Shifrat përgënjeshtrojnë çdo marifet qeveritar

Është bërë gati projektbuxheti për vitin tjetër, por nuk është ky lajmi. Lajmi është që – na bëjnë me dije gazetarët e Shqipit – projektbuxheti në fjalë është qartësisht më i vogël në të ardhura e shpenzime se sa buxheti i rishikuar i këtij viti. Konkretisht, të ardhurat parashikohen të jenë 2.3% më të ulta se sa ato të këtij viti; me fjalë të tjera, parashikohet së pari një rënie konsumi, gjë që automatikisht ul të ardhurat prej TVSH-së, akcizës, etj, dhe së dyti një rritje e papunësisë, gjë që automatikisht ul të ardhurat prej tatimit mbi të ardhurat personale. Ndërsa shpenzimet do të jenë 3,5% më të ulta, gjë që afërmendsh do të thotë se do të ketë shkurtime në administratë, do të ketë investime publike më pak, e do të bëhet ndonjë rritje qesharake rrogash (nëse do të bëhet).
Këto janë shifra që flasin vetë, dhe përgënjeshtrojnë çdo deklaratë optimiste. Kjo është arsyeja që kryeministri, kur don të japë idenë e Shqipërisë së begatë, vijon të kapet pas ndonjë indikatori (fjala vjen, rritja e eksporteve), që ose nuk do të thotë asgjë në panoramën e krizës ku është futur vendi, ose përbën ndonjë akrobaci kryeministrore me shifrat.
E.G.
Add new comment