Jo, nuk u krye, Bacë! Vetëm ja ka nisë...

Postuar në 19 Shkurt, 2013 03:51

Para më shumë se 5 vjetësh, 3 ditë pas shpalljes zyrtare të Pavarësisë së Kosovës nga Parlamenti i Kosovës, saktësisht më 20.2.2008, e kisha shkruar një artikull me titull provokues: “Jo, nuk u krye, Bacë! Vetëm ja ka nisë..:” dhe të njëjtën ua dërgova disa gazetave dhe disa faqeve tona shqiptare në internet. Për shkak të përmbajtjes së vet tejet kontroverse, e cila fare nuk përkonte me realitetin e kohës dhe momentit euforik të kremtes gjithëkombëtare të kësaj shpalljeje, këtë artikull, atëbotë, përveç disa faqeve tona, për mua tejet të respektuara shqiptare në internet, nuk e botoi asnjë gazetë ditore. A thua, pas 5 vjetëve, si do ta vlerësoni ju sot këtë artikull, të nderuar miq!

 

****

 

DATA: 20.2.2008 Edhe pse në thellësinë e qenies sime ndjeja një presion që intuitivisht më shpalosej si parandjenjë mangësie dhe dyshimi konfuz, assesi nuk e mohoj faktin se, edhe unë isha pjesë e euforisë së kremtimit të kësaj ngjarjeje të madhe historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë kësaj ndjenje të brendshme që më shpalosej si kundërshti në mes të unit tim irracional dhe egos racionale, kjo e dyta veç e kishte përqafuar realitetin e rastit të momentit euforik, duke mos më kursyer as nga lotët e gëzimit. Në pritje edhe të aktit formal të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, në kuadrin e skenarit të pasur festiv dhe spontan popullor, veç ishin lansuar format e ndryshme metaforike të shprehjes kreative të kësaj ngjarje. Pa dyshim, nga shumë sloganet që veç ishin dominonte në hapësirën parafestive dhe festive kosovare, si më e përqafuar nga masat e gjera popullore, u bë ai: “Bac, u kry”!
Nuk ka dyshim! Vërtet një slogan i fuqishëm me domethënie tejet sugjestive, por, në anën tjetër, nuk e di as vetë se si më lindi hamendja se sa ajo në thelb mund të jetë reale dhe e qëlluar?! Pikërisht ky dyshim paradoksal më shtyri që spontanisht të zhytem në një përsiatje mendimesh. Menjëherë fillova të bredh në biografinë e këtij kolosi të madh, simbolit tonë të rezistencës së armatosur kombëtare kundër pushtuesit serb. Shëtita gjatë, por askund nuk gjeta se Baci ynë na paska luftuar dhe na është flijuar për një shtet të pavarur të Kosovës, në të cilën, ne si shqiptarë, në vend se ta presim me gëzim dhe ovacion vendimin formal të Parlamentit të Shqipërisë për bashkimin edhe të një pjese të copëtuar trungut amë, do t’i gëzohemi të kundërtës - njohjen e Kosovës nga Shqipëria si shtet dhe legalizimit të ndarjes së saj! Po ashtu, as që guxoj të paragjykoj se, po të ishte gjallë Baci, do t’i gëzohej këtij shteti, të cilit Kushtetutën ia kanë shkruar të tjerët, ndërsa, në Preambulën e saj as që përmendet lufta e lavdishme çlirimtare e UÇK-së; një shteti të cilit flamurin ia ka qëndisur një Marigonë, për të cilën, ku ta dimë ne se cilit brez dhe drejtim masonerik të botës i takon...?!
I tretur tërësisht në këto mendime, ndjeva sikur para meje m’u shpalos pamja e Bacit me tërë atë madhështinë e tij që ka dhe filluam të bisedojmë së bashku: - “S’jam i sigurt, sa ke qenë gjallë, o Bacë, a ke dëgjuar për njëfarë finlandezi Marti Ahtisari që na i ka prerë sot teshat e shtetësisë sonë? Kanë disa arna këto tesha, por neve na thonë se ky dizajn tani na qenka në modë. Sigurisht se nuk ke dëgjuar as për kallëpin e teshave, ku mbështetet ky model: rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Jo, jo! Nuk mund ta dish atë, sepse kur është pruar ajo, ti veç ishe flijuar pikërisht kundër asaj varësie që decidivisht përcaktohej në këtë akt ndërkombëtar: sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.

E di bacë, e di! Ti je kolos dhe nuk mashtrohesh me fjalët e politikanëve tanë të dyshimtë, që sot, në praninë e medieve dhe kamerave të shumta, përkulen dhe rrëfehen mbi varrit tënd. Por, më lejo mua si një vegjëli karshi tyre, ta citoj vetëm pikën 12 të Deklaratës së shpalljes së pavarësisë, që ndodhi më 17 shkurt nga Parlamenti i Kosovës. Në këtë deklaratë historike, ndërmjet tjerash, thuhet: “...Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar t’i plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë deklaratë, përfshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)...” Por, mos u brengos Bacë, dhe preu i qetë në tokën shqiptare amë. Fatlumisht, pas teje kanë lindur dhe lindin shumë djema dhe vajza me shpirt të pastër kombëtar, të cilët amanetin tënd të vërtetë patjetër dikur do ta çojnë në vend. Nuk do ta kesh vështirë t’i dallosh ata Bacë; e kanë shijen dhe aromën si të gjakut tënd dhe dëshmorëve tjerë; si të gjakut të njomë të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, dy viktimave të fundit që u vranë prej dorës gjakatare të m’u atyre që sot krekosen se na e kanë “sjellin” këtë pavarësi... Mos druaj, Bacë! Kësi atdhetarësh nuk janë sosur ende! Janë me mijëra e mijëra që ndoshta në këto momente gëzohen, por nuk festojnë me eufori. Ata janë të matur dhe qëndrojnë të heshtur në vigjilencë. Prandaj, të them sinqerisht Bacë! Nuk u krye ende! Vetëm ja ka nisë...”!  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.