Vendimi ‘bombë’ i Papandreut: do të bëj referendum mbi ndihmën e BE-së

Postuar në 01 Nëntor, 2011 07:16

Në mënyrën më të papritur, e për shumëkënd të pashpjegueshme, kryeministri grek Papandreu ka dhënë lajmin se do të mbahet një referendum popullor lidhur me marrëveshjen e fundit të lidhur mes Greqisë e BE-së. Si kohë e mundshme për këtë referendum, thotë ministri i financave Venizellos, mund të jetë fillimi i vitit tjetër. Por kjo lëvizje do të provokojë tronditje të forta në fqinjin tonë të jugut. Vetëm disa orë pas këtij njoftimi, e për shkak të vendimit mbi referendumin, deputetja e maxhorancës, Milena Apostolaki, ka bërë divorc me grupin socialist të parlamentit, dhe kështu maxhoranca mbahet me vetëm 152 deputetë (nga 300 gjithsej që ka parlamenti). Zhvendosje të tjera nuk janë të pamundura, duke rrezikuar seriozisht në këtë mënyrë qeverinë Papandreu.

Por reagime kanë ardhur edhe nga jashtë Greqisë. Çmimi Nobel për ekonominë Christopher Pissarides është shprehur, se “rezultati i referendumit do të jetë një anulim i marrëveshjes, dhe rezultati i këtij rezultati do të jetë përkeqësim i krizës në BE, në Greqi, dhe dalje e kësaj të fundit nga zona Euro.” Ministri finlandez mbi Çështjet Europiane, Alexander Stubb, thotë se në thelb ky referendum nuk bëhet për pranimin apo jo të marrëveshjes BE-Greqi, por për qëndrimin apo largimin e kësaj të fundit nga zona Euro. Në fund është dhe një frazë e shkurtër, që raportohet si e dalë nga goja e Sarkozy-së: ky është një gjest irracional, dhe i rrezikshëm në radhë të parë për Greqinë.

M.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.