Superproces apo superfarsë?

Postuar në 03 Tetor, 2011 03:22

“Superproces” ishte quajtur në një agjenci online të informacionit gjyqi në ngarkim të atyre që janë arrestuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 vetë e ku u plagosën disa qindra të tjerë. Por merret vesh se ka një teprim në këtë mes. Mund të flitet për një “superngjarje” (atë të marsit 2008, në Gërdec), por është vështirë të flasësh për një superproces. Ah po, kemi të bëjmë me një superproces në kuptimin që procesi u zvarrit pa fund (janë zhvilluar rreth 150 seanca gjyqësore, janë thirrur rreth 200 dëshmitarë, është kërkuar mendimi i 15 ekspertëve, etj), derisa erdhëm në ditën, kur asnjë prej të akuzuarëve nuk është pas hekurave; përkundrazi, ka kohë që secili është në shtëpinë e vet, me një polic-roje që medemek rri tek dera. Për më tepër, duket se autorët e vërtetë të asaj afere korruptive që prodhoi tragjedinë e njohur, mes të cilëve djali i kryeministrit, nuk janë thirrur në bangon e të akuzuarëve. Kjo e shndërron “superprocesin” në një superfarsë.

Sidoqoftë, sot, më datë 3, Gjykata e Tiranës ka thirrur Prokurorët të thonë fjalën e tyre për gati 30 të pandehurit.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.