Diçka nuk shkon në propagandën e kryeministrit

Postuar në 07 Tetor, 2012 05:00

Zoti Kryeministër ka një kulturë ligjore të admirueshme. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për edukatën e tij ligjore, por, le ta themi hapur, për një shtetar kjo e dyta vlen shumë më tepër. Mungesa e respektit ndaj rregullit juridik, në kushtet kur e njeh mirë atë, i jep aktit densitetin më të madh transgresiv në raport me rregullin. Sepse jemi në rrethanën e dhunimit me vetëdije të tij, pra të rregullit. Që kjo të ndodhë duhet, ose shkelësi të jetë në kushtet e një nevoje të jashtëzakonshme ose të një pavetëdije të jashtëzakonshme. Për ta thjeshtuar analizën: nëse kryeministri shkel dispozitën që ndalon propagandën politike në institucionet arsimore, duhet ose të ketë një shkak madhor që e detyron të shkelë dispozitën, ose të mos kuptojë atë që po bën.A priori, arsyeja e dytë nuk mund të jetë. Ne kemi një kryeministër të shëndetshëm mendërisht dhe të aftë për të kuptuar dhe vepruar. Atëherë ngelet mundësia e parë: kryeministri bën propagandë politike në një institucion të depolitizuar sepse gjendet në situatën e një nevoje madhore. Mirëpo fiks këtu zë fill ajo çfarë nuk shkon në propagandën e kryeministrit tonë. Le ta arsyetoj.

Tri ditë më parë, përmes konferencës së shtypit që dha në mjediset e Kryeministrisë, shefi i qeverisë u injektoi mbështetësve të tij një dozë të fortë optimizmi kur tha se “Partia Demokratike është në zenitin e konsensusit të saj elektoral të këtyre 22 vjetëve”. Pas kësaj profilaksie emotive, demokratët nuk do të bien kurrë në një moment depresiv deri në 2013-ën. Poll-et, sipas kryeministrit, nuk lënë asnjë marzh mosbesimi: 2013 nuk do të jetë një moment i thjeshtë konfirmimi politik i shumicës aktuale, por një “fshirje me fshesë” e kundërshtarëve.

Kryeministri është një agjitator brilant, por druaj se kësaj here propaganda e tij do ngjisë. Dhe, a e dini pse? Për shkak të vetë kryeministrit. Sepse, propaganda e tij është fitimtare, por sjellja politike, jo! Vetëm një hall i tmerrshëm politik mund të detyrojë të shkallmosh rregullin më civil (përveçse ligjor) në botën e qytetëruar, atë  të distancës së pakalueshme mes institucioneve të dijes dhe politikës. Të detyrohesh të bësh propagandë politike për mendjet e kufizuara të fëmijëve 12-vjeçarë, nuk është vetëdije prej fitimtari, por panik prej humbësi. Të detyrohesh të propagandosh para syve të shushatur të minorenëve çështjen e karrigeve bosh të opozitës në parlament, nuk do të thotë se je duke denoncuar antiparlamentarizmin e opozitës, por se je duke pranuar dështimin e politikës tënde parlamentare. Të detyrohesh që ta zhvendosësh propagandën politike nga “oborri” i natyrshëm i massmedias, nëpër oborret e pafajshme të shkollave, nuk do të thotë se je duke diversifikuar propagandën, por se ke dështuar në të gjithë mekanizmat e propagandës. Ke dështuar në propagandën zyrtare, por sigurisht, ke dështuar edhe në gjithë modelin propagandistik të medias pranë vetes.

Mirëpo nuk është vetëm kjo, ajo çfarë nuk shkon në propagandën e kryeministrit. Zakoni më i ri i tij, ai i agjitpropit nëpër shkolla nuk mund të kalonte në heshtje. Komentatorët (shumë të paktë me thënë të drejtën) e pikasën dhe folën me ashpërsi. Por edhe kryeministri nuk heshti: “Do të vijoj t’u flas nxënësve të shkollave për bëmat e opozitës”, – tha në mbledhjen e grupit parlamentar ditën e hënë. Që, me fjalë të tjera nënkupton se propaganda nëpër shkolla do të jetë një konstante deri në zgjedhjet që presim. Ose mundet edhe të mos jetë. Se ja për shembull, ditën e enjte, kryeministri  ynë i deklaroi në sy kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në komunikimin që patën me mediat se, “qeveria zotohet se, do të bëjë gjithçka, aq sa ajo ka në dorë, dhe qeveria ka jo pak në dorë, që zgjedhjet e 2013-ës të jenë brenda standardeve europiane”. Mirëpo shumëkush prej nesh, ashtu skeptikë siç jemi, lexuam pas ligjëratës së kryeministrit një propagandë të kulluar tek e cila, ashtu si dhe në analizën e pakmësipërme, ka diçka që nuk shkon. Dhe nuk kemi faj, besoj. Ç’do të thotë të deklarosh ditën e hënë se, “do vijoj propagandën politike nëpër shkolla”, kurse 48 orë më pas “premtoj standarde europiane për zgjedhjet”? Afërmendsh që kjo pyetje ka vlerë nëse ndajmë me kryeministrin të njëjtin koncept rreth togfjalëshit “standarde europiane”. Dhe ç’është më e rëndësishmja, nëse kryeministri na tregon ndonjë hapësirë, të panjohur për ne, në Europë, ku propaganda politike nëpër shkolla klasifikohet si standard.

botuar te mapo.al

Comments

Submitted by Dashi me zile (not verified) on

<p>Mire e ke ti,por Sali Berisha ua di mendjen mbeshtetesve te tij.Shqiperia nuk mund te behet Europiane me Gardistet qe i puthin doren Komandantit te Gardes Ndrea Prendi ne sallen e gjyqit ashtu sikunder ne filmin ku Al Pacino merr frenat e Cosa Nostras.Militantet dhe votuesit e tij kane 22 vjet qe i puthin doren e lyer me gjak Padrinos se tyre Sali Berisha.Me vetedije te plote per krimet e panumerta te ketij te fundit gjate ketyre 22 vjeteve.Problemi i Shqiperise nuk eshte vetem Sali Berisha.Ai eshte pjelle e vete asaj pjese te shoqerise Shqiptare qe puth me vetedije dhe madje me kenaqesi perverse doren e Padrinos gjakatar.Nuk mund te parashtrohet standarti Europian i shkolles Laike dhe njekohesisht te depolitizuar ne brendesine e nje shoqeri te dale mendsh,e cila e kupton vleren e votes shume mire.Me vetedije nepermejt votes armatosin doren e Krimit te Padrinos se tyre Sali Berisha.Me vetedije ata e armatosin me vote.Nepermjet perversitetit te tyre ekstrem qe e ka burimin nga kompleksi i inforiritetit dhe i te ndjerit te deshtuar.Dhe ne Shqiperi ka shume deshtake e njerez te deshtuar,qe kerkojne nepermjet krimit dhe urrejtjes te i mbushin mendjes pjeses se shendetshme dhe te sukseshme te shoqerise,se jane me te afte se keta te fundit.Ky eshte realiteti Shqiptar qe i lejon c&#39;do gje Sali Berishes.</p>

Submitted by Bard (not verified) on

<p>&quot;Mungesa e respektit ndaj rregullit juridik, në kushtet kur e njeh mirë atë,i jep aktit densitetin më të madh transgresiv në raport me rregullin&quot;, ej kjo eshte fraze mor shoku,&nbsp; jo si keto tonat; autori donte te thoshte: Kur e shkel ligjin, duke e ditur qe po e shkel, shkelja behet me e rende. Ndoshta kjo menyre te shkruari e shtyu Shopenhauerine ta perçmonte gazetarine, perjetesisht...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.