Shaqa Shatri: Ilir Kumbaro më ka vjedhur identitetin

Ilir Kumbaro është një personazh i famshëm, tanimë. Ai është akuzuar nga Prokuroria Shqiptare për rrëmbimin e vrasjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Por nuk mund të gjykohet në Shqipëri, pasi ka kërkuar azil politik në Londër, qysh në vitin 1996, ku jeton me identitet të rremë. Ish- kryetari i Degës së Parë Operative në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë mban emrin Shaqa Shatri.
Gazetari njohur i kronikës së zezë, Artan Hoxha, është vënë në kërkim të ndonjë njeriu me emrin Shaqa Shatri, dhe gjurmët e kanë çuar në Kuzhnin, një fshat nja 30 km larg Prizrenit. Atje ka gjetur Shaqa Shatrin e vërtetë.
“I kam kaluar 66 vitet. Kam 6 vajza dhe 1 djalë. Profesioni im është bukëpjekës. Në vitin 1992 vendosa të shkoj ilegalisht në Zvicër, duke kaluar nga Shqipëria... Një ditë hipa në autobusin urban, që ishte plot me njerëz.... Kur zbrita nga autobusi pranë Zogut të Zi, futa dorën në xhep dhe nuk gjeta as portofolin dhe as dokumentat. M’i kishin marrë", tregon Shatri, i cili gjatë programit “Xhungël” pohon se e ka marrë vesh nga gazetat që dikush i ka vjedhur identitetin, dhe se “askush nuk ka ardhur për të më pyetur, as policia, as ndërkombëtarët; vetëm gazetarët kanë ardhur tek unë".
Shaqa Shatri i vërtetë tregoi dokumentin e tij të identitetit të lëshuar së fundi nga Republika e Kosovës ku janë të njëjtat gjeneralitete me ato që Ilir Kumbaro pretendon para gjykatës angleze për të bërë të pamundur ekstradimin drejt Tiranës.
Re.Pu.
Add new comment