Politikanët grekë janë duke bërë figurë të keqe

Postuar në 09 Nëntor, 2011 16:59

U bënë tri ditë, dhe në Athinë ende nuk kanë arritur të bien dakord lidhur me emrin e kreut të qeverisë pas dorëheqjes së Papandreut. Tregjet janë duke vibruar në pritje, BE-ja e FMN-ja po presin një përgjigje për ofertën e tyre, të cilën e kanë lidhur me një numër reformash që duhen kryer sa më shpejt të jetë e mundur. Ka pasur një takim sot në mbrëmje mes presidentit Karolos Papulias dhe krerëve të Pasok-ut, të ‘Nea Dimocratia’-s e të Laos-it (një parti e së djathtës), respektivisht Jorgos Papandreut, Antonis Samarasit e Jorgos Karazaferis, por ka qenë një dështim i plotë. Pritet që takimi të vijojë nesër në mëngjes. Në fillim u pa të dilte me fytyrë të murrëtyer nga Presidenca Karazaferis, i cili u drejtua nga gazetarët dhe lëshoi një frazë, që flet qartë mbi klimën e dyshimit e të nervozizmit që dominon këto negociata: ‘Papandreu e Samaras po tallen me presidentin’. Në fakt, media e gazetarët janë duke theksuar e mbrojtur tezën, se këto negociata janë zhvilluar në mënyrë të improvizuar, amatoriale e pa asnjë përgatitje. Problemi qëndron, sidoqoftë, në partinë e Pasokut, ku refuzojnë të pranojnë një personalitet të njohur brenda e jashtë Greqisë, ish presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Lucas Papademos, dhe këmbëngulin të zgjedhin kryetarin e parlamentit, Filippos Petsalnikos, i cili nuk mbahet për ndonjë kompetencë e zotësi të madhe, rrjedhimidht nuk konsiderohet në lartësinë e detyrës.

M.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.