Trafiku i mbetjeve toksike, në hartë edhe Shqipëria
Sipas Europolit, është rritur volumi i transportit të mbetjeve ilegale për shkak të një raporti të jashtëzakonshëm mes riskut të ulët dhe përfitimeve të mëdha për organizatat kriminale. Gjithashtu, shkak i kësaj rritjeje është edhe globalizmi e rritja ekonomike. Europoli, sipas euroalert.net, raportoi se trafikimi i mbetjeve toksike ilegale shpesh kryhet nëpërmjet bashkëpunimit të bizneseve legjitime, përfshirë ato të shërbimeve financiare, import/eksporteve dhe të riciklimit të metaleve si dhe me specialistë të falsifikimit të dokumenteve. Mbetjet toksike trafikohen nga Europa jugore drejt asaj juglindore dhe Ballkanit perëndimor (Rumania, Hungaria dhe Shqipëria) por edhe nga shtete anëtare të BE-së. Italia është bërë, gjithashtu, një pikë tranziti për e-mbetjet (pajisje elektronike dhe elektrike të dorës së dytë) që shkojnë drejt Afrikës apo Azisë. Kriminelët, sipas Europolit, shfrytëzojnë kostot e larta që shoqërojnë menaxhimin e mbetjeve toksike dhe nxjerrin përfitime të mëdha nga trafiku ilegal. Sipas Europolit, shkatërrimi i mbetjeve ilegale në BE është i organizuar nga rrjete të sofistikuara kriminale me një ndarje të qartë të roleve (grumbullimi, transportimi apo ekspertiza ligjore).
L.A.
Add new comment