Vetvendosja, parodi dhe hudhra kundër marrjes mësysh në oborrin e qeverisë së Kosovës

Vetvendosja i ka gjetur një kënd tjetër formës së protestave të saj kundër qeverisë së Kosovës. E fundit, e organizuar të shtunën, është mbështetur te ironia e hapur. Motoja e protestës ishte: “Nuk ka nevojë për protesta” dhe dhjetëra pjesëmarrës mbanin në kokë maska letre, kurse në duar parulla ku shkruhej: “Hashim Thaçi, kryeministri më i pakorruptuar në Europë” apo “Buxheti i Kosovës 10 miliardë euro”. Kishte edhe parulla që flisnin për njohjen e Kosovës nga Serbia pas fillimit të bisedimeve dhe demontimit së strukturave paralele në veri. Ironike kanë qenë edhe fjalimet e aktivistëve të Vetvendosjes. “Më 1 nëntor, ashtu siç tha zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, janë shpërbërë të gjitha strukturat paralele në Kosovë. Tash ne jemi më të sigurt. Kushdo që është i interesuar mund të shkojë me ministrin Bajram Rexhepi të pijë kafe në veri të Kosovës në cilëndo pjesë që ju ta zgjidhni”, ka thënë një aktivist. Të mbledhur pikërisht para godinës së qeverisë dhe duke ironizuar punën e saj ata kanë vendosur edhe hudhra tek oborri i Qeverisë. Ky gjest sipas bestytnive nënkupton se qeverisë do t’i shkojnë punët mbarë dhe njëkohësisht ‘parandalon’ një marrje mësysh.”Kosova është radhitur e para ndër shtetet demokratike të botës. Prej një oazi të krimit e të hajnisë, ne jemi bërë shembull e parajsë e drejtësisë dhe barazisë shoqërore, ku në të vërtetë, politikanët janë njerëzit më të varfër”, ka thënë një tjetër aktivist i Vetvendosjes.
H.B.
Add new comment