Vjeshta e artë e librave: nga Spartak Ngjela e Helena Kadare te Edi Rama e Ben Blushi

Tetor-nëntori i vitit 2011 shënon ndoshta vjeshtën më të begatë të librave shqip në 20 vjetëshin post-komunist të Shqipërisë. Helena Kadare ka botuar një libër me kujtime, pjesë të të cilit janë botuar sot në të përditshmet e vendit. Pritet, nëse autorja është treguar “e ndershme” me interesin e publikut, që libri të japë një dimension të panjohur të shkrimtarit të madh shqiptar duke zbuluar njeriun pas gjeniut të letrave. Pas Helena Kadaresë, një tjetër protagonist, kryetari i PS-së Edi Rama do të hedhë në treg librin e tij me kujtime e refleksione “Kurban”. Të dy librat do të ndeshin “brirët” në listën e shitjeve të librarive, por edhe ne Panairin e Librit që hapet së shpejti. Ndërkohë Blendi Fevziu nëpërmjet UET Press ka hedhur në treg biografinë e Enver Hoxhës që është bërë shpejt një lexim i preferuar për amatorët e librave. Pak javë para të tijit, Spartak Ngjela ka dhënë variantin e tij të historisë së Shqipërisë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” me një vëllim të parë që pritet të pasohet së shpejti nga i dyti. Kësaj kolane “të rëndë” pritet t’i shtohet së shpejti edhe romani i ri i Ben Blushit “Shqipëria”. Përfundimisht, është një vjeshtë e artë për libërdashësit.
H.B.
Add new comment