Kjo pronë që quhet grua

Postuar në 14 Gusht, 2012 06:03

Në çdo rast të ngjashëm me një skenë filmi (më së shumti një film amerikan por edhe çfarëdo tjetër), kur një vajzë e re e përdhunuar prej disa vitesh nga një burrë i papërgjegjshëm dhe kokoroç, vendos të hakmerret dhe i zë pritë përdhunuesit me një breshëri plumbash duke e lënë të vdekur, në një rast të tillë, spektatorët do ndiheshin të gjithë të lehtësuar dhe të kënaqur. Fjala kënaqësi vërtet nuk i shkon fare veprimit të egër dhe të trishtë të humbjes së jetës njerëzore, por në një film, gjithkush e justifikon veten me lojën e aktorit që, pasi ka rënë i vdekur, do të ngrihet nga toka sikur s’ka ndodhur gjë sapo regjisori t’i ketë dhënë sinjalin… Megjithëse ngjarje të tilla ndodhin çdo ditë në rruzullin tonë njerëzor, kur këto ngjarje i shohim në film, jemi totalisht në anën e të dhunuarit… Por kur skenat dalin në ekranet e TV si kronika të sapondodhura në filan fshat apo qytet, fillojmë marrim pozicionin e spektatorit kritik, dyshues, paragjykues…. Dhe sidomos në marrëdhënien femër–mashkull, kur instinktivisht ose shumë shpesh fajin e ka femra… Rasti i rëndë i para dy ditësh i 18-vjeçares që përdhunohej prej tre vjetësh nga një mashkull, mik i familjes, nuk është thjesht një rast përdhunimi. Nuk është thjesht një moment humbje mendjeje apo pasioni të verbër dhe të sëmurë. Shumë e dinin, askush nuk fliste. Nëna e shkretë kishte tentuar te vriste veten disa kohë më parë, sepse i dhimbsej e bija dhe nuk mund të duronte dot. Por rrëmbimin e adoleshentes nga burri përdhunues e dinin shumë të tjerë. Rasti është një nga të rrallët, që përmban një kompleksitet të madh çështjesh për t’u diskutuar. Një burrë, që në mënyrë të hapur, megjithëse është baba i një familjeje të tijën, kërcënon një vajzë të re dhe familjen e saj, me logjiken e pronës që kërkon të posedojë. Ideja e femrës-pronë është një nga fenomenet e lashta me të cilat njerëzimit i është dashur të përballet për mijëra shekuj me radhë. Ende në vende të shumta të botës gruaja konsiderohet pronë. Në rastin e Shqipërisë, për fat të keq, e shohim këtë fenomen që nga rastet më tipike si ky i fundit, deri te keqtrajtimi sistematik dhe i kudondodhur. Logjika e pronës e bën burrin të ndihet i plotfuqishëm, i jep atij “të drejtën” të bëjë siç do vetë. Ishte kjo psikologji që e shtynte përdhunuesin të merrte taksi për të rrëmbyer edhe një herë vajzën e re. Ndërkohë që media jep një informacion të dendur mbi të drejtat dhe liritë e grave, për ligjet e mira dhe si duhen zbatuar ato, pra jemi në mes të të rejave moderne europiane, një përdhunues shkon serbes për të marrë një send që quhet grua. Ideja e pronës nuk është vetëm pjesë e atij që kreu krimin e përdhunimit. Në një farë mënyre, pa dashje, me zor apo jo, ajo është pranuar edhe nga njerëzit që rrethonin vajzën, që jetonin me të. Ishte pranuar nga një shoqëri e tërë fshati apo qyteti. Por më e rënda është se vetë shteti qëndron mënjanë pa siguruar qoftë një numër telefoni për një SOS të çfarëdo lloji. Një përdhunim kolektiv? Është e rendë të thuhet nëse kjo është tamam kështu, por nëse është kështu, qoftë edhe në subkoshiencë, atëherë ne duhet të heshtim dhe të mendohemi gjatë. Gjithë skena të bën të ndihesh larg nga ajo që ndodh realisht në shumë vende të këtij vendi. Fshatra dhe qytete ku individi e ndien veten larg mbrojtjes që i takon me ligj, i trembur nga të tjerët, indiferent ndaj institucioneve, i pagojë për të kërkuar ndihmë se e ka provuar kushedi sa herë dhe nuk i është dëgjuar zëri. Individi në këtë rast mbetet i vetëm, i duhet të luftojë me ç’të mundet, madje edhe me armë, nëse e ka një të tillë. Kështu ndodhi me vajzën e re Vishaj, e cila nuk kishte asnjë busull për t’u orientuar që të shpëtonte nga një person përdhunues. Sigurisht që shqiptarët nuk mund të largohen si me magji nga primitiviteti i tyre i lashtë, apo nga pseudoliria komuniste e gjatë, por koha e demokracisë aktuale duhet të ndihmojë lirinë, që për fat të keq nuk e kemi përftuar siç duhet. Ajo që dëmton lirinë tonë, së pari është indiferenca ndaj vetes, mungesa e kujdesit për tjetrin, mungesa e kërkesës së llogarisë të individit ndaj pushtetit për te cilin ai voton. Nga ana tjetër, qeverisjet fiktive i shkatërrojnë institucionet e shtetit dhe ato private, të shoqërisë civile dhe të mediave. Mungesa e bashkëpunimit i bën qytetarët të mos kenë besim te shteti i tyre, te komshiu, te i afërmi, te vetja. Vetmia e individit prodhon shumë shpejt krimin. Vetmia dhe harrimi nga të tjerët e bëri kriminele 18- vjeçaren, pa dashjen e saj. Nuk është hera e parë që ka ngjarje të tilla dhe me qindra herë ka pasur fushata, konferenca, takime dhe zotime se gratë nuk do të jenë vetëm, se për to do të ketë shërbime, do të ketë mbrojtje, do të ketë ndihmë sociale dhe psikologjike. Dobësimi i dukshëm i shoqërisë civile, një nga shkatërrimet rrënuese që po i ndodh Shqipërisë, e ka zhdukur pothuajse fare lidhjen e individit me institucionet shtetërore, rrjedhimisht ka tronditur sigurinë dhe ka shtuar frikën ndaj jetës. Në raste të tilla, vetëgjyqësia fatkeqësisht mbetet një rrugëdalje. Mbaj mend që në vitin 1991 vizitova për herë të parë burgun e grave në Tiranë. Atje kishte shumë gra që kishin vrarë burrat e tyre, si rezultat i keqtrajtimit të gjatë dhe sistematik që kishin pësuar prej tyre. Një 17- vjeçare kishte vrarë njerkun që përdhunonte qëkur ajo ishte fëmijë. E megjithatë, ishte dënuar me 20 vjet burg. Dhe zakonisht kështu ka ndodhur me rastet e grave të burgosura për këtë krim: vuajtja nga një burrë i vetëm pasohej nga vuajtjet e dënimit nga burra të tjerë – gjyqtarët që zbatojnë ligjet e shtetit. Në thelb, ideja e gruas-pronë apo send nuk ndryshon shumë. I pari e përdor sendin, të dytët e shtyjnë tutje. Sipas Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, “dhunimi i femrës… është cenimi i lirisë se saj”. E dimë tashmë që e drejta për jetën është e drejtë themelore. Por një vajzë e re, e pambrojtur, e rrethuar me të afërm që bënin sikur nuk merrnin vesh vuajtjen e saj, ose që nuk mundnin ta ndihmonin, i duhej të mbronte jetën dhe sidomos personalitetin e saj. Ashtu sikurse thotë Simone de Beauvoir, “shtypja krijon gjendje lufte”, edhe ajo u ndje e dhunuar, e përbuzur, pa vlerë, fatkeqe dhe për këtë i duhej te luftonte. Pavarësisht se luftoi keq, ishte e vetmja rrugëdalje për të shpëtuar shpirtin. Megjithëse Kodi ynë Penal nuk e përmban atë nen i cili në kushte të tilla specifike do të quhej thjesht vetëmbrojtje, ne fakt e reja Visha beri pikërisht këtë: vetëgjyqësi për t’u vetëmbrojtur. Raste të tilla nuk mund të mbeten thjesht objekt i prokurorisë dhe gjykatave, por duhet një bashkëpunim me specialistë psikologë dhe sociologë për t’u bërë një rast-model që, nëse është e mundur për hir të ruajtjes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor dhe sidomos atij të femrës, të ketë rregullime më të hollësishme ligjore.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.