Cilët janë Lance Armstrongët tanë?

Postuar në 07 Shkurt, 2013 07:14

LANCE ARMSTRONG gjithsesi është hero. Por, jo ai që kishte qenë deri dje. Çiklisti më i famshëm i të gjitha kohëve, për vite e vite me radhë ka shërbyer si frymëzim shpresëdhënës i të gjithë njerëzve, si rrëfim i personit që mundi sëmundjen vdekjeprurëse dhe u bë kampion absolut sportiv. Pasi që ia kishte dalë të shërohet nga kanceri në testikuj, që i ishte shpërndarë edhe në tru dhe mushkëri, Lance jo vetëm që iu kthye sportit sërish, por arriti deri atëherë të paimagjinueshmen: fitoi plot shtatë gara Tour de France radhazi.

Frymëzim më të madh për njerëzimin nuk mund të imagjinohej. Teksa fytyra e tij na dilte e buzëqeshur thuaja në të gjitha revistat më të mëdha botërore, shpesh me titull të thjeshtë: heroi. Fytyra e Lance Armstrongut kohëve të fundit sërish ka zënë ballinat e revistave botërore dhe sërish në tituj aty-këtu përmendet fjala “hero”. Por, konteksti është tjetër dhe buzëqeshja tash është zhdukur. Lance nga hero i shpresës është kthyer në hero të mashtrimit. Pasi që për vite me radhë kishte kundërshtuar ashpër çdo lajm që kishte dalë me dyshimet se sukseset ishin rezultat i substancave të palejuara dhe jo i përgatitjes sportive, Lance përfundimisht e ka pranuar.

“Kam gënjyer”, ka qenë përgjigjja e tij në intervistën e shumëndjekur të Oprah Winfrey. Dhe, gjithçka është shembur. Atij i janë marrë të gjitha medaljet dhe të gjitha mirënjohjet e tjera. Është kthyer në zhgënjim për shumëkë. Por, a mjafton? Çka të bëhet me legasinë e tij? Çka të bëhet me librin e tij autobiografik “Çdo sekondë ka peshë”, ku Lance përshkruan me hollësi betejat e tij drejt suksesit? Eh, disa librari në Australi duket se tashmë e kanë gjetur zgjidhjen. Nga seksioni i librave me kujtime, e kanë zhvendosur në raftin e letërsisë fiksion. Pasi që, natyrisht, aty bëhej fjalë për trillim dhe jo një jetë të vërtetë.

CILI VERSION i Lance Armstrongut do të na pëlqente të dilte i vërtetë? Tash kjo mund të jetë një pyetje esenciale. Rrëfimi i suksesit është aty, ballinat e gazetave kanë mbetur, edhe paraqitjet televizive e filmike, libri i kujtimeve e gjithçka tjetër është aty. E vetmja gjë që ka ndryshuar është koshienca jonë. Ne tash e dimë se Lance na ka mashtruar. Dhe se nuk e kemi një shembull të atillë suksesi njerëzor, me të cilin secili do të dëshironim të mateshim. Tash mbetet vetëm besimi. Besimi se një rënie dhe një ngritje e atillë e njeriut që është buzë vdekjes është e mundshme. Por, përse Lance ka mohuar dëshpërueshëm shkrimet e hershme në media për mashtrimin e tij? Epo, kjo sigurisht ka të bëjë me natyrën narcisoide të njeriut. Dëshirën e përhershme për të qenë i dashur, i adhuruar, i pëlqyer, me një fjalë – hero.

PËR SHEMBULL, KOSOVA gjatë gjithë këtyre viteve ka parë përpjekje të shumta për interpretime të roleve të ndryshme në meritat në rrugën drejt pavarësimit të vendit. Në kuadër të kësaj rruge shpesh kanë dalë individë e grupe të caktuara të cilët kanë pretenduar ta disponojnë “të vërtetën”. Dhe, mbi të t’i japin vetes të drejtë të gjykojnë edhe për të tjerët.

Mund të thuhet se të gjithë kanë të drejtë, aq sa edhe mund të jenë të gabuar. Pasi që historia e Kosovës vazhdon të çalojë. Cila është e vërteta për Kosovën e viteve të Jugosllavisë së Vjetër, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, pas saj, nën Titon, nën Milosheviqin, me LDK-në, me UÇK-në, pas luftës, e pavarësisë etj. etj.? Ende duket të mos jemi të gatshëm për reflektimin gjakftohtë, pa emocione, për ato që kemi kaluar. Por, kjo nuk i ndalon që individë të caktuar të nxitojnë t’i veshin epitete vetes për meritat që i kanë. Në Kosovën tonë mund të gjejmë persona që ia atribuojnë vetvetes çlirimin e vendit, shpalljen e pavarësisë e anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ka të tjerë, që ia dalin ta shesin veten si një storie suksesi dhe pastaj të lëvizin nga komandantë në një luftë e një tjetër, komandantë të forcave të sigurisë, shefa qeverie me librezë të caktuar partie vetëm për aq sa zgjat mandati, kryetar i një partie të vjetër, e që bëhet pjesë e një koalicioni partish për t’u emëruar ministër dhe për të shkuar pastaj si anëtar i thjeshtë i një partie krejt tjetër. Ka edhe të tillë që përdorin emra të mëdhenj prindërish vetëm që brenda pak muajsh të lëvizin nëpër 3-4 parti, pa e dhënë asnjë kontribut politik.

TASH KUSH MUND ta ketë mirë këtu. Ndoshta disa prej tyre e kanë me të drejtë atë që bëjnë e thonë. Ose, ndoshta e kanë gabim. Bëmat e individëve të tillë gjithsesi se mund t’ua sigurojnë titullin aq të lakmueshëm – hero.

Vetëm se, siç po na mëson përvoja e Lance Armstrongut, gjithçka në fund do të varet nga perceptimi i ndonjë librari në ndonjë librari. A do të jenë librat e tyre të renditur te seksioni i historisë apo tek ai i letërsisë fiksion.

 

*Kryeredaktor i ‘KohaVizion’. Botuar së pari në të përditshmen kosovare ‘Koha ditore’.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.