Rruga bëhet e përpjetë për Obama-n

Postuar në 01 Tetor, 2011 06:05

Janë momente të vështira për Barack Obama-n. Erërat nuk fryjnë më në favor të tij. Të paktën, jo si qëmoti. E dinë të gjthë këtë gjë. E di dhe Obama, që nuk ka nguruar ta shprehë. Ka organizuar një darkë elektorale në shtëpinë e tij private në Georgetown, Washington, ku ka ftuar mbështetësit e tij më të njohur e më të flaktë, dhe aty ka pranuar me zë të plotë se “rizgjedhja për në postin e presidentit do të jetë një punë e vështirë, pasi ekonomia është ende duke dalë nga kriza e recesioni. Ka vetëm një mënyrë për të fituar. Duhet të rishtrëngojmë radhët, dhe të përveshim mëngët edhe njëherë”.

Në fakt, kriza është e dukshme, dhe nuk është për faj të tij. Nga ana tjetër, ai ka përballë një Kongres që mezi pret t’ia hedhë poshtë çdo propozim që ai bën. E megjithatë, kjo nuk e shfajëson. Ai premtoi the Change, dhe ndryshimi nuk erdhi. “Nuk kemi ndryshuar ndonjë të madhe në mënyrën se si funksionon Washingtoni. Kemi bërë plot gjëra, por Washingtoni ka mbetur siç ishte, dhe njerëzit kanë të drejtë të jenë të pakënaqur”, tha pak a shumë ai përpara mbështetësve, të cilët nuk harroi t’i porosisë që përballë kemi republikanët, të cilët “duan t’u japin licencën njerëzve të pasur të Amerikës që t’i shkruajnë rregullat e lojës si t’ua ketë ënda atyre”.

Bindës? Mbetet për t’u parë. Ka një vit kohë deri në momentin e zgjedhjeve. Deri atëherë, Obama-s do t’i duhet të ecë përpjetë.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.