Ishin shumë, Besim!

Ministri Besim Beqaj duhet të ketë aftësi të jashtëzakonshme prej detektuesi, kur konkludoi se shumica e protestuesve të mërkurën nuk ishin nga ata që janë zhgënjyer me faturat e larta të KEK’ut, por nga ata të zhgënjyer në dështimet e tyre politike.
Cinik dhe fjalëkotë, siç di të jetë shpeshherë, ai po përpiqej të formulonte reagimin e pushtetit karshi një numri shumë të madh qytetarësh, të cilët zgjodhën marshin paqësor për të protestuar kundër hajnisë së qeveritarëve dhe të gjitha atyre që kanë zgjedhur ta “çnukin” shtetin çdo ditë.
Të indinjuar me faturat e larta të energjisë elektrike, qytetarët marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë si për të treguar se apatia po merrte fund dhe Besimi me kolegët e tij nuk do të ishte mirë që të kishin edhe më tutje besim se gjërat i kanë nën kontroll.
Afera e skandale të panumërta kanë tronditur shtetin e ri të Kosovës, por qytetarët kanë qëndruar thuajse indiferentë, duke bërë që pushtetarët të vazhdojnë misionin e tyre prej zhvatësve pa pasur frikë se dikush, sriozisht, do të kërkonte llogari nga ta.
Shumica e atyre që u panë të mërkurën në protestë nuk ishin prej atyre që kishin dështuar politikisht, sipas optikës së Besimit. Ishin qytetarë, të cilët qeverisja e keqe i ka lënë të varfër e pa dinjitet. Ishin qytetarë, të cilët shpresat më të mëdha vazhdojnë t’i kenë pikërisht në ministrinë e udhëhequr nga Besimi, e cila jo që nuk punoi për sendërtimin e misionit të saj – zhvillimin ekonomik të vendit, por bashkë edhe me dikastere tjera qeveritare zhvilloi korrupsionin, papunësinë, hajninë e papërgjegjësinë.
Dhe, tek i kishte parë në numër aq të madh të mbledhur para zyrës së tij, Besimi kishte zgjedhur të jetë cinik dhe predikues, duke thënë se pushteti nuk mund të merret me dhunë.
Ishin shumë Besim, apo jo?
Sa shumë “komplotistë”!
Të mërkurën, Besim Beqaj nuk po bënte gjë tjetër, por vetëm po i përsëriste fjalët e shefit të tij, Hashim Thaçi të thëna pikërisht dy vjet më parë, atëherë kur flitej për një të ashtuquajtur “plan komplotist kundër Qeverisë”. Beqaj sapo kishte marrë postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik ndërkaq Thaçit, që po niste mandatin e dytë, i duhej një shkas për të propaganduar rrezikun nga një komplot, një tentim për grusht shteti, siç e kishte cilësuar plot pompozitet një plan të rëndomtë për veprim të shoqërisë civile.
Thaçi, pra, po e zmadhonte me qëllim një letër dërguar disa OJQ’ve, që kërkonte integritet të institucioneve shtetërore, gjë kjo që do të duhej të ishte më se normale në një shoqëri demokratike.
Ai, madje, paralajmëroi se shembujt e përcjellë në vendet përreth Kosovës nuk do të lejohen të barten në Prishtinë. Mendonte në ngjarjet që kishin ndodhur pak javë më parë në Tiranë, kur pushteti kishte vrarë katër protesues.
Dy vjet pas, qytetarët u mblodhën pa qenë pjesë e kurrfarë komploti, intrige a teorie konspirative. Ata nuk po protestonin për “çashtje madhore”, si bashkimi kombëtar ose Lugina e Preshevës, por po shprehnin mllefin për diçka shumë më të rëndësishme, më thelbësore: jeta e tyre nuk po ndryshon për të mirë, madje po përkeqësohet. Dhe përgjegjësit për këtë kanë emra dhe adresa. Njëri, të cilit po ia kërkonin dorëheqjen, ishjte Besimi.
Në dyvjetorin e Qeverisë Thaçi II, Kosova vazhdon të jetë vend i pazhvilluar ekonomikisht, i varfër, i pashpresë. Me pushtetarë të pasur, arrogantë e të papërgjegjshëm dhe me qytetarë që po ngrenë zërin kundër hajnisë-për zhvillim të shtetit.
Shumë, Hajrulla!
Autorësia e “planit komplotist” të dy viteve më parë i ishte mveshur Hajrulla Çekut, një aktivisti të zellshëm të shoqërisë civile. Çeku ishte vënë në shënjestër të sulmeve nga çdo anë, duke u kthyer në “armikun e shtetit”, ndërkohë që ai thjesht po koordinonte në hartimin e një dokumenti veprimi me akterë të tjerë të shoqërisë civile.
Që atëherë, Çeku nuk ka reshtur së kundërshtuari dhe luftuari të keqen në shoqëri, të këqinjtë në pushtet. Të tillë e pashë edhe të mërkurën, në protestë. Mbante në duar një pankartë në të cilën shkruhej: “Për hajnat e kam vetëm një fjalë”, e ilustruar me gishtin e mesit të ngritur lart.
Nuk kishte nevojë të shqetësohej se prapë do ta fajësonin, si dy vjet më parë. Kësaj radhe “skenari” për protestë ishte gati. E kishin shkruar Besimi me shokë.
Hajrullahut, ndërkaq, bashkë me mijëra qytetarë të tjerë, vetëm sa iu është shtuar besimi se veprimi, angazhimi dhe solidariteti mund të ndryshojnë një realitet që dhemb çdo ditë. Ata po tregonin se idealizmi e entuziazmi nuk iu ishin ndrydhur dhe po kërkonin diçka shumë të thjeshtë: ndëshkim për hajnat.
Për ata që ilustrimi në pankartën e Hajrullahut është më e pakta që e meritojnë. Për ata që gishtin e mesit të ngritur lart e kanë model qeverisjeje për qytetarët. Për ata që nuk ishin pak të mërkurën.
Shumë, shumë ishim, Hajrulla!
EXPRESS
Add new comment