Ridvan Bode mes shiut dhe breshërit

Para se të nisë hartimin e projektbuxhetit të vitit pasardhës, Ministria e Financave përdor një program kompjuterik për parashikimin e të ardhurave që do të futen në arkën e shtetit (duhet të dish se sa të ardhura do të kesh, përpara se të planifikosh në buxhet se si do t’i përdorësh ato). Në themel të modelit që përdor programi kompjuterik i Ministrisë së Financave, është parashikimi për rritjen reale ekonomike për vitin pasardhës (sa më shumë mallra e shërbime të prodhohen dhe/ose të shiten, aq më shumë të ardhura do të shkojnë në arkën e shtetit). Programi kompjuterik i sipërpërmendur ka tre opsione për rritjen reale ekonomike: optimist, mesatar, pesimist. Që nga ardhja e Berishës në pushtet, Ministria e Financave përdor opsionin optimist, FMN-ja përdor opsionin mesatar, dhe BERZH-i përdor opsionin pesimist. Prandaj dhe kemi patur disa herë radhazi rishikim në ulje të buxhetit në mes të vitit, për të ardhur diku tek opsioni mesatar (Berisha, si optimist i pashërueshëm që është, i kërkon Bodes gjithnjë të parashikojë maksimumin e rritjes ekonomike dhe, kur ajo nuk materializohet, Bode detyrohet të rishikojë buxhetin).
Me projektbuxhetin e vitit 2012, jemi në të njëjtën situatë. Ministria e Financave parashikon një rritje reale ekonomike prej 4.3%, FMN-ja 3.2% dhe BERZH-i vetëm 1%. Pra edhe këtë herë, mes “breshërit” të Berishës dhe “shiut” të FMN-së e BERZH-it, Bode ka zgjedhur t’i ruhet të parit. Por kësaj radhe, misioni i FMN-së, për herë të parë pas 1997-ës, nuk doli me një deklaratë publike për projekt-buxhetin e ri (ndoshta në shenjë proteste). Ndërkohë, shtete shumë më të fuqishme se i yni po i binden recetave të FMN-së në këtë kohë krize globale.
E.Zaloshnja
Comments
Po nuk po ju binden se kane
<p>Po nuk po ju binden se kane nevoje per mendte e FMN-se por se kane nevoje per parate e tyre o Zaloshnjaaaaaaa</p>
Add new comment