur për më tepër si në rastin e historicitetit të vizitës, degradon në më pak. Një komparativ, i cili zhvlerëson duke vlerësuar.
Përpjekjet për ta maskuar problemin kryesor të ligjërimit publik – sinqeritetin me njerëzit, dinjitetin përballë politikanëve të rangut të lartë – një politikan nuk mund të bazojë te komparativi. Është strehë e varfër. Historikisht e varfër!
Mapo
Add new comment