Putini po mendon mbi “demokratizimin” e Rusisë

Postuar në 12 Nëntor, 2011 06:40

Gjatë një takimi me gazetarë e akademikë të huaj, teksa po i thuhej në sy se “pushteti në Rusi është shumë i centralizuar, se 80% e dekreteve të Presidentit Dmitri Medvedev injorohen, ose zbatohen pjesërisht, nga rajonet, dhe se askush nuk ka besim tek struktura e pushtetit që ai vetë ka krijuar”, kryeministri dhe kandidati presidencial Vladimir Putin i befasoi të gjithë me atë që tha. “Jam dakord me ju. Jam dakord me gjithçka ju thatë”.

U duk sikur po bënte shaka, por ishte më serioz se kurrë. Dhe bën mirë të jetë, pasi një sondazh i kryer së fundmi, rezultatet e të cilit pranohen dhe nga Kremlini, nxirrte në shesh një pakënaqësi të madhe të qytetarëve ndaj guvernatorëve të emëruar të rajoneve, të cilët janë pothuaj të gjithë të partisë “Rusia e Bashkuar” (këta guvernatorë gëzojnë mbështetjen e më pak se 20% të banorëve). Nga ana tjetër, në Moskë, Shën Petersburg dhe Kaliningrad po i kthejnë krahët kësaj partie. Afërmendsh, kjo s’do të thotë se Partia e Putinit ka për të humbur në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit; përkundrazi, fitorja është prapëseprapë e sigurtë, pasi kjo parti e bazon forcën elektorale tek mobilizimi i administratës publike, dmth tek mobilizimi i miliona mësuesve e nëpunësve.

Por me sa duket, kjo fitore e pritshme, e ngritur mbi këtë mobilizim të stilit totalitar, nuk e  ngushëllon Putinin, dhe prandaj ky i fundit ka filluar të premtojë nga pozitat e kandidatit për President, se do bëjë decentralizimin e pushtetit, se drejtuesit e njësive të qeverisjes lokale do të zgjidhen nga populli, dhe se manage-imin e taksave do t’ua lërë gradualisht të zgjedhurve lokalë.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.