Heqja e lapidarit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
1. Çfarë pune i prishte Serbisë lapidari i të rënëve në qendër të qytetit të Preshevës? Ata ranë në një luftë për liritë themelore të njeriut. Një luftë kundër një regjimi që tashmë e gjithë Europa e ka ndëshkuar. Madje edhe vetë Serbia ka thënë se e ka tejkaluar. Ai që e projektoi dhe e udhëhoqi atë regjim, më gjakatarin në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, i shpëtoi ndëshkimit të Gjykatës së Hagës, vetëm pasi Zoti u tregua më i shpejtë.
Sllobodan Millosheviçi nuk është më gjallë. Por hienat dhe zgjatimet e tij në Beograd akoma po kërkojnë të mbajnë shqiptarët dhe serbët në konflikt. Beogradi tregoi dobësinë e fundit tek hoqi lapidarin e të rënëve në Luginën e Preshevës. Ata ishin ushtarë legalë, të një ushtrie të shpallur, me synime të qarta për çfarë luftonte. Ata nuk ishin terroristë, siç paturpësisht i cilëson hiena e Millosheviçit. Ranë për të hequr qafe një regjim pushtues. Një regjim që, ndonëse sot nuk ekziston, nostalgjia për të mbetet akoma e fortë në institucionet kryesore të Serbisë. Ushtarët e rënë në luftë respektohen edhe kur janë pushtues. Ndërsa kur bien në tokën e tyre, në pragun e shtëpisë së tyre ushtarët kthehen në dëshmorë.
Ata ishin shqiptarë. Dhe si të tillë janë dëshmorë të kombit shqiptar. Ne jemi të detyruar të mbrojmë kontributin e tyre, gjakun e tyre. Shqipëria e ka obligim kushtetues të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Serbia e çoi deri në fund paralajmërimin e saj për heqjen e lapidarit, duke treguar seriozitet kur është fjala për të kryer akte të tilla kundër shqiptarëve. Edhe pse çështja ishte në negociata me ndërmjetësim të faktorëve ndërkombëtarë.
Deklaratat që pasuan ndërhyrjen e shëmtuar të policisë serbe, në qendër të Preshevës, për hir të së vërtetës kanë qenë dinjitoze. Si rrallë herë shqiptarët kanë reaguar në mënyrë të përmbajtur dhe me nota të ashpra diplomatike. Ndërkombëtarët po ashtu nuk e kanë mbështetur aktin e policisë serbe.
2. Heqja e lapidarit është një precedent i mirë që na sjell ndërmend faktin që Lugina e Preshevës u duhet kthyer shqiptarëve. Ky precedent mund të shërbejë për përshpejtimin e planit për Bashkimin Kombëtar, nëpërmjet një zgjidhjeje politike që do ta përfshinte Luginën e Preshevës në këmbim të një pjese të Veriut të Kosovës. Shqiptarët po përballojnë një kosto të lartë dhe po shpenzojnë shumë energji për të mbajtur dhe disiplinuar serbët e Veriut, deri tani krejt jashtë kontrollit, duke lënë thuajse jetimë vëllezërit e tyre të Luginës. Ndërsa serbët po i trajtojnë këto territore me dy standarde të ndryshme. Të drejtat e një shqiptari në Preshevë nuk janë të barabarta me ato të një serbi të Veriut.
Këmbimi i territoreve mbetet një prej mundësive më të efektshme për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktin potencial që do të rrezikonte të kthente mbrapsht zgjidhjet e arritura. Ky variant është i vetmi që do të na siguronte mbështetje ndërkombëtare për hapin e parë të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Duke shërbyer njëkohësisht si zgjidhje përfundimtare për të dy rajonet: pjesën e Veriut dhe Luginën.
Përpjekja për t’i marrë ose mbajtur të gjitha, e lë situatën të mbërthyer në të dy anët, duke mbyllur çdo mundësi zgjidhjeje në interes të fqinjëve. Më mirë se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, ose ndonjë hap radikal në marrëdhëniet dypalëshe, Tirana zyrtare do të bënte më mirë të hidhte në tavolinë planin e Bashkimit Kombëtar, që do të vinte si rezultat i një marrëveshjeje të madhe në Ballkan me ndërmjetësi ndërkombëtare. Ky variant që fillon me diskutimin për këmbim të territoreve, ka mbështetje të gjerë në Kosovë dhe në Shqipëri, por sipas të gjitha gjasave edhe në Serbi. Të ikim prej llafeve boshe dhe të flasim konkretisht. Këmbimi i territoreve do të rrëzonte pengesën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Më mirë sot sesa nesër. Sepse nesër mund të jetë vonë dhe mund të këtë çmim të lartë. Ngado që ta sjellësh, zgjidhja aty do të fillojë. (MAPO)
Add new comment