A ka kush që e ndalë këtë mbrapshti?

Postuar në 19 Tetor, 2012 02:27

Pas lirisë së shprehjes, asaj të besimit dhe lirisë ekonomike, Franklin Delano Roosewelt e radhiste “Lirinë nga frika” (Freedom from fear.) Këtë e kishte bërë gjatë fjalimit inaugurues, më 4 mars 1933. “E vetmja gjë prej së cilës duhet të frikësohemi është vetë frika – frika e papërshkrueshme, e paarsyeshme, e padrejtë, e cila i paralizon të gjitha përpjekjet që zmbrapsja të shndërrohet në ofensivë”.

Kush do të parashikonte se gati shtatëdhjetë vjet më vonë, shoqërisë kosovare do t’i “injektohej” në palcën kurrizore paranoja kolektive, të cilën sot nuk mund ta mohojë askush!

Këtë më në fund e pranoi ish-zëdhënës i UÇK-së, njëri nga themeluesit e PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Shoqëria kosovare e ka një frikë për t’u shprehur, e ka një frikë për ta thënë mendimin e vet. Një gjë duhet ta dimë: forca kurrë nuk i ka mbajtur diktatorët, as nuk i ka krijuar. Frika lejon paligjësi, frika lejon që njerëzit të korruptohen, edhe moralisht edhe politikisht, edhe financiarisht…”

Do të dëshiroja që këtë ta thoshte me gojën e tij bashkëluftëtari i Krasniqit, Kadri Veseli!

Pse Kuvendi nuk e ngriti një komision të paanshëm parlamentar për hetimin e SHIK-ut?

Kjo edhe do të ndodhë një ditë, por prolongimi e mban Kosovën në shtratin e vdekjes klinike. Në Kosovë, falë konstitucionit moral të shoqërisë kosovare më nuk po ndodhin vrasje politike. Por Krasniqi e di dhe po e thotë se ai që flet humb pozitën shoqërore, pëson në karrierë, humb vendin e punës në kompanitë publike, (posaçërisht në Universitetin Publik, RTK etj.) nuk ia regjistrojnë fëmijët në shkollë, nuk ia marrin në punë…

Sepse çdo gjë shkon sipas rekomandimeve partiake.

Këtë do të duhej ta thoshte Kadri Veseli.

Për ta marrë rolin e njërit nga shpëtimtarët e shoqërisë kosovare, për t’i shërbyer asaj duke e çliruar nga frika.

Për këtë duhet me folë, me i shpalos letrat, si një patriot i vërtetë ligjor…

Këtë fuqi ai e ka!

Kosova është mposhtur nga teoritë konspirative, të cilat prodhojnë mjegull e mbjellin mosbesim, frikë dhe pasiguri të përgjithshme, e përmes tyre qendrat që i fabrikojnë ato, fshehin, retushojnë dhe i manipulojnë faktet.

Një teori konspiracioni shpjegon një ngjarje si rezultat i një komploti të dyshuar të një grupi të fshehtë apo organizatave, kryesisht të panjohura për publikun e gjerë.

Zhvendosin vëmendjen e publikut nga problemet reale, si dhe godasin ata që  perceptohen si kundërshtarë politikë, duke shkatërruar jetë njerëzish, për ta dominuar shoqërinë.

Kosova institucionale është shndërruar në kleptokraci, e korruptuar deri në asht, me krim të organizuar dhe nepotizëm po e kriminalizon tërë shoqërinë.

Kosova praktikisht ka hyrë në epokën e saj të “mek-kartizmit” (McCarthysm), me spy-tregimet “Bllaca 1” e “Ballaca 2”, me “Grand”- aferën (ku implikohen zëvendëskryeministri Pacolli dhe zëvendësministri Astrit Haraqia e deputetët Ukë Rugova e Naser Osmani) që mund të ndërlidhet me (vetë)vrasjen e  Dino Asanajt.

Pastaj me vrasësit potencialë të Xhemail Mustafës që i “zbuloi” një televizion në Prishtinë dhe me meselet e Enver Sekiraçës, që në ndërkohë ishte vetëdorëzuar para organeve të drejtësisë si i dyshuar për krime nga më të ndryshmet dhe i cili akuzon eksponentë të UÇK-në për krime lufte.

Dhe, të gjitha këto lajme kanë një ndërlidhje të çuditshme.

Janë stereotipe të ndërtuara nga teoritë konspirative, të cilat nuk i shërojnë plagët e shoqërisë, por krijojnë një ambient të volitshëm për  mposhtjen e racionalitetit, lajthitjen e drejtësisë dhe manipulimin e historisë.

Të kemi parasysh, të fuqishmit e konspiracioneve kosovarëve po ua përkujtojnë Berian, shefin e NKVD-së sovjetike (i pushkatuar më 1953); Goebelsit, shefin nazist të propagandës (i vetëvrarë më 1 maj 1945); McCarthyn, senatorin republikan nga Wiskonsini, që “kryqëzoi” amerikanët e dyshimtë për veprimtari komuniste (më 1957 Senati e dënon McCarthyn përmes një rezolute dhe ai vdes më 2 maj 1957 plotësisht i degraduar nga alkooli, në një spital psikiatrik); madje edhe vetë Aleksandar “Leka” Rankoviqin, ministrin e Brendshëm jugosllav, që me UDB-në e tij ishte ideator dhe ekzekutor i një qasjeje të ashpër kundër shqiptarëve në Kosovë, të cilët ishin të dyshuar dhe të persekutuar zakonisht për aktivitete kryengritëse. Ai shpushtetizohet nga Partia Komuniste më 1966 në Plenumin e Brioneve dhe vdes më 1983); dhe natyrisht konspiracionistët kosovarë e kanë për yrnek shefin e Sigurimit shqiptar, Kadri Hazbiun, (Kadri Hazbi Dautaj) të cilin më 13 tetor 1982 Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së e përjashton dhe nga partia, arrestohet më 15 tetor 1982, ndërsa më 10 qershor 1983 pushkatohet.

Por sipas një analize më të gjithanshme, SHIK-u kosovar me metodat e veta të “spastrimit të shoqërisë”, duke “injektuar” paranojë kolektive (frikë dhe frikësim) del të jetë shumë më i përafërt me “mek-kartizmin”, sesa me simotrat e veta në rajon dhe më gjerë në botë.

“McCarthysm” vë në pyetje në mënyrë agresive patriotizmin e një personi, duke bërë akuza të mbështetura dobët, duke përdorur akuza për tradhti, për t’i bërë presion një personi si konformist ose për të diskredituar një kundërshtar. Kjo doktrinë demagogjike i ka zhdavaritur të drejtat civile në emër të sigurisë kombëtare.

Ilustrimin më të mirë për atmosferën në shoqërinë amerikane të viteve ’50 të kapluar nga histeria masive dhe paniku moral e gjejmë tek filmi “A beatiful mind” që përshkruan jetën dhe skizofreninë e gjeniut të matematikës John Nash, fitues i “Nobelit” për ekonomi, i cili bie viktimë e atmosferës në SHBA gjatë epokës së McCarthyt.

“McCarthyism” është sinonim për shprehjen “gjueti shtrigash”.

“McCarthysmi’ kosovar identifikohet me Kadri Veselin, njeriun enigmatik, që konsiderohet të jetë me ndikimin më të madh në politikën e vendit.

Ky njeri madje s’i fsheh ambiciet politike.

Por ai ende flet nga avanskena edhe për shtetndërtimin dhe politikat kombëtare të Kosovës, nuk foli asnjëherë për lirinë nga frika dhe lirinë e shprehjes.

Organizata që ai ka drejtuar, në shoqërinë kosovare perceptohet si organizatë që nuk i ka llogaritë e pastra, njerëzve të saj u përshkruhen kërcënime, “vrasje, plagesa dhe rrahje brutale” (Bllaca), shantazhe, deri edhe vrasje politike.

Ky njeri që në publik ka reflektuar mbi shumë probleme madhore të shoqërisë dhe shtetit të ri, me të cilat njeriu mund të pajtohet ose jo, por ai nuk e ka dhënë kontributin e tij qytetar, rreth mjegullës që e rrethon këtë organizatë, sidomos pas luftës e këtej.

Derisa Kadri Veseli nuk ngrihet vetë që ta inaugurojë lirinë nga frika dhe frikësimi dhe ta denoncojë organizatën e tij të dikurshme për krimet eventuale të pasluftës, të cilat i përshkruhen nga oponentët politikë, e që janë të dokumentueshme, ai vlerësohet se nuk po e merr në mbrojtje atdheun (shtetin), por njerëzit e klanit të tij.

E Kosovës i duhen qytetarë trima që nuk përshtaten, por që me fuqinë e zërit të tyre bëhen zëdhënës të atyre që s’kanë zë – shqiptarëve të lodhur e të munduar nga mospasja, nga krimi e hajnia. Sepse korrupsioni i tillë që ka përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit e ka shndërruar vendin në kleptokraci, që lirisht mund të thuhet se e ka gërryer legjitimitetin e pushtetit deri në përmasat e tradhtisë kombëtare.

Ai ka përmendur në intervista, se brenda organizimit çlirimtar ka pasur “kodoshë”, por ai nuk ka dhënë sqarime të sakta në publik se a ka ai dijeni për kërcënimet dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë (kryesisht veprimtarë të LDK-së) pas luftës në Kosovë, që nga ky krah kryesisht i përshkruhen SHIK-ut.

Ai vetë do të thoshte më vonë se kurrë nuk ka qenë kundër njerëzve të LDK-së, por roli i tij si shef e obligon të dëshmojë për zbulimin e të gjitha vrasjeve me motive politike dhe qitjen e kryerësve potencialë para drejtësisë. Kjo do të krijonte stabilitet të qëndrueshëm brenda Kosovës, por edhe do të dëshmonte qëndrueshmërinë e shtetit të ri në skenën ndërkombëtare.

Ai nuk ka saktësuar se ku janë dosjet e mijëra njerëzve të Kosovës që i ka përpiluar SHIK-u dhe profilet e kujt kanë qenë interesante për këtë organizatë; dhe përse një organizatë që pretendon se ka vepruar për çlirimin dhe konsolidimin e sigurisë në vend është rreshtuar me një parti politike (PDK), bazuar në rolin e SHIK-ut në fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e 2007-s dhe 2010-s.

SHIK-u e ka aplikuar metodën “McCarthy” në gjuetinë ndaj secilit shqiptar të dyshimtë sipas dioptrisë ideologjike përjashtuese, ndaj secilit që konsiderohej “projugosllav” ose “proserb”, “titist”, ish-spiunë të UDB-së etj. Por edhe elementë subversivë ndaj luftës së UÇK-së, që kryesisht i përkisnin LDK-së, por veprimtaria e tyre “armiqësore” rëndom ka mbetur e paprovuar.

Në këtë kontekst lajmi bombë me sahat që u distribuua nga një televizion i Prishtinës, se të dyshuar për vrasjen e Xhemail Mustafës janë zyrtarë të shtetit, do të duhej ta vinte në lëvizje tërë shoqërinë dhe posaçërisht hetuesinë, por edhe politikën, përkatësisht Kuvendin e Kosovës. Madje edhe adresa e krimit u lokalizua në këtë gjysmëlajm të jetë në selinë e lëvizjes “Vetëvendosje”! Mirëpo Prokuroria e shtetit, organet e ndjekjes, por edhe vetë politika po hesht. Duke mos e marrë në mbrojtje askush publikun; duke krijuar kështu një ambient të rrezikshëm të pasigurisë së përgjithshme. Duke krijuar parakushte që secili nga 120 deputetët, si dhe secili nga 7000 oficerët e policisë kosovare të jenë të dyshuar potencialë për vrasje!?

Duke parë në rrjetet sociale dhe komentet e lexuesve në portalet kosovare se me çfarë lehtësie të padurueshme njerëzit përfliten dhe akuzohen për vrasje (përmenden deri më tash emrat e dhjetëra deputetëve) të del hesapi i qartë, patologjia shoqërore në Kosovë ka arritur pikën kulmore, ajo vuan nga paranoja kolektive!

Zbulimi i të gjitha vrasjeve me motive politike është shtysë për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe një shteti ligjor, por kjo nuk do të duhej kurrë të përdorej për mujshi politike, ndërmjet grupacioneve të ndryshme dhe për të shkaktuar sa më shumë pasiguri në publik. Do të duhej të vlente e kundërta.

Në këtë tregim spiunazhi, të kërkohen personazhe të Lëvizja VV është e pandershme, sepse atëbotë nuk ishte e krijuar si parti politike.

Këso vendimesh madje nuk janë marrë as në selitë e asnjërës nga partitë politike, por në zyrat e fshehta të milicive sekrete (SHIK), pra në këtë rast duhen të studiohen patologjia shoqërore dhe verbëria ideologjike e LPK-së (si themeluese e UÇK-së), lehtësia e padurueshme e goditjes së kundërshtarit politik nga ana e eksponentëve më radikalë të luftës çlirimtare.

Kosova është zhytur në një pellg konspiracionesh.

Këtu ligjin e bëjnë frika dhe frikësimi.

Kosova është vendi ku  të gjithë janë yshtur kundër të gjithëve.

A ka kush që e ndalë këtë mbrapshti?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.