Shuhen qarjet e fisme të Andy Rooneyt

Në ShBA vdiq 92 vjeçar komentatori Andy Rooney, një tip gazetari (sido që ai pranonte si profesion vetëm atë të shkrimtarit) që ende i mungon Shqipërisë, që i tha goja çfarë i pa syri e i mori mendja, që s’ia shiti penën kujt, dhe që për 70 vjet rresht u dhuroi amerikanëve , me humor të thatë e ironi të bukur, komentin e tij final e aq të pritur në emisionin amerikan më të thelluar e të vërtetë të lajmeve televizive - “60 minuta” të networkit CBS. Komentin e vet shpues e origjinal në formë eseje të shkurtër, Rooney e ndërtonte gjithnjë me qendër absurdin, por kishte atë lloj vështrimi holistic dhe thelbësisht njerëzor ndaj ngjarjeve të rëndomta apo edhe dukurive “serioze” politike të ditës, që ta sillnin dukurinë në tryezë dhe ta lidhnin me ditën tënde konkrete, kushdo të ishe; të jepnin një fije ideore ku ti kapeshe dhe kalëroje për pak kohë me problemin që Rooney diskutonte; të bënin që të nesërmen ta shihje banalen dhe të padukshmen si diçka që kish rëndësi për shoqërinë. “Legjendari Andy Rooney” iu referuan mediat amerikane. Njerëzia rrugës e thërrisnin thjesht “Andy”, sado mizantrop e i grindur që dukej. Andy ishte gazetari i familjes që amerikanët e ndiqnin teksa hanin darkë, qeshnin nën buzë dhe mendoheshin për sa thoshte, për së paku disa minuta pasi “60 minuta” kish mbaruar. Nuk la gjë pa kritikuar, por nuk e bëri kurrë bozë kritikën, dhe kërkoi falje sa herë shkau në fakt apo ide. Bashkë me moshën, Andy bartte edhe një kalë me besime që u takonin ideologjive dominante të çerek-shekujve të ndryshëm: në fund të fundit, cili gazetar foli gjuhën e Zotit për 70 vjet rresht? Por ndryshe nga shumë gazetarë të tjerë, paragjykimet e Roonit nuk i shërbenin as partive, as industrialistëve dhe as xhepit të tij. Rooney fliste, fyente dhe lëvdonte, me të vetmen ide në krye që të thoshte atë që njihte si të vërtetë, dhe që mendonte se njerëzit duhet ta dëgjonin. Deri në komentin e tij të 1097 (seria e komenteve nisi në 1978 e u mbyll tri javë para vdekjes) u ndoq me po atë interes e besim nga njerëzit, sido që nuk u la asnjë konformizëm apo mediokritet të përditshëm pa sharë. Çelësi besoj, veç këndvështrimit të pazakontë e gjuhës fine e ritmike, qe sinqeriteti dhe mungesa e frikës. Fëmijët, adoleshentët dhe pleqtë ulokë e ndiqnin njëlloj. Ky link ju çon në një ndër të fundit komente të Rooneyt për CBS: “Kush dreqin është Lady Gaga?”
http://www.cbsnews.com/video/watch/?id=7372856n&tag=contentMain;contentAux
E.D.
Add new comment