Ka vetëm një rrugë: Rrëzojeni!

Postuar në 25 Maj, 2012 04:38

Gati dy muaj më parë, kur entuziastët e reformës zgjedhore ishin shtuar dhe dukej se ajo po ecte në drejtimin e duhur, pata shkruar në një editorial të gazetës Tema se Sali Berisha nuk e miraton reformën zgjedhore para zgjedhjes së presidentit. Arsyeja është e thjeshtë. Me një reformë të kompletuar zgjedhore, kundërshtarët e tij janë më të gatshëm ta çojnë vendin në zgjedhje dhe më të sigurt për ndershmërinë e tyre. Me një reformë të paralizuar, faktori vendimtar i shumicës së sotme, Ilir Meta, do të vazhdojë të mbetet ende i zemëruar, por jo i vendosur kundër Berishës. Në këto kushte, kur gjithë energjitë po harxhohen për të bindur Berishën për një president konsensual, pa pasur një mjet presioni ndaj tij, presidenti konsensual është një mision i pamundur.

Në motivimin për të bërë ose një shumicë të re presidenciale, ose një shumicë të re kundër Berishës, më lehtë është të bindësh deputetët të rrëzojnë Berishën se sa t’i marrin atij presidentin dhe ta durojnë në pushtet. Frika nga hakmarrjet e tij primitive, gjestet që ka dëshmuar më parë ndaj kundërshtarëve, janë arsye e fortë për tu stepur që të luftohet me një Berishë në pushtet. Bindja se ai rrëzohet, çliron më shumë energji dhe siguri në radhët e deputetëve se bindja se mund t’i merret presidenti.

Arsyeja e parë është LSI. LSI është një parti që i ka dhënë legjitimitet pushtetit të Berishës pasi është bashkuar me të në një aleancë politike normale pas zgjedhjeve me koalicionin e parë fitues pas zgjedhjeve. Berisha nga ana e vet ia ka bërë nderin më shumë se sa i takon me përqindjet që i ka dhënë në pushtet dhe komoditetin e korruptimit të shumë drejtuesve të saj. Ajo që e bën Ilir Metën tashmë të hezitojë për të ikur nga qeveria, janë pikërisht këto privilegje që ka nga pushteti dhe që e detyrojnë atë të përjetojë një periudhë “koabitacioni” mes PS dhe PD. Me njërën kërkon të bëjë shumicë presidenciale dhe me tjetrën shumicë qeverisëse. Në këto kushte Berisha është në të drejtën e Zotit të bëjë lojë force me 71 votat për presidentin dhe mund t’ia dalë, pasi disa individë si Islami, Idrizi, Prifti apo Oketa, por dhe ndonjë deputet i joshur i PS, mund t’i japë votat. E kundërta, nëse Ilir Meta nis një aksion të qartë politik për dalje nga koalicioni dhe votëbesim të kryeministrit, atëherë këto elektrone të lëvizshme në parlament mund të orientohen më shpejt dhe më sigurt tek votëbesimi kundër Berishës. Arsyeja është e thjeshtë. Ato përveçse mund të bëhen protagonistë të qeverisë së re teknike deri në zgjedhje, janë më të mbrojtur nga një hakmarrje e mundshme e Berishës pasi ai kthehet menjëherë në një kufomë politike. LSI po ashtu fiton të drejtën dhe meritën e rrëzimit të regjimit dhe ka një perspektivë politike të re, ndërsa partia e Topit apo Aleanca Kuq e Zi mund të përfitojnë nga rrjedhjet e momentit të PD-së. Është kjo arsyeja që Berisha është realisht i shqetësuar jo për presidentin, por për ndonjë mocion kundër tij.

Nëse Ilir Meta e ndërmerr këtë hap politik tani, kur Berisha po refuzon kërkesën e tij për president konsensual, siç ua kërkon dhe “programi i Qeverisë së Integrimit”, atëherë ai ka shanse të mbrojë dhe administratën e vet në pushtet dhe të kushtëzojë Ramën për reformën zgjedhore me partnerët e rinj që do lindin nga një qeveri teknike, e mbështetur nga faktorët opozitarë.

Kjo është e vetmja rrugë që i hap rrugën një presidenti konsensual, një reforme zgjedhore dhe një orientimi normal të LSI drejt opozitës.

Beteja për t’i marrë Berishës presidentin me 71 vota është e pamundur, kurse presioni ndaj tij për një president konsensual pa votat për ta rrëzuar, është qesharak. Është pikërisht shqetësimi real që Berisha ka nga ndonjë mocion i mundshëm që po u dërgon deputetëve socialistë njerëz me çanta me para. Atyre po u kërkon të mos marrin pjesë në votim nëse ka një mocion kundër tij dhe jo ndonjë nder për presidentin. Për këtë arsye dhe opozita është më mirë të fokusohet tek beteja për ta rrëzuar atë pas refuzimit që i bëri reformës zgjedhore dhe ofertës së saj për president konsensual.

Arsyeja e dytë janë faktorët e rinj politikë në vend dhe kryesisht partia Fryma e Re Demokratike. Drejtuesi aktual i saj, Gazmend Oketa, duket se vuan pak nga inercia e pushtetit dhe nuk është shumë aktiv në debatin politik, por ai duhet të shprehur qartazi për opsionin e rrëzimit të Berishës në Kuvend. Teza e tij fillestare se nuk voton kundër qeverisë është konfuze dhe joproduktive. Ai duhet të thotë një gjë parimore, nëse partia e zotit Topi është në opozitë apo në koalicion me Berishën. Nëse është në opozitë, ai duhet të bëhet pjesë e lëvizjes opozitare për ta rrëzuar Berishën, për shkak të dëmit që po i bën vendit dhe agjendës së integrimit. Biles nëse ka ndonjë parti që fiton më shumë nga ky rrëzim është partia e tij, pasi atje mund të vrapojnë shumë figura të stresuara të PD-së që rrinë aty nga frika e pushtetit të Berishës, por dhe pamundësia për të bërë politikë të pavarur jashtë tij. Ai po ashtu mund të jetë, si shumë deputetë individualë në Kuvend, protagonistë të shumicës së re.

Por mbi të gjitha arsyeja madhore përse duhet rrëzuar Berisha tani është pamundësia që me atë të bëhen zgjedhje të lira. Raporti i Departamentit të Shtetit, botuar sot, e thotë qartë se shqiptarët kanë kaluar në pamundësi për të ndërruar pushtetin me votë, për shkak të kontrollit që ka mbi procesin Berisha me mekanizmat e tij, që nga ato mafioze, deri tek gjykatat. Ka vetëm një mënyrë që Sali Berisha të shndërrohet në kufomë për 24 orë dhe fëmijët e tij t’i shikoni në aeroporte me valixhe duke ikur të sigurojnë ç’kanë fituar. Rrëzojeni në parlament! Tani! Çdo vonesë, çdo llogari me gishta poshtë tavolinës, çdo marifet do të dështojë kundër tij. Ai duhet rrëzuar burrërisht me akte politike, me prishje koalicioni, me katandisje që të qëndrojë në pushtet duke tentuar të blejë deputetë. Një Berishë i rrëzuar me vota në Kuvend dhe një qeveri teknike, që do të bënte zgjedhjet e reja, do të rriste në maksimum besimin tek procesi dhe shanset për faktorët e rinj politikë në vend. Bamir Topi të harrojë se ndonjë deputet i PD-së mund të ikë nga PD-ja e të trokasë në derën e tij nëse ai nuk jep shenja se po rrëzon Berishën nga pushtet. Edi Rama ta harrojë se mund t’i marrë Berishës me Ilir Metën presidentin, duke e lënë atë në qeveri. Ka ose një shumicë të re qeverisëse, ose një president të ri nga Berisha. Dhe kjo e dyta do të thotë që s’ka më as zgjedhje të lira, as pushtete të pavarura, as drejtësi të ndarë nga politika dhe mbi të gjitha, siç tallen shpesh me ne politikanët, “as perspektivë evropiane të Shqipërisë”.

 

Comments

Submitted by nik (not verified) on

<p>vdiqe kapterr mero per te rrezuar berishen.ke 8 vjet qe pret ti bien koqet dashit.</p><p>ne fakt per kete te paguan edi.</p><p>hahhaaaaaaaaaaaaaaaaa</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.