Ylli Ziçishti: Jemi më keq se në vitin 1997

Postuar në 12 Nëntor, 2011 06:01

Shefi i urgjencës kirurgjikale në QSUT, Ylli Ziçishti, ka dhënë një intervistë për gazetën shqiptarja.com, nga e cila del në shesh mjerimi i spitaleve publike. Nuk është një gjë që s’dihet, por këtë herë pranohet nga një mjek. Madje, duhet thënë se dhe zoti Ziçishti i thotë gjërat në mënyrë të ndrojtur (në stilin e të gjithë mjekëve, të cilëve nuk para ua ka qejfi të ngrenë zërin faqe botës për problemet e tyre), gjë që duket tek shprehjet “jo se s’kemi gjë, por …”, “në urgjencë ka gjithmonë furnizime, por …”, etj.

Ky “por”-i është shumë i rëndësishëm. “Në vitin ’97 kemi pasur punë shumë më tepër se sot, por – n’daç besoje, n’daç jo – nuk na ka munguar gjë. Ishin gjërat. Duke përjashtuar gjakun, që është gjithmonë problem, mungesa të tjera s’kemi pasur”, thotë doktor Ziçishti, duke bërë kështu një nënvizim që flet më shumë se çdo ngrefosje e propagandë: Jemi më keq se në vitin ’97. “Vonohen dhe tenderat për fijet e operacionit”, thotë ai. “Ne kemi fije, por i kemi të limituara”, zbut disi ai “denoncimin” e sapobërë, por në mendje të mbetet fraza e parë.

Në këtë bisedë me gazetarin Ziçishti flet dhe për vështirësi të një natyre tjetër të profesionit të mjekut, apo të sektorit të urgjencës. Një nga këto vështirësi është dhe presioni i familjarëve të pacientëve. “Ka pasur raste që na ka ardhur edhe i vdekur i sëmuri dhe familjarët na thoshin: shpëtoje". Në rrethana të tilla është hera jonë të kemi empathi e solidaritet me mjekët.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.