“Diç është kalbur në Shtetin shqipëtar”
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Tashma pothuejse i gjithë vendi ynë ka marrë nji ngjyrë të vetme politike. Kudo ku ka vendimmarrje kemi nji parti, nji klan, nji fill të shumëfishtë interesash, kudo ku ka mundësi për përfitime të paligjshme e të ligjshme kemi të njejtat fytyra që puthen, ofrohen, përbetohen apo kërcënojnë me sms, telefonata, arrestime, shpifje, favore.
“Diç është kalbur në Shtetin shqipëtar” – shkruente Konica te Dielli me 27 maj 1924, e me sa duket ajo kalbsinë po na ndjek edhe në ketë 100-vjetor.
Këto ditë së bashku me ndërkombtarët qemë të pranishëm në nji prej teatrove ma absurd e të neveritshëm qysh prej ramjes së komunizmit.
Në nji anë vërenim paroksizmin e nanoizmin që lëshonte bomba tymçe sa andej këtej. Nanoja, i cili e tregoi se asht njeri pa parti dhe pa parime, kujtoi për disa ditë se ishte Harry Potter i politikës shqiptare. Nga nji anë ai u rrejt prej fjalëve të Berishës dhe Metës, në anën tjetër ai drejtohej prej nji egoje që e kalon disa herë sipërfaqen e mundësive të tij reale. Ditët e fundit të Nanos ishin ditët e fundit të nji kllouni që premtonte numra të rinj në nji cirk pa spektatorë.
Në krahun tjetër ndoqëm bisedimet e koalicionit qeverisës me Edi Ramën, i cili ketë radhë nuk ra në lakun e Berishës, por i qëndroi deri në fund udhëzimit të BE-së që kërkonte president konsensual.
Në anën tjetër për disa ditë vijoi tallja me nji gjykatës profesionist si Zaganjori, i cili ishte caktue si kandidat për president, por nuk paraqitej prej koalicionit në Kuvend. Edhe ai u përdor pa mëshirë prej Berishës dhe Metës. Gjykatësi anamalas ma në fund u tërhoq, pse e kuptoi lojën e ndytë që po bahej me emnin e tij.
Njiherë e nji kohë Fuqitë e Mëdha kur donin me ushtrue presion ndaj nji qeverie dërgonin luftanijet e tyne përpara porteve për me demonstrue forcën. Në ditët tona kjo detyrë u takon ambasadorëve të akredituem, si edhe figurave si ajo e Štefan Füle-s, komisar për zgjanimin dhe politikën e BE-së apo drejtorit të përgjithshëm Stefano Sannino.
Të gjithë u aktivizuen në kohë, por fjala e tyne ra në vesh të shurdhët. Për Berishën dhe Metën u pa qartë se kishte ma tepër randësi marrja e postit presidencial sesa ftesa për statusin e kandidatit.
Ndërkaq Berisha në takimin e fundit për gjetjen e nji figure konsensuale nxori nga fondi i tij i artë emnin e Artan Hoxhës, i njohun kryesisht si analist, pra si njeri që jep opinione në programe televizive. Por kjo s’asht e gjitha, Artan Hoxha kishte edhe aktivitete të tjera, të cilat gjykoheshin prej Berishës dhe Metës si kontribute të shkëlqyeshme e madhore në ecjen para të vendit në këto vite.
Po në atë takim Edi Rama hodhi propozimin e Kadaresë për zgjedhjen e nji gjenerali të Forcave të Armatosuna, po menjiherë Patozi – si intelektual i shquem që asht – kundërshtoi idenë e Kadaresë si diçka të papërshtatshme, po ashtu bane edhe Berisha me Metën.
Të dy këta preferuen për meritat e tij Artan Hoxhën, i cili siç do të bahej e dijtun mbas pak orësh kishte qenë i sinjalizuem qysh në kohën e kryeministrit Aleksandër Meksi si bashkëpuntor i Sigurimit.
Presidenti i Republikës në optikën e Berishës dhe Metës asht vetëm nji instrument, dhe nji instrument mund të përdoret ma së miri vetëm nesë ka dobësi të shprehuna apo cene dhe kleçka të mshehta. Nishani në ketë drejtim i ka të gjitha mundësitë me qenë nji president i mirë.
Asht për t’u shenjue se prej PD-së nuk doli asnji za i vetëm kundër procedurës që ndoqi kreu i saj i kushtëzuem prej atij të LSI-së. Po të kërkojmë ndër bankat ku ulet kryesia e PD-së do ta kemi tejet të vështirë me gjetë ndonji personalitet të fortë, ndërsa përtokë mund të gjejmë mjaft personalitete të humbuna që s’u del kush për zot.
Besoj se data 11 qershor 2012 do të hyjë në historinë e shtetit shqiptar si nji datë e turpshme.
Kronika e atyne orëve ishte thellësisht neveritëse.
Kandidati i shpallun solemnisht Artan Hoxha tërhiqej në çastin e fundit. Kandidati i vetëshpallun Nano hidhej përpjetë si peshku në zall. In extremis nji i tretë, Nishani, zgjidhej president me votat e partisë e vet, të nji konsorciumi aferash siç asht LSI-ja dhe të nji grupimi sharlatan si ai i Idrizit. Për ketë të fundit, jam i bindun se ka ma shumë mundësi që të ringjallet nesër prej vorrit Akil këmbëshpejti sesa çamët të marrin pronat e tyne falë pulatikës së Idriz efendisë.
Berisha në sallën e Parlamentit u paraqit i rrethuem prej grave të partisë së tij, njilloj si dikur Enver Hoxha që rrethohej me mjelëse të dallueme, me kryetare kooperativash e me aksioniste që kryenin disa norma rresht. Me gjithë dekorin larushan, ai dukej mjaft i lodhun dhe i ramë, gja që ka ndikue shumë në figurën e dobtë që bani këto ditë. Me siguri ndërkombtarët tashti po mendojnë nëse Lulzim Basha do të jetë në gjendje nji të nesërme me mbajt frenat e PD-së në dorë, tue e dijtë se sa shumë anmiqsina dhe rivalitete ka mbrenda saj! Ndoshta ajo e neserme do të ishte mirë të ishte sot.
Të parat që do ta kuptojnë se i jemi largue ndjeshëm Europës do të jenë kompanitë ajrore, të cilat do t’i rrisin çmimet e biletave për t’iu përshtatë distancës së re.
Shkruente Konica në maj të vitit 1924: “Kalbësira është aq’ e fortë sa bota e qytetëruar ka nisur të vërë duart në hundë. S’ka në Shqipëri ca njerës të zotët t’i fshijnë qelbësirat dhe t’a qërojnë erën, para se të jetë tepër von?”
Ndoshta edhe ka, por ndërkaq nji pjesë e madhe asht tue u mësue e madje po na i pëlqen era e qelbsinës për të cilën shkruente i paperëndueshmi Konica.
Marrë nga Mapo
Add new comment